Categories
Të gjitha

Xhubleta Shqiptare, “Një Enciklopedi mesjetare mbi katër mijë vjecare”

Kostumi me xhubletë i grave malësore në Shqipërinë e Veriut është dhe një enciklopedi e botës mesdhetare për katërmijë vjet, por sot gati po zhduket gradualisht aty ku mbijeton ende, ndër shqiptarë. Atëherë xhubleta duhet të merret urgjentisht në mbrojtje ligjore, jo vetëm nga shteti shqiptar, por edhe nga UNESCO.

Për paradoks, në Shqipëri ekziston një Institut i Kulturës Popullore, që në vite, nga emrat më të njohur të shkencave studimore shqiptare, ka zbuluar, trajtuar e menaxhuar një numër të pallogaritshëm vlerash të trashëgimisë shpirtërore dhe materiale, por pa mundur t‘i publikojë të gjithë këto vlera, për shkak të mungesës së një muzeu etnografik, që vitet e fundit, është ofruar si një qoshk joshës në hyrjen kryesore të Muzeut Kombëtar. Por, një ekspozitë vetjake pranverën e kaluar, e hapur në hollin e këtij muzeu nga e pasionuara pas trashëgimisë së kostumeve popullore, Linda Spahiu, vuri në pah diferencën e madhe mes hapësirave që ndaheshin me njëra-tjetrën nga disa metra, ku privatja për nga vlerat që posedonte, ishte në avancë me atë shtetëroren. Të paktën për aq sa është ekspozuar në sy të publikut. Por, është shfaqur një tjetër precedent i rrallë, që tejkalon edhe pasionin e pazakontë të pediatres së njohur, e cila në pak vite, duke kostuar rëndë financiarisht dhe fizikisht solli një pasuri të vyer të trashëgimisë së kostumografisë shqiptare, është vepra e Luljeta Danos me zbulimet e saj të rralla në një fushë, ku nuk mund të pranohet as përqindja më e vogël e profanizimit: O je, o nuk je! Shkruan prof. as. Agim Bido në oponencën e tij me titull “Unë-xhubleta & Luljeta-në veprim”: Nuk u xhelozova se ajo pati hyrë në lëmin tim të parapëlqyer të punës shkencore dhe botuese. Në fakt, Bido do të kishte të drejtë edhe nëse do xhelozohej, sepse vepra e Danos është tregues i një kurajoje të pazakontë, teksa “ka futur hundët” në një prej fushave më të vështira të trashëgimisë kulturore, jo thjesht për të rrëfyer një eksperiencë vetjake, por për të zbuluar se ç‘fshihet pas fijeve, qëndismave, ornamenteve e figurinave të xhubletës shqiptare. Kur themi eksperiencë vetjake, kemi parasysh një fond të saj të pasur privat me xhubleta e veshje tradicionale të Malësisë së Veriut. Por, vepra e saj nuk është ndalur te ky tregues, që tek e fundit mund të mbetet vetëm pjesë e krenarisë së saj personale. Ekspozimin e fondit privat në vepër, ajo e ka paraprirë nga zbërthime detajesh dhe përqasje faktesh e treguesish, duke krijuar një “pasaportë” të re të xhubletës së femrës malësore shqiptare, të patrajtuar aq thellësisht e imtësisht deri më sot, ose të paktën nga kahja që e ka parë autorja. Duke u pozicionuar si start te fakti i pranuar shkencërisht dhe botërisht (me këtë të fundit merren në konsideratë studimet e të huajve), se xhubleta shqiptare është katër mijëvjeçare, një moshë e pakonkurrueshme deri më sot, autorja endet në ca rrugë të pashkelura për te vendorigjina e “shpirtit” të xhubletës, pas kohëmoshës, të cilën e përfshin në funksion të zbulimit. Këtë të fundit e saktëson që në titull. Pra, bëhet fjalë për Athinanë, atë që njihet si perëndesha Athina, me disa atribute në mitologjinë greke. Shkurt, në xhubletën katër mijëvjeçare të malësores së Veriut të Shqipërisë, gjendet miti i Athinasë, si dhe shumë përbërës të tjerë mitologjikë. E rralla dhe e pazakonta në këtë rast është se paralel me studimet dhe hulumtimet në katakombet gjuhësore, hapet dhe një udhë tjetër: ajo e zbulimeve në kulturën e rrallë të veshjes. Punimin e saj kurajoz, autorja e ka prezantuar për herë të parë në edicionin e kaluar të “Poetekës” në pranverë të 2007-ës, ndërsa si vepër të kompletuar e ka nxjerrë në botim kohët e fundit. Duke e pasur parasysh “fushën e minuar”, ku ka shkelur, autorja është treguar e përgjegjshme në veshjen mbrojtëse. Ajo është e përbërë nga dy aspekte: Pasuria referenciale me autorët më në zë në fushën e studimeve albanologjike, shqiptarë a të huaj qofshin dhe në njohjen e thellë të mitologjisë greke. Një aspekt i tretë është edhe njohja e thellë e universit jetësor në Malësinë e Veriut, nga ku autorja ka edhe origjinën. (përgatiti A.Beqiri)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *