Categories
Histori Të gjitha

Devolli apo Pirgu?! Historia e skelës mesjetare të Myzeqesë

Autorët : Ilirjan Gjika dhe Etnor Canaj

Do të ishte kjo kullë-fortesë, që do të ruhej në kujtesën popullore si “Kulla e Pirgut”.

E frekuentuar gjatë gjithë kohës nga popullsia vendase, për shkak të ekzistencës pranë saj kishës së Shën Marinës, kulti i së cilës përkujtohet çdo vit, gjatë stinës së verës. Mbi këtë bazë të dhënash do të kryheshin edhe studimet e specializuara në fund të viteve 70-të, të shekullit të kaluar, nga ana e arkeologut Neritan Ceka (Neritan Ceka. Pirgu i Myzeqesë. Monumentet historike në vendit tonë. Tiranë 1978. Fq 68-71). Pas publikimit të tyre në vitin 1978 në revistën studimore “Monumentet historike në vendit tone”, rrënojat e mbetura nga Kulla e Pirgut u shpallën vetëm një vit më vonë, si monument kulture

Ndryshe nga Spinarica fqinje që ndodhej më në jug, mbi lumin Vjosa, Devolli, kishte të tjera specifika. Së pari, edhe ai ishte një qytet-skelë, por në ndyshim nga “simotra” e tij, ai ishte zotërim privat, që u krijua për t’i shërbyer interesave ekonomike të familjes feudale të Matrëngëve. Dokumentat historike e përmendin, për herë të pare, atë në vitin 1308, si një skelë e rëndësishme e tregtimit të grurit (Acta Et Diplomata. II. 31). Fillimisht me emrin Devoll (Dievali apo Dievolo), i cili nuk ishte gjë tjetër veçse përdorim i emrit të lumit, pranë grykëderdhjes të të cilit ai u ngrit (Acta Albaniae.II. 319; 453).

Më pas, me ndërtimin pranë skelës sëtij edhe të kullës-fortesë, Pirgut (gr-Pirgos, shënimi im I. Gjika), përveç emrit të pare, Devoll, nisi të përdoret edhe emri i dytë, Pirg (Acta Albaniae II. 435, 570, 744, 787), “Turris Pirgi” (Acta Et diplomata. II. 540).

Do të ishte kjo kullë-fortesë, që do të ruhej në kujtesën popullore si “Kulla e Pirgut”.

E frekuentuar gjatë gjithë kohës nga popullsia vendase, për shkak të ekzistencës pranë saj kishës së Shën Marinës, kulti i së cilës përkujtohet çdo vit, gjatë stinës së verës.

Mbi këtë bazë të dhënash do të kryheshin edhe studimet e specializuara në fund të viteve 70-të, të shekullit të kaluar, nga ana e arkeologut Neritan Ceka (Neritan Ceka. Pirgu i Myzeqesë. Monumentet historike në vendit tonë. Tiranë 1978. Fq 68-71). Pas publikimit të tyre në vitin 1978 në revistën studimore “Monumentet historike në vendit tone”, rrënojat e mbetura nga Kulla e Pirgut u shpallën vetëm një vit më vonë, si monument kulture.

E vendosur sot pranë fshatit Dërnënas të Komunës Libofshë (Fier), Pirgu ndodhet 2-3 km larg nga deti përgjatë fushës, i braktisur gjithashtu prej kohësh edhe nga shtrati i dikurshëm i lumit. Kjo si duket vërtetohet edhe nga të dhënat e analeve të kohës, ku midis tyre një dokument venecian thekson se: “Kulla është në një distance të largët nga deti mbi një lumë” (Giuseppe Valentini. Acta Albaniaeveneta saeucolorum XIV et XV. Panormi: Tosini Mediolani: PIME Munchen. Trofenik 1967.Vol II. 403).

Ndërsa shumë vite pas studimit arkeologjik do të vinte edhe studimi dhe përshkrimi historik i bërë për Pirgun (Devollin). Në librin e tij “Nga paleologët te Muzakajt”, historiani i njohur, Pëllumb Xhufi, do t’i kushtonte faqe të tëra tregut bregdetar të Devollit, zotërimit të tij nga Matrënget dhe zotër të tjerë feudalë si konflikteve të shumtë për zotërimin e tij (P. Xhufi. Nga Paleologët te Muzakajt. Sh. B. 55. Tiranë 2009. Fq 36-37, 239, 305, 319-323).

Por një tjetër problem i rëndësishëm që duhet sqaruar është ai se mbi cilin lumë u ngrit skela e Devollit dhe kulla saj, Pirgu?.

A u ngritën ato mbi lumin Devoll, i cili atëherë rridhte veç Osumit, apo në një shtrat tjetër të përbashkët të tyre, si në rastin e Semanit të sotëm?

Këtë gjë si duket e kemi të vështirë që ta vërtetojmë. Sidoqoftë do të përpiqemi që të bëjmë një qasje rreth problemit.

Duhet theksuar se, një hipotezë interesante e hedhur vite më parë ishte ajo e inxhinier Ramazan Saraçit, i cili shkruante se, në antikitet Devolli ishte degë e lumit të Shkumbinit (Ramazan Xh. Saraçi. Lumenjtë e Shqipërisë. SH. B. Naim Frashëri. Tiranë.Fq 65). Ky mendim mund të jetë i drejtë sepse në itinerarët antikë të udhëtimit nuk “figuron” një lumë tjetër përveç Apsusit (Osumit apo Semanit të sotëm). P.sh njëri prej tyre, Tabela e Peuntingerit, rruga Apoloni-Dyrrah jepet me këto stacione: Apolonia XVI-Hapsum FlumenXVIII (lumi Aps)-Genesis Flumen (lumi Shkumbin)-Dyrrah XV. Më pas gjatë mesjetës, Devolli mund të jetë shkëputur nga Shkumbini dhe i vetëm ka rrjedhur në fushën e Myzeqesë duke u derdhur në pjesën jugore të lagunës së Karavastasë. Por nuk përjashtohet edhe mundësia që të dy lumenjtë (Devolli dhe Osumi) të kenë rrjedhur së bashku, në një shtrat të përbashkët, qysh gjatë antikitetit quhej Aps dhe gjatë mesjetës u quajt Devoll.

Po kështu edhe në një relacionin vendikas të vitit 1570, ku në përshkrimin e përgjithshëm që i bëhet Shqipërisë tregohet se, lumi kalonte në këtë zonë dhe derdhej pranë lagunës së Karavastasëë. “Prej kepit të Lagjit pastaj, duke shkuar gjashtë milje drejt jugut, gjendet gryka e lumit të Shkumbinit, i cili i ngjet më shumë një përroi sesa një lumi, sepse verës është i varfër për ujë dhe dimrit nuk ka më shumë se rreth tri këmbë e gjysmë te gryka. Dhe pastaj, prej këtij lumi deri te një tjetër që quhet i Pirgut, kurse të tjerë e quajnë Dies Kavastri (Karavastaja) fillon një bregore ranishte e mbushur me pyje dhe me vreshta. Dhe këta dy lumenj janë larg njëri prej tjetrit rreth 25 milje. Kjo brinjë është degë e një kënete, ose të themi liqeni, nga i cili lind lumi i Apolonisë, strehim dhe liman i fusteve të piratëve, dhe te gryka e kësaj Apolonie ka zakonisht ujë tri këmbë e gjysmë deri në katër” (Ljubiç-Starine 1880, kn. XII/193-200, cituar nga Akademia e Shkencave. Dokumenta të shekujve XVI-XVII për historinë e Shqipërisë. Tiranë 1989. Fq 276).

Kjo gjë vërtetohet nga dëshmitë e shumta të banorëve të fshatrave të sotëm si të Krutjes, ku kemi edhe emërtimet Lumth (fshat buzë superstradës Lushnje-Fier), Dellpranë Gradishtës fqinje, si dhe gjurmët e meandreve (kthesave) të lumit, që duket në të njëjtën zonë nëpërmjet vëzhgimit me anë të Satelit Mape.

