Më shum

    Pllaja e Kolonjës, qytetërimi prehistorik më në zë i Ballkanit

    Nga Seldi Hasanas

    “Pllaja e Kolonjës, së bashku me pellgun e Korçës në Shqipërinë Juglindore, përfaqëson një nga rajonet më të pasura e më në zë të qytetërimit prehistorik, brenda vendit tonë e më gjerë në rrafshin ballkanik”, – është shprehur kështu, Prof. As. Dr. Skënder Aliu.

    Ky përfundim është arritur nga gjetjet e shumta arkeologjike në këto treva gjatë 35 viteve të fundit, veçanërisht në vendbanimin shumështresor të Maliqit, në shpellën e Trenit, në varrezat e Barçit etj., të cilat i përkasin pellgut të Korçës. Por, po kaq vlera të rëndësishme studimore kanë sjellë edhe zbulimet në kalanë e Hollmit, në vendbanimet e Kamnikut, Luarasit, Prodanit, Rehovës, Shtikës, Psarit, Borovës e gjetkë, të cilat gjenden në pllajën e Kolonjës. Nisur nga studimet për pllajën e Kolonjës, fantazia shkon deri tek njeriu prehistorik, që të mahnit me përkujdesjen e të afërmve të tij, me vendosjen e trupit pa jetë në varr, me adhurimin që ka për shpirtin e të vdekurit dhe për këtë arsye shkon në varreza herë pas herë, çon broka me ujë për t’i shuar etjen dhe për të kuvenduar me të. Po kaq interesante mbeten zbukurimet e grave, të cilat stolisen me gurë të çmuar të ardhur nga rajone të largëta të Evropës Qendrore. Megjithatë, për të mësuar më shumë mbi ritet dhe zakonet në qytetërimin prehistorik të pllajës së Kolonjës, ne intervistuam prof. as. dr. Skënder Aliu.

    Cilat janë gjetjet më të rëndësishme në pllajën e Kolonjës?

    Në pllajën e Kolonjës janë gërmuar pesë tuma: Tuma e Prodanit, varreza mesjetare e tumës së Rehovës, varreza e Borovës, tuma e Psarit dhe tuma e Shtikës, por vend të rëndësishëm këtu zë tuma e Rehovës. Kjo tumë ruan tërë madhështinë e dikurshme si një “kodër lapidar”, e mbetur pothuajse e paprekur. Ajo është ngritur mbi një varr qendror, me muranë të rrethuar nga një unazë shiritore, e cila kishte për inventar një enë të importuar mikenase të HVIIB. 1450-1400 Para Krishtit. Përmbante 283 varre dhe 650 objekte. Mbështetur tek materialet e gjetura vlerësojmë se tumat kanë nisur të ndërtohen në shek. XIV-XIII Para Krishtit.

    Cili ishte konstruksioni i varreve të asaj periudhe?

    Mënyra e ndërtimit të varreve ka qenë e ndryshme, por janë përcaktuar qartë dy tipa varresh: me gropë të kufizuar me gurë dhe me gropë të thjeshtë. Të tilla janë gjetur në tumën e Luarasit, në Prodan, në Rehovë, Psar dhe Shtikë. Kanë pasur trajtë katërkëndëshe, jo shumë të rregullt ose elipsoidale. Varret me gropë të thjeshtë janë konstatuar thuajse në të gjitha tumat e zbuluara në vendin tonë, por edhe në rrafshin ballkanik

    Cilat ishin ritet e varrimit?

    Nga gërmimet e kryera në pllajën e Kolonjës rezulton se trupi i njeriut pa jetë ka qenë i vendosur në disa pozicione. I vdekuri vendosej në pozicion fjetjeje, mbështetur në krah të majtë ose të djathtë, me duart pranë fytyrës ose poshtë kokës. Kjo lloj vendosjeje ka vazhduar të përdoret edhe gjatë epokës së bronzit e të hekurit. Po kështu, është praktikuar edhe vendosja në shpinë, ndërsa duart të palosura në gjoks, ose pranë supeve. Ky është një lloj pozicioni që është ndeshur rrallë. Të tillë varre janë gjetur në tumën e Pazhokut në Gramsh dhe në varrin qendror të tumës së Piskovës në Përmet. Varret qendrore të këtyre tumave janë datuar në fillimet e bronzit të hershëm, por ky rit ka vijuar edhe në periudhën e bronzit të vonë dhe fillimet e epokës së hekurit, i përket një riti të ardhur nga që nga fillimet e epokës së bronzit. Ndërsa, në dy ritet e para i vdekuri vendosej në varr me këmbë të mbledhura janë gjetur dhe vendosje me gjymtyrë të shtrira, gjetje këto në të gjitha zbulimet e kryera në vendin tonë. Të vdekurit vendoseshin në varre bashkë me veshjen e tyre të përditshme. Këto varre i përkasin epokës së bronzit të vonë dhe epokës së hekurit

    A ekzistonte riti i djegies së kufomës?

    Është përdorur shumë rrallë. Në tumën e Luarasit janë konstatuar vetëm dy varre me djegie. Është arritur në përfundimin se djegia e të vdekurve kryhej diku jashtë tumës, në një vend me karakter ritual, pranë vendbanimit ose tumës. Pas përfundimit të ceremonisë mortore mbeturinat e eshtrave së bashku me hirin dhe thëngjijtë silleshin dhe varroseshin në tumë. Ky lloj rriti njihet që nga periudha e bronzit të mesëm, brenda vendit tonë. Është përdorur rrallë edhe në periudhën e bronzit të vonë dhe në epokën e hekurit.

    Çfarë sendesh vendoseshin në varrin e të vdekurit?

    Në shumicën dërrmuese të rasteve janë gjetur enë qeramike. Këto lloj enësh janë gjetur si në varret e burrave, ashtu dhe në ato të grave. Enët iu vendoseshin tek këmbët ose tek koka. Janë gjetur enë të tilla si: kandarë, kana, kupa, filxhanë, enë dyshe, ose treshe. Bie në sy fakti se grave u vendoseshin enë dyshe. Në dheun e varreve janë gjetur pjesë suvaje prej balte të pjekur të banesave, pjesë dyshemeje, shosha të furrave të pjekjes së qeramikës, thëngjij etj, çka na bën të mendojmë se një pjesë të dheut e sillnin nga vendbanimi i tyre. Të afërmit shkonin në varreza, në shenjë nderimi, në të tretat, të shtatat, të nëntat e vdekjes së tyre dhe në vazhdimësi

    Cilat ishin sendet e zbukurimit?

    Objektet e zbukurimit përfaqësojnë grupin më të madh dhe më të larmishëm të gjetjeve në pllajën e Kolonjës, shpesh me vlera të rëndësishme kronologjike dhe kulturore. Shumica e këtyre gjetjeve janë prodhime bronzi e më rrallë prej argjendi, hekuri, qelibari, kocke, guri, briri, etj. Janë gjetur byzylykë, të punuar me petë bronzi, me prerje trekëndëshe, ose të punuar me shufër bronzi me prerje rombike, byzylykë spiralikë, në formën e shkronjës “D”, por edhe byzylykë me prerje rrethore. Diademat (ballore) që shërbenin për zbukurimin e kokës kanë qenë të punuara prej shiriti të hollë bronzi, rreth 5 cm i gjerë, i zbukuruar me motive, bërë me teknikën e goditjes. Diademat mbeten një nga stolitë më të parapëlqyera të femrës prehistorike të pllajës së Kolonjës. Në këto stoli shprehen më së miri edhe tipare krahinore. Po kështu janë gjetur varëse, unaza, kopsa, vathë. Tëmthoret janë ndeshur rrallë, megjithatë ato kanë qenë prej teli bronzi e me rrathë prej floriri. Të shumta kanë qenë gjetjet e telit spiralik, të cilat përdoreshin për të shtrenguar fundin e gërshetave, të flokëve të vajzave dhe grave. Mjaft të preferuara për gratë kanë qenë rruazat, të cilat ishin prej bronzi, guri të kuq apo të bardhë, qelibar, qelqi e brumë qelqi të bardhë ose blu, por edhe të zinj e më rrallë prej balti, me forma dykonike, me kthesa të mprehta këndore ose të rrumbullakta. Funksion të dyfishtë e mjaft të përdorshme kanë pasur gjilpërat, të cilat shërbenin për rregullimin e flokëve ose për të mbërthyer ndonjë shami koke apo shalli që hidhej mbi kokë nga gratë. Gjilpërat janë përdorur edhe për mbërthimin e veshjeve trupore, të cilat duhet të kenë qenë të thurura prej leshi.

    Cila ishte kultura e asaj periudhe?

    Gjetjet arkeologjike në pllajën e Kolonjës flasin për ritin dhe ceremonitë e ndryshme të varrimit, konstruksionet e varreve dhe të tumave dhe njëkohësisht për gjendjen shoqërore dhe ekonomike të njeriut në atë periudhë. Prania në mjaft raste nëpër varre e enëve, armëve dhe stolive të importuar nga bota mikenase ose nga Evropa Qendrore është si rezultat i diferencimit dhe i lindjes së aristokracisë fisnore që në fillimet e bronzit të vonë. Përfaqësuesit e kësaj aristokracie në pllajën e Kolonjës vërehet tek enët e importuara mikeniane, e gjetur njëra prej tyre, në varrin qendror të tumës së Rehovës, apo tek çiftet e paftave prej floriri të importuara nga punishte dytësore mikeniane të Thesalisë, të cilat janë gjetur në tre varet e tumës së Rehovës dhe në një nga varret e tumës së Shtikës. Në këto tuma janë zbuluar edhe shumë objekte të tjera prej argjendi, qelibari, guri të çmuar, etj., të cilat kanë ardhur nëpërmjet kontakteve tregtare me këto rajone.

    Latest news

    Cohu Shqiptar!

    Në këmbë o Shqiptar që vendin tuaj e doni, Pash atë gjak që kanë derdh t´parët fjalën...

    “Atje në Nikaj – Mërtur ”, titullohet kënga më e re nga Gjergj Gjonaj

    Këngëtari Gjergj Gjonaj ka sjellur projektin e tij më të ri muzikor. “Atje në Nikaj - Mërtur ”, titullohet...

    Historia e fshatit Mandrica ne Bullgari. Ruajtja e rrenjeve dhe refuzimi per tu bere bullgare, turq apo greke

    SHPËRNGULJA E SHQIPTARËVE NË TROJET E BULLGARISË SË SOTME KA NJË HISTORI TË GJATË. EKZISTOJNË BURIME ME KARAKTER LEGJENDAR QË DATOJNË ARDHJEN...

    Besnik Palnikaj dy fjalë për poetin e madh Gjergj Fishta , fjalë zemre.

    Gjergj Fishta është e para figurë që nderoi Shqipërinë ndërkombëtarisht duke u nominuar për çmimin Nobel. Prej ku lidhen retë...

    Related news

    Cohu Shqiptar!

    Në këmbë o Shqiptar që vendin tuaj e doni, Pash atë gjak që kanë derdh t´parët fjalën...

    “Atje në Nikaj – Mërtur ”, titullohet kënga më e re nga Gjergj Gjonaj

    Këngëtari Gjergj Gjonaj ka sjellur projektin e tij më të ri muzikor. “Atje në Nikaj - Mërtur ”, titullohet...

    Historia e fshatit Mandrica ne Bullgari. Ruajtja e rrenjeve dhe refuzimi per tu bere bullgare, turq apo greke

    SHPËRNGULJA E SHQIPTARËVE NË TROJET E BULLGARISË SË SOTME KA NJË HISTORI TË GJATË. EKZISTOJNË BURIME ME KARAKTER LEGJENDAR QË DATOJNË ARDHJEN...

    Besnik Palnikaj dy fjalë për poetin e madh Gjergj Fishta , fjalë zemre.

    Gjergj Fishta është e para figurë që nderoi Shqipërinë ndërkombëtarisht duke u nominuar për çmimin Nobel. Prej ku lidhen retë...

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here