Sot anembarë botës ku ka shqiptarë, ka nisur festa e 105 vjetorit të pavarësisë. Në nder të kësaj dite të shënuar për çdo shqiptar rreth e rreth botës, po botojmë fjalën e Ismail Qemalit të mbajtur më 28 Nëntor 1912 në Mitingun e Madh në Vlorë.
Fjalimi i plotë nga Ismail Qemali në ditën e shpalljes së pavarësisë
Oh! Sa të lumtur që e ndiej vehten sot, që shoh, këtu në Vlorë, kaqë burra Shqipëtarë të mbledhur tok, tuke pritur me kureshti e padurim përfundimin e kësaj mbledhjeje historike, për fatin e Atdheut tonë të dashur.
Plot me gaz e me lot ndër sy, nga mallëngjimi, pra, po dal këtu para jush që t’ju gëzoj me sihariqin e madh, se sot, edhe këtë minutë, Kongresi çpalli mëvehtësinë e Shqipërisë, tuke lajmëruar gjithë botën mbarë për këtë punë e duke më ngarkuar mua kryesin’ e qeveris së përkohshme të Shqipërisë së lirë.
Porsi ëndër më duket ky ndryshim i madh i vendit t’onë, që hoqi e voi të zezat e të lirit pesëqind vjet me radhë ndënë sundimin turk, por që tani në kohët e fundit, ishte gati të jepte shpirtin përgjithënjë, të shuhej e të çfarrosej krejtësisht nga faqia e dheut, këjo Shqipëri, që, dikur, shkëlqente nga trimërija e pashoqe e bijve të saj; kjo Shqipëri, që kur i kërcënohej rreziku Europës nga pushtimet e Turqisë, ndënë kryetrimin e pavdekur të saj, Skënderbejnë, u bë porta e hekurtë kundra sulmeve më të tërbuara të sulltanëve më t’egër që ka pas Turqija.
Mirëpo, desh Zoti, që me punën, me trimërinë dhe guximin e pashoq të Shqipëtarëvet, sot e tutje të marrin fund mjerimet dhe vuajtjet e Atdheut t’onë, sepse, këtu e kështu, jemi të LIRË të PAVARUR dhe MËVEHTE, prandaj: qeshni e gëzoni!
Për t’ia arrijtur kësaj dite të bardhë e të madhe, na ka ndihmuar gjaku i dëshmorëvet dhe puna e vlefshme e patriotëve t’anë dhe e të gjithë shokëve që muarrnë pjesë në këtë mbledhje dhe e të gjithë juve, që tani po ju gufon zemëra nga gazi i madh që ndieni; mirëpo mbledhja si më plak që jam, m’a ngarkoi mua Ngritjen e shënjtë të shënjës t’onë Kombëtare, të flamurit t’onë të ëndërruar e të dashur (nxjerr Flamurin, të cilin e ka të vendosur në një shtizë hekuri, natyrisht të vogël, dhe të pshehur nën pallto dhe passi e mba një sekondë në dorë e ngul në shtyllat e ballkonit. Shqiptarët, posa e shohin Flamurin thërrasin me gëzim e me zë të lartë: Rroftë Flamuri, Rroftë Shqipërija e Lirë).
Ja, pra, ky është Flamuri Ynë i kuq e me shqiponjën dykrenare të zezë në mest.
Dhe tani, të gjithë bashkë, si një trup i tërë dhe i pandarë, le të punojmë për t’a mburuar, për t’a përparuar e për t’a qytetëruar si i ka hije Atdhenë t’onë të Lirë.
Tuke përfunduar, s’më mbetet gjë, veçse t’i drejtoj një lutje Zotit të Madh, që, bashkë me bekimet e Tij që i lipij të na japë për të qenë të denjë të kësaj dite, të pranojë që këtej e tutje të jem unë dëshmori më i parë i Atdheut, ashtu siç pata nderin dhe fatin që të jem i pari ta puth e ta bëj të valvitet i Lirë.
Flamuri i ynë, n’atdhenë t’onë të lirë.
Rroftë Flamuri!
Rroftë Shqipërija!
Ky fjalim gjendet në librin “Ata që shpallën Pavarësinë Kombëtare” me autor Bardhosh Gaçe (Shtëpia Botuese: “TOENA”. Faqet e librit 416), një libër me karakter enciklopedik që ndriçon një nga momentet më të rëndësishme të historisë shqiptare, Kuvendin e Vlorës, më 28 nëntor 1912, dhe ngritjen e flamurit kombëtar.
Nëpërmjet dokumenteve, dorëshkrimeve të delegatëve të huaj, krijohet tabloja historike e veprimtarisë së Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, 1912-1914, në ndërtimin e shtetit të ri shqiptar, si dhe mbrojtjen e trojeve shqiptare nga synimet e monarkive të Ballkanit për copëtimin e tyre.
Në faqet e këtij botimi do të gjeni edhe kujtimet e disa prej atyre që ishin protagonistë në shpalljen e Pavarësisë Kombëtare, në gjurmët e flamurit dhe të himnit kombëtar.