Po kështu, ky fakt, na vërtetohet edhe nga hartat dhe portulanët perëndimorë. Kështu harta e Orteliusit e vitit 1609 na i paraqet Devollin dhe Osumin si dy lumenj që rrjedhin veç e veç mbi shtrate të ndryshme. Edhe harta e Merkatorit e vitit 1630 i paraqet po kështu ata. Ndërsa harta e Kantelit e vitit 1684 na i paraqet këta dy lumenj bashkuar në rrjedhën e poshtme në një shtrat të përbashkët, njëlloj si Semani i sotëm. Gjithsesi të dhënat dokumentare mungojnë në këtë rast dhe dëshmitë më të vjetra ti kemi në fillim të shekullit të XIX-të.


Harta e Kantelit (Giacomo Cantelli) e vitit 1687

Atona e jep përfaqwsuesi konsullor i Britanisë në Janinë, koloneli Uilliam Martin Lik. “Uzumi”, shkruan ai, “menjëherë pas hyrjes në fushë, bën një kthesë në të majtë dhe pastaj merr Devollin, jo shumë larg nga vendi ku ky i fundit del nga një grykë e ngushtë në malet në drejtim të lindjes” (William Martin Leake. Travels in Northern Greece. Vol I. London. J. Rodwell, New Bond Street 1845. F 160-361).

Ndërkohë që Liku na jep edhe emrin tjetër të rrjedhës së përbashkët së lumit, Beratino, i cili është sipas tij Apsusi antik ( Po aty. F 336). Ndërsa emri Seman për rrjedhën e bashkuar të Devollit dhe Osumit, duhet të jetë përdorur nga fundi i shekullit të XIX-të.

Kështu Sami Frashëri tek “Fjalori i Përgjithshëm i Historisë dhe Gjeografisë”, botuar midis viteve 1889-1898, shkruan se: “Semani ose Ergjendi që përbëhet prej dy degësh: Prej lumit të Beratit që buron nga mali i Gramosit dhe prej Devollit që buron nga shpatet veriore të po këtij mali. Të dy këta lumenj të bashkuar përshkojnë fushën e Myzeqesë” (Sami Frashëri. Vepra II. Tiranë 1988. Fq 251). Por në histori për herë të parë lumi i Devollit, në trajtën “Potamos Deabolis” (Alexias. LXII. 2), përmendet nga Ana Komnena tek Aleksiada e saj, kur përshkruan luftimet normano-bizantine të viteve 1107-1108.

“Qyteti i Mylit që ndodhej mbi lumin Deabol”, thekson ajo në një tjetër pasazh të “Aleksiadës” (Alexias. XIII. 5). Ndërsa tek punimi i tij “Vlora në Mesjetë” historiani Kostandin Jireçek thotë diku: “Mbasandej vjen menjëherë gryka e Semanit, i cili në pjesën e epër quhet Devoll”.

Ndërsa në një pasazh tjetër pak më poshtë ai thekson se: “Semani asht Apsos-i i lashte. Në mesjetë gjith lumi nga burimi gjer te gryka quhej Devol ose Djavol ( Kostandin Jireçek. Vlora në mesjetë. Vëzhgime Iliro-Shqiptare. Camaj-Pipa.Shkodër 2004. Fq 129).

E çuditshme është se në regjistrin turk të Sanxhakut Shqiptar të vitit 1431 Devolli nuk përmendet si vendbanim, ndërkohë që jepen të dhëna vetëm për fshatrat pranë tij si: Libofshe, Petove dhe Vanaj ( Kopja e regjistrit kadastror të sanxhakut të Beratit. Muzeu Berat. Indeksi III. Dosja I. shkëputur nga H. Inalcik. “Suret-i defter-i sancak-i Arvanid”, Ankara 1954).

Ndërsa nga dëshmitë e fundit përmendim atë të vitit 1451, në traktatin e nënshkruar midis mbretit Alfons i V-të, të Napolit dhe princit shqiptar Gjergj Arianitit, në të cilin thuhet se:

“Gjithashtu të dy palët kanë rënë në ujdi që vendi nga Berati duke perfshire Greqi e Myzeqe deri tek një lumë që quhet Devoll, ti jepen madhërisë se tij dhe vendi përtej Devollit ti jepet Arianitit” (J. Radoniç. “Gjuragj Kastriot Skënderbeg i Arbanija u XV veku”, Beograd 1942. F. 48).


Harta e D.A.Hauer e vitit 1770 

Duket se Devolli si qytet skelë dhe më vonë Pirgu (kulla) i (e) Devollit (Pirgo de Dievali) u krijuan nga Matrëngët për ti shërbyer interesave të tyre ekonomike. Që këtu eksportoheshin për në perëndim, kryesisht në Raguzë dhe Venecia artikuj të tillë të prodhimit vendas si Grurë, kripë, bagëti, lëkurë, lëndë drusore, dyll, dhe imporoheshin cohëra, metale, artikuj luksi, etj. Do të ishte e para Raguza që vendos në marrëveshje me Matrëngët përfaqësuesin e saj tregtar në Devoll, “Sindikun” (Acta Albaniae. 132; 145). Pranë skeles ungrit edhe qyteza dhe dogana. Në këtë qytezë banonin dhe strehoheshin tregtarët, detarët si dhe ndodhej rrjeti i shërbimeve. Për nevoja të kultit u ngrit edhe kasha e Shën Marinës, pavarësisht se sot ekziston në formë rrënoje, kulti i të cilës vazhdon të nderohet nga banorët vendas.

Duket se qyteza e Pirgut apo Devollit kishte luajtur një rol të rëndësishëm për kohën sa edhe të dhënat e mëvonshme për të na e krijojnë një ide të tillë.

Imzot Vincenzo Annovazzi, Kryepeshkop i Ikonios, shkruan në mesin e shekullit të XIX-të se: “..Pirgasit, ende tani banorë në një bregdet të Shqipërise, larg dy lega prej detit dhe dymbedhjetë prej Durresit, kryesonte atje një qytet të quajtur Pirgo, ose me saktë Pergo si dhe Apollonia (shih Maty, Moreri dhe te tjere), ngritur më vonë në Kryepeshkopatë…”

Ndërsa kmë poshtëi njëjti autor shton se: “Në vitin 1846, kishte titullin në pjesën e Kryepeshkopatës së Pirgut Imzot Balussi, (Balussi eshte thjesht nje korruptim i Belushi , ndoshta një kryepeshkop shqiptar, ose me e shumta arberesh që më pas e ndeshim Kardinal), (Imzot Vincenzo Annovazzi. Storia di Civitavecchia dalla sua origine fino all’anno 1848. Roma 1853. f. 4)

Ose një e dhënë tjetër për “shkëlqimin” e dikurshëm të kësaj skele është edhe e dhëna që na vjen nga Britania e Madhe, sipas së cilës: “Pirgo, ose Pirgos, një qytet i vogel i Turqise Europiane, në Shqipëri, që gjendet në bregdet, pranë grykëderdhjes së lumit Chervesta (Kervesta-Karavasta, shënimi im E. Canaj). Thuhet që u ndërtua në sitin e Apollonisë së lashtë, 26 milie në jug nga ana lindore e Durrësit dhe 28 prej veriut të Vlorës” (The Edinburgh Gazetteer, Or Geographical Dictionary …, Vol. 5. 1822.f.51).

Ndërkohë Matrëngët që zotëronin të gjithë trevën që nga viti 1297 (Acta Albaniae. I 528) ngritën skelën për të shtuar të ardhurat e tyre nga tregtia e jashtëme fitimprurëse si dhe kullën-fortesë për të vendosur një garnizon të vogël ushtarak që ta mbronte atë.

Ndoshta themelues i Devollit mund të ketë qenë Bardh Matrënga, i cili dokumentohet si një ndër zotërit feudalë nga më të njohurit e kohës, në fund të shekullit XIII-të dhe fillimin e shekullit të XIV-të. Më pas skela lumore ka qenë nën zotërimin e Pal Matrëngës dhe të Vlashit.Në vitin 1360, Vlash Matrënga konsiderohej jo vetëm si zot i Dievalit por vendos në të edhe rezidencën e tij ( Acta albaniae. II. 145).

