Lojërat e realitetit virtual po përhapen në mbarë Kinën, duke tërhequr gjithmonë e më shumë lojtarë të rinj, e duke u kthyer ndërkohë edhe në një test nëse teknologjia e kushtueshme mund t’ia kalojë asaj të zakonshmes.
Chen Jiuxiao vendos syzet e posaçme, që e zhvendosin në këtë realitet dhe menjëherë transportohet në një shpat mali të mbuluar me borë, ku mund të bëjë ski pa e lënë kurrë Shangain.
“Ndjesia e përjetuar ishte saktësisht ajo e skive në mal. Pamja përreth meje ishte aq autentike”, tha Chen, 25 vjeç.
Chen, e cila punon në sektorin e shërbimeve, vendosi ta provonte këtë aventurë pasi i shkau goja gjatë një bisede me miqtë e saj të pasionuar pas teknologjisë. E – siç thotë, – nuk është penduar aspak.
Kina kishte në vitin 2016 rreth 3.000 lojëra që zhvillohen në një ambient të simuluar, e tregu i tyre pritet të rritet 13 herë më shumë deri në vitin 2022-shin, duke mbërritur në shumën e 782 milionë dollarëve.
Me dhjetëra miliona kinezë janë kthyer praktikisht në lojtarë të fiksuar pas videolojërave, duke ngjallur shqetësimin se po rriten breza të rinjsh miopë e të varur nga lojërat e luftës.