Categories
Kulturë Të gjitha

Çfarë është Iso-Polifonia

Iso këndohet nga kori i këngëtarëve. Zakonisht është zëri i tretë në këngën polifonike toske dhe zëri i tretë ose i katërt në këngën polifonike labe.

Fakt është që në popullsinë e trevave iso-polifonike, krahas fjalës Iso përdoren edhe nje varg emërtimesh të tjera, si: grupi që “mban zë”, që “i mbushin” (mbushësit), që “zien”, “mbajnë e”, mbajnë Kaba” etj. Tek “Fjalor i Gjuhës së sotme shqipe”,  Tiranë 1980 kemi: ISO,~Ja f. 1. Zë i njëtrajtshëm, që zgjatet pa u ndryshuar dhe që shoqëron e mbeshtet zërat kryesore në një këngë me shumë zëra a një melodi. Iso e fortë (e gjatë, e ngadalshme). Isoja labe (myzeqare). Isoja e burrave (e grave, e të rnjve). Kënge me iso. Iso, more djema, iso! Këndojme (ia marrim) me iso. Mbaj (bëj) iso me zë (me fyell);  tek “Fjalori Enciklopedik Shqiptar”, Tiranë 1985 kemi: tingull i zgjatur që mbahet nga një ose më shumë veta gjatë shoqërimit të këngëve polifonike me 3 dhe 4 zëra. Për të arritur në një përcaktim sa më real rreth isos është deri diku e vështirë pasi rreth saj ekzistojnë me të drejtë interpretime të ndryshme. Nuk dihet se kur fjala iso u përdor për herë të parë për të karakterizuar korrin e këngëtarëve që “mbajnë zënë”, por ka shumë mundësi që ajo si terminologji e përdorur nga vetë populli në muzikën polifonike jugore, të mos jetë më e vjetër se 200-300 vjet. Me sa kemi vënë re, ende sot në disa zona të konservuara të muzikës polifonike jugore, fjala “iso” ose nuk gjendet dendur  ose përdoret krahas të tjerave fjalë që shërbejnë për të karakterizuar fenomenin e zërave të mbajtur gjatë nga korri i këngëtarëve. Në këto vende ideale për të konstatuar fenomenin e polifonisë kanë qënë përdorur dhe ende përdoren fjalë formimet tipike shqiptare për të karakterizuar këtë dukuri shumë të rëndësishme të polifonisë sonë popullore. Ndër këto forma përmendim: “ja mbush”, “mbajnë zënë”, “bëjmë e”, “mbajmë kaba”, “mbajmë avaz”, “ziejmë”. Theksojmë ekzistencën e këtyre varianteve në përcaktimin e kësaj dukurie, për faktin se fillimisht fjala “iso” në praktikën popullore nuk kishte fituar këtë kuptim, që me kalimin e kohës më pas e gjejmë të shkrirë në një të vetme tek kjo fjalë simbol. Ka shumë mundësi që fjala “iso”, të jetë ndihmuar në përhapjen e saj nga formacionet e sazeve popullore në gjysmën e dytë të shek. XIX, fillimi i shek. XX. Nga vështrimet e hollësishme mbi të, Isoja si koncept në muzikën popullore, në vetvete fsheh një strukturë të tërë e cila lidhet sa me prejardhjen e polifonisë por dhe kodin gjenetik të shqiptarëve. Iso-koncepti është një “extra musical sound”,  i cili si i tillë ngelet fenomeni më i pa kontestueshëm i strukturës sonë gjenetiko-muzikore. Ajo nuk është kursesi një tingull i temperuar, sepse asnjëherë nuk ka qënë parakuptuar për të funksionuar si  i tillë. Isoja mban shumë ndërthurje zërash rreth një qëndre e cila në tërësi përcaktohet si një notë e caktuar . Mënyra sesi kjo cluster-tonikë “popullore” identifikohet në intonacionin e saj është një problem tjetër, por Isoja brenda një cluster zërash mbi një notë fsheh “para projektimin grafik” të polifonisë. Njeri prej kapitujve të romanit “Koncert në fund të dimrit” të Ismail Kadaresë mban titullin “Iso për të gjitha pjesët”.