Këtë e vërteton edhe një dokument raguzian, i cili na tregon për dhurata që republika e Raguzës i bën sundimtarit të Dievalit, Vlash Matrëngës ( Acta Albaniae. II. 145).

Por më pas historia “rezervon” zhvillime të tjera Devollit, të “denja” për shoqërinë feudale.

Dhe konkretisht i kapur rob nga Balshajt, sevastokratori Vlash Matrënga u detyrua që tja dorëzonte skelën këtyre të fundit, të cilët nuk e mbajtën për shumë kohë (Mario Orbini. Il Regno degli Slavi. G. Concordia.Pesaro 1601. F 121).

Kjo ngjarje mund të ketë ndodhur midis viteve 1367-1370, sepse në vitin 1371 Devolli bie nën zotërimin e Muzakajve (Acta Albaniae. II. 319). Ndërkohë që në vitin 1380, Balshajt, do ta rimarin përsëri qytetin-skelë. Ndërsa pas vrasjes së Balshës II-të, në betejën e Savrës në 18 shtator 1835, Devolli i kaloi nën zoterim të shoqes së tij, Komita Muzakës.

E vënë disa herë nën kërcënimin e turqve, Komita, do të tentojë dhe do t’ja vërë në shërbim Venedikut, skelën, për ta shfrytëzuar nga pikpamja tregtare (Acta Et Diplomata. II. 540).

Ja se ç’thuhet në dokumentin e mësipërm për këtë veprim të saj: “Pasi ka shumë ditë që ndodhet këtu (Venecia), një peshkop i Shqipërisë, ambasador i zonjës së Vlorës (Komitës), i cili thotë se kjo zone e është e kënaqur dhe e gatshme të japë vendet e veta që janë katër d.m.th Vlorën (Avalona), Janinën (Kaninën), Himarën (Cimera), Kullën e Pirgut (Turis Pirgi)”.

Por kur gjërat dukeshin sikur funksiononin në rregull shfaqen përsëri Muzakajt. Tani konflikti zhvillohet brenda familjes. Do të jetë Nikolla Muzaka, kushëriri i Komitës, i cili do ja marrë Venedikut qytetin-skelë dhe do të “forcojë”, pra do të fortifikojë kullën (Acta Albaniae. I. 245). Nderkohë që nuk do të vonojë shumë, vetëm disa muaj dhe Komita do t’i shpallë luftë Nikollës dhe do ta kapë rob duke i rimarrë Devollin, por jo Kullën-Fortesë (Pirgun), të cilin njerëzit e Nikollës e dorëzuan me ndërmjetësinë e Venedikut.

Ja seç thuhet në një dokument të kohës për këtë rast: “Në 30 gusht të vitit 1390, Senati (Venecian, shënimi im E. Canaj) premton të rikthejë kështjellën e Pirgut (mbi Devoll) nëse ajo do të liroje Nikollë Muzakën, i cili e mbante më pare dhe do paguhen shpenzimet prej venedikasve per mirëmbajtjen…( Studi veneziani . Vol VIII.1967. F 211).

Por pavarësisht shfrytëzimit ekonomik nga ana e venedikut të skelës, si pronësi ajo ishte përsëri nën Despotatin e Vlorës, i cili në periudhën e fundit u drejtua me radhë nga Komita (1385-1396), dhëndëri i saj Merksha Zharkoviç ( 1396-1415) dhe e bija, Rugina (1415-1417).

Ndërsa në fund në vitin 1417, Devolli, ra nën sundimin turk dhe bashkë me të për shkaqe natyrore apo shoqërore erdhi edhe fundi i tij. Si duket edhe Muzakajt që e rimorën në vitin 1443 apo Gjergj Arianiti që e trashëgoi si prikë nga martesa me Maria Muzakën, nuk kishin mundësinë që ta miradministronin atë në gjatë kohës së shkurtër të luftës me turqit. Pas traktatit të Alfonsit të V-të me Gjergj Arianitin në vitin 1451 ai nuk përmendet më perveç hartave dhe portulanëve perëndimorë, të cilët vijonin të paraqisnin të dhënat e vjetra të kohës së mesjetës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *