Categories
Lajme

Grabitja e Rinasit makina u modifikua në Elbasan, një femër ndihmoi autorët

Në vazhdën e përpjekjeve intensive për të zbardhur grabitjen e 9 prillit 2019 në aeroportin e Rinasit, prokurorët dhe grupi i hetimit, kanë dyshime të forta se automjeti që u përdor nga grabitësit, është modifikuar në një pikë servisi në një lagje shumë të njohur të qytetit të Elbasanit.

Për këtë arsye, autoritetet kanë vendosur nën hetim dhe kanë marrë në pyetje një shtetas nga qyteti i Elbasanit, për të dhënë identitetin e personave që i kishin kërkuar të modifikonte mjetin tip Wolksvagen dhe për të vënë mbishkrimin “Hetimi Tatimor”.

Ky person është pyetur nga grupi i hetimit, por nuk ka ende të dhëna konkrete, përderisa hetimi për këtë grabitje konsiderohet “Top Secret”.

një tjetër person nën hetim është edhe kushëriri i një të shumëkërkuari për disa krime të ndodhura në vendin tonë, por edhe jashtë. Hetuesve u ka dhënë “oksigjen” zbulimi i dhjetëra gjurmëve në automjetin të cilin grabitësit nuk e dogjën dot gjatë grabitjes së 9 prillit të këtij viti, por edhe sekuestrimi i dhjetëra kamerave të sigurisë, të cilat janë zbardhur në laboratorin e kriminalistikës.

Mes të hetuarve nuk përjashtohet edhe përfshirja e një femre, e cila ka pasur një rol ndihmës për bashkëpunëtorët dhe grabitësit e dhunshëm të aeroportit më 9 Prill.

Hetimi për këtë grabitje, ka detyruar hetuesit që të hapin dosjet e vjetra, për të bërë portretin dhe mënyrën se si vepronin disa grabitës në vendin tonë, përderisa edhe grabitësit në Rinas, kanë tipare të dhunshme. Aq më tepër, që në këtë ngjarje ishte i përfshirë edhe i shumëkërkuari Admir Murataj, i cili mbeti i vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit me forcat e policisë.

Prokuroria e Krimeve të Rënda thotë në rrugë jo zyrtare, se ka përfunduar sekuestrimin e dhjetëra dokumenteve pranë TIA-s dhe ICTS-së dhe pritet që në javën në vazhdim të nisë marrjen në pyetje të shumë prej këtyre punonjësve.

Megjithëse prokuroria dhe policia gjatë kësaj jave kanë dalë vetëm me një njoftim zyrtar për grabitjen e bujshme të Rinasit, duket se sekreti hetimor nuk do t’i mbulojë gjatë me mjegull veprimet e prokurorëve dhe policisë, të cilët vazhdojnë edhe këtë ditë pushimi, të kryejnë veprime hetimore për ngjarjen.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *