Tradita shqiptare e gatimit është e pasur me shije e aroma të dashura, pas të cilave shumëkush që i ka provuar, ka mbetur i magjepsur. Mes mjeshtërisë së recetave në kuzhinën shqiptare padyshim tradita unike e byrekut me 12 barishte është unike e vendit tonë.
12 barishtet simbolizojnë 12 muajt e vitit dhe përgatiten me dëshirën dhe shpresën për sa më shumë begati, mbarësi dhe shëndet në familje përgjatë gjithë vitit.
shqip.info ju kujton se byreku me 12 barishte ka jo vetëm një shije unike, por dhe vlera të larta ushqyese që vijnë nga lakrat e egra dhe barishtet me të cilat përgatitet. Sipas traditës, amvisat gjatë përgatitjes së këtij byreku fusin mes petëve edhe një monedhë. Pasi përgatitet, byreku ndahet në pjesë dhe i serviret gjithë familjes.
Anëtarit të familjes që i bie pjesa e byrekut me monedhë brenda cilësohet si personi që do të ketë fat dhe mbarësi gjatë gjithë vitit.
Shqip.info sjell më poshtë recetën tradicionale të byrekut me 12 barishte.
Përgatitja krejt lehtë në shtëpi
Përbërësit
- 100 gr Pazi
- 100 gr Lëpjetë
- 100 gr Spinaq
- 100 gr Hithra
- 100 Qumështore
- 100 gr Labot
- 100 gr bishta të hudhrave të njoma
- 100 gr bishta të qepëve të njoma
- 100 gr bishta presh
- Një tufë nenexhik
- Një tufë majdanoz
- Një tufë kopër
- 500 gr Miell
- 250 ml Ujë
- Kripë
- Vaj Ulliri
- 1 kokërr vezë
- Sodë Buke
- Dy lugë gjelle djathë i bardhë i thërrmuar
Përgatitja e Brumit
Si fillim, përgatisim brumin, duke hedhur në një tas të madh miellin. Pasi bëjmë një gropë në mesin e miellit hedhim kripën, sodën dhe i përzjejmë me dorë.
Në këtë moment nisim të shtojmë ujë të vakët derisa brumi të krijohet në një masë të butë dhe të përshtatshme për t’u hapur në formën e petës.
Brumin e përftuar e mbulojmë me një pecetë të pastër. E lëmë përreth gjysmë ore që të fryhet ndërsa nisim përgatitjen e lakrave të egra dhe barishteve.
Përgatitja e Mbushjes
Grijmë hollë përmes një thike të mprehtë të gjitha barishtet. U hedhim kripë dhe i shtypim me duar, i vendosim në zjarr me pak ujë sa të marrin një valë dhe uji të ketë shterruar. U shtojmë djathin e thërrmuar dhe i përziejmë.
Për të përftuar një masë pak të trashë të gjellës, shqip.info ju sugjeron që në një gotë të vogël të hidhni një lugë miell dhe treteni me dy lugë kos. Këtë masë, më pas e shtojmë tek barishtet dhe përzjejmë masën. Të njëjtën gjë mund të bëjmë edhe me qumësht në vend të kosit.
Në fund, gjellës me lakra i shtojmë vezën e rrahur dhe e përziejmë që masa të njëtrajtësohet.
Procesi i pjekjes në furrë
Pasi e përgatisim gjellën me barishtet, e lëmë të ftohet. Gjatë kësaj kohe brumi është gati për t’u punuar.
Brumin e ndajmë në 10 toptha të vegjël. Pasi hapim petën e poshtme e shtrojmë në tepsi, të cilën e kemi lyer me disa pika vaj ulliri, shtrojmë petën tjetër, e spërkasim me disa pika vaj ulliri dhe vijojmë kështu derisa të kemi shtruar petën e katërt. Më pas, shtrojmë gjysmën e mbushjes me lakra, në këtë moment vendosim edhe monedhën, të cilën e pastrojmë mirë me ujë dhe e mbështjellim me një letër kuzhine.
Më pas, vijojmë të shtrojmë dy peta të tjera duke i spërkatur me disa pika vaj ulliri. Hedhim pjesën tjetër të lakrave dhe vijojmë me shtrimin e katër petëve të tjera. Në fund petëve u kthejmë pak anët. Më pas, byrekun e pjekim në furrë në 180 gradë deri sa të marrë pjekjen e duhur. Në fund të përgatitjes, pasi byreku është pjekur e nxjerrim nga furra dhe e lyejmë me pak gjalpë fshati./Shqip.info