Çfarë është Iso-Polifonia:

 Iso-polifonia shqiptare është realisht një ndër supervlerat e folklorit muzikor shqiptar por dhe të traditës botërore folklorike në përgjithësi. Struktura e ndërtimit të shumëzërëshit polifonik, lab apo tosk, është shprehje e drejtpërdrejtë e unitetit gjenetik të llojit. 
Në Toskëri shumëzërëshin e gjejmë me këtë organizim strukturor:

      Zëri I  -“ia hedh”-hedhësi ose marrësi               
      Zëri II -“ia pret”-pritësi
      Zëri III-“mbajnë zënë” -iso

Në Labëri:

(tre zërëshi)      
      Zëri I-“ia merr”-marrësi
      Zëri II-“ia kthen”-kthyesi
      Zëri III-“ia mbush”-mbushësat-iso 

(katër zërëshi)
      Zëri I-“ia merr”-marrësi
      Zëri II-“ia kthen”-kthyesi
      Zëri III-“ia hedh”-hedhësi
      Zëri IV-“ia mbush”-mbushësat-iso

Prej praktikës qindra shekullore janë ndërtuar formulat e mësipërme të cilar shprehin në thelb strukturën e iso-polifonisë popullore, ajo e cila ngërthen në një të vetëm tiparet e veçanta të zërave të tjerë, përbërës të shumëzërëshit.

Zonat e Iso-Polifonisë:

Përsa i përket shtrirjes gjeografike të Labërisë, sipas Çabej: me këtë emër quhet ajo pjesë tokë jugperëndimore, kufiri i së cilës fillon te katundi Lazarat në jugë të Gjirokastrës. Kufiri lindor shkon prej Lazaratit për së gjati Malit të Gjerë dhe pjesës jugore të Malit të Picarit gjer në Tepelenë. Kështu vazhdon në perëndim të Vjosës kurse në të djathtë të lumit shtrihet vendi toskë në kuptimin e vërtetë të ngushtë të fjalës. Kufiri zë në veri katundin Mesaplik afër Vlorës dhe vazhdon gjatë një vije ideale që shkon prej Mesaplikut në Kudhësin e afërm; kufirin perëndimor e përbën deti. Zonat kryesore etnografike që përbëjnë Labërinë janë Kurveleshi, Mesapliku, Drashovica, Topalltia, Treblova, Gorishti, Kudhësi, Lopësi, Kardhiqi, Rrëzoma, Bregdeti, Dukati. Labçe këndohet gjithashtu në Zagorie, Lunxhëri, Malëshovë, Rrëzë e Tepelenës, Dragot, Kras, Izvor, Buz, Mallakastër, zona të cilat mund t’i konsiderojmë si rrethinat të Labërisë. Popullsia labe, nëndahet në “labë kristianë” (Rrëza e Tepelenës, Zagoria, Bregu i detit) dhe në “labë muhamedanë” (blloku qëndror i popullsisë). Në këndvështrimin e sotëm të ndarjes së mirëfilltë administrative, në Labëri bëjnë pjesë rrethet e Vlorës, Sarandës, Delvinës, Gjirokastrës, Tepelenës, Mallakastrës. Lidhur me iso-polifoninë labe ekzistojnë mënyra të ndryshme të portretizimit dhe të shpjegimit muzikor të saj. Vetë të kënduarit polifonik nga populli konsiderohet misterioz dhe instiktiv, e në përgjithësi si një dukuri që mbart brenda reflekset e natyrës, zërat e natës e ato të tokës së Labërisë. Sipas Çabej: përshtypja që del prej polifonisë labe është mall i ashpër dhe shpirt heroik. Ky qëndrim popullor është përmendur edhe më përpara në punime të ndryshme kur thuhet se në këngët e malësorëvet, sidomos në jugë janë ruajtur akoma elemente të jetës baritore, imitim i këmborëve dhe i oshëtimave të natyrës. Po sipas traditës popullore, dikur thuhej se ka ekzistuar edhe një mënyrë e të kënduarit të iso-polifonisë, i kënduari natën, në kohën kur mbushej ujë në pus, apo për punëra të tjera. Për këtë në Labëri mendojnë se nata e kullon këngën, pasi të kënduarit natën dhe kënga e natës nuk ka mision. Rëndom në Labëri thuhet se ka “polifoni të thatë”, e cila nënkupton polifoninë që këndohet në mal, si dhe “polifoninë e detit”. Kjo është vënë re edhe nga Çabej kur thotë se katundet e Vlorës bashkohen me Himarën në këtë që këndojnë më shumë si me të shtyra, me hove, në mënyrë dallgash. Dugati me melodit’ e tija thellëkumbuese, Kurveleshi, Delvina, Gjinokastra, Lunxhëria e të tjera janë po aq qëndra ngjyrash lokale të këngëve labe. Iso-polifoninë e konstatojmë kryesisht tek burrat por edhe tek gratë, si dhe gati në të gjitha llojet e gjinive, duke filluar nga krijimet muzikore-poetiko me ngarkesë mitologjike e rituale, vallet, baladat e këngët historike, lirike, të dashurisë, të kurbetit, vajet, bejtet, etj,. Polifoninë e gjejmë edhe tek veglat muzikore, veçanërisht tek ato që janë polifonike qysh në ndërtim, si p.sh tek culadyjare. Në polifoni është kënduar në dasma, vaje, festa të ndryshme, përpara dhe pas betejave, në natyrë, etj. Së fundi, të gjithë e dinë se kur bëhen bashkë dy lebër nisin dhe këndojnë. Katalogu i disa këngëve popullore shqiptare regjistruar tek “ODEONI” në vitet 1930-1940.

Iso polifonia dy zërëshe:

E konsideruar si forma më e thjeshtë e polifonisë shqiptare, iso-polifonia 2 zërëshe është e përhapur në të gjithë jugun e Shqipërisë. Iso-polifoninë dy zërëshe (marrje dhe prerje) e hasim si tek gratë ashtu edhe tek burrat. Përhapja gjeografike prek pa dallim pothuajse të gjithë hapësirën gjeografike të përfshirë në Toskëri dhe në Labëri si rrethet e Korçës, Librazhdit, Pogradecit, Kolonjës, Fierit, Shpatin e sipërm të Elbasanit, Myzeqenë bregdetare, Myzeqenë e Vlorës, qytetin e Vlorës, lumi i Vlorës, fshatrat e Beratit, Mallakastër, Gjirokastër-qytet, Lunxhëri, etj. Është vëmë në dukje se polifoni me dy zëra e dy këngëtarëve këndohet, kryesisht nga gra të qytetit të Gjirokastrës, burra të fshatit Dukat të rrethit të Vlorës. Lidhur me këndimin e veçantë të dyzërëshit nga Dukati, mendohet se ndeshet më rrallë dhe ka një shtrirje hapësinore dhe gjinore më të kufizuar. E ndeshim këtë mënyrë ekzekutimi vetëm nga dy individë, te gratë shqiptare të Maqedonisë të zonave të Dollit, Zajazit, Kërçovës, Tetovës, etj., në Labëri vetëm në fshatin Dukat të rrethit të Vlorës dhe të ekzekutuar vetëm nga burrat, ndërsa në Toskëri në disa fshatra të Myzeqesë bregdetare dhe kryesisht në brezin e grave të reja. E ndeshim këtë lloj dyzërëshi edhe në Arbëreshët e Kalabrisë ku ka një përhapje dhe një përdorim të gjerë edhe sot e kësaj dite. Sipas opinionit të Lorenc Antonit këngët dy zërëshe të Kërçovës do të jenë krijuar ndoshta të frymëzuara prej të kënduarit shumëzërësh të toskëve fqinjë. Megjithëse janë bërë lloj-lloj klasifikimesh duke u ndarë në variante të shumta, iso-polifonia dy zërëshe mbart në përgjithësi marrëdhëniet ndërmjet marrësit dhe prerësit, tipar thelbësor ky i iso-polifonisë jugore, si në Toskëri dhe në Labëri, pavarësisht sasisë së njerëzve në interpretimin e saj. E rëndësishme të theksohet është se si tip qëndror është dy zërëshi me ison e fshehur përgjatë zhvillimit melodik të zërave. Për mendimin tim, dy zërëshi në përgjithësi nuk duhet konsideruar si një stad i parë i shumëzërëshit polifonik. Theksoj faktin se sipas meje iso-polifonia nuk ka patur ndonjë zhvillim historik në formimin e tipareve të saj me dy, tre apo katër zëra por gjithmonë ka funksionuar si një lëndë e përbashkët e cila ka qënë thërmuar në këto trajta të klasifikuara si të tilla. Prandaj dy zërëshi iso-polifonik në dukje është një dyzërësh, por nga funksionet që kryen është një “tre zërësh i fshehur”, i “reduktuar” në dy zëra. Ajo ç’ka tjetër duhet thënë është e lidhur me faktin se nuk mund të ketë klasifikime të dyzërëshit nisur vetëm nga konstatime melodike, apo qoftë edhe nga preferencat ritmike të këngëve. Nuk mund të ketë dy zërësh jashtë konceptit të iso-pedalit, veçori e cila përfshin gati të gjitha format e ekzistencës së dy zërëshit në muzikën iso-polifonike jugore.

Iso polifonia tre zërëshe:

Iso-polifonia tre zërëshe është mbizotëruese në repertorin iso-polifonik popullor të fshatrave të Shqipërisë së Jugut, apo e njohur si iso-polifonia vokale, dhe ajo qytetare e shoqëruar me saze. Kjo është forma bazë e shfaqjes së polifonisë sonë, ku zërat janë të individualizuar jo vetëm në pikëpamje melodike, por ata kanë edhe përcaktimet e tyre kuptimplota për rolet që kryejnë. “Marrësi”, “prerësi” së bashku me ison, formojnë trion e përveçme të personazheve të polifonisë sonë vokale. Duhet theksuar se iso-polifonia tre zërëshe në pjesën më të madhe të rasteve është e kënduar nga burrat. Tendencat e sotme e sjellin atë edhe në forma mikste, por tre zërëshi polifonik tradicional është tre zërësh burrash. Kjo formulë origjinale e polifonisë sonë u trashëgua edhe në muzikën popullore qytetare të Shqipërisë së Jugut, apo siç njihet ndryshe në muzikën iso-polifonike me saze. Tejbartja dhe respektimi i kësaj formule në një terren tjetër (në terrenin e një formacioni qytetar me vegla), ishte ai që përcaktoi qartë sa vijueshmërinë e konceptimit popullor mbi kompozimin e parametrave teknike, aq dhe sigurimin dhe zhvillimin e formulës gjenetike të shprehjes sonë muzikore tradicionale, me mjete të tjera. Që këtej e tutje (fundi i shek. XIX fillimi i shek. XX), gërneta-gërnetisti = marrësi, do të ishte zëri i I (ose ai që “ja thotë”, “ja nis”, “e merr”), violina-dhjolixhiu = prerësi, zëri i II (ose ai që “ja pret”, “ja kthen”, “e thyen”, “ja mban”, “që e merr pas”), dhe llauta me shumë tela-llautari do të zëvendësonte ison masive (në rolin e atyre qe “ja mbushin” “që mbajnë zënë”), kjo e shfaqur si skema e përgjithshme e organizimit të tyre. Në këngën qytetare me saze do të konstatojmë një barazpeshë të sekseve në të kënduarin e repertorit polifonik qytetar. Sot vërejmë krahas polifonisë vokale edhe simotrën e saj, iso-polifoninë me saze, e cila është dukuria më bashkëkohore dhe më e zhvilluar e polifonisë popullore shqiptare. Nga muzika tre zërëshe qytetare me saze do të përmendnim shumë të njohurat muzikë qytetare përmetare, korçare, leskoviqare, vlonjate, delvinjote etj. Gjithashtu tre zërëshi vokal iso-polifonik vazhdon praktikimin dendur të tij në pjesën më të madhe të Toskërisë dhe të Labërisë. Ndër zonat më karakteristike të tre zërëshit polifonik vokal të fshatit do të veçonim polifoninë e Skraparit, Gramshit, Devollit, Gjirokastrës, Kolonjës, Sarandës, Vlorës etj. Sipas Sokolit: gjatë studimit të veçorive të tre-zërëshit polifonik është vënë re kumbimi i brendshëm i zërit të disa këngëtarëve të Shqipërisë juglindore kur ja kthejnë me grykë në këngët polifonike me iso; në këtë rast kemi të bëjmë me një farë “jodelli” shumë karakteristik. Do të theksonim gjithashtu se iso-polifonia 3 zërëshe është pjesë përbërëse e rëndësishme edhe e folklorit koreografik. Bashkekzistenca e polifonisë me folklorin koreografik është një nga format origjinