Categories
Lajme

Kosovë-Shqipëri, tarifat e “Roaming”-ut ulen nga data 15 qershor

Zvogëlimi i tarifave të “Roaming”-ut në telekomunikim mes Kosovës dhe Shqipërisë do të fillojë të aplikohet më 15 qershor të këtij viti, siç njoftoi Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare i Kosovës (ARKEP).

“Kosova dhe Shqipëria kanë rënë dakord që procesi i reduktimit të tarifave të fillojë nga data 15 qershor 2019, fillimisht nëpërmjet aplikimit të modelit RLAH+, reduktim i cili do të sjellë efekte pozitive të menjëhershme te qytetarët e të dyja vendeve, pasi do të ketë zvogëlim rreth 90 për qind nga kostoja aktuale e përdorimit të telefonisë në roaming”, thuhet në njoftim.

Sipas ARKEP-it, heqja e plotë e tarifave “Roaming” për qytetarët e dyja vendeve do të bëhet nga 1 korriku i vitit 2021. Heqjen e tarifave të telekomunikimit për vendet e Ballkanit Perëndimor e ka kërkuar Bashkimi Europian, si formë lehtësimi për komunikimet ndërmjet qytetarëve.

Tarifa e “Roaming”-ut nënkupton telekomunikimin dhe shërbimin që qytetarët përdorin në një shtet tjetër, nga një qendër e operatorit të telefonisë mobile. Këto tarifa janë kryesisht dyfish më të larta sesa ato që përdoren për telekomunikim brenda një shteti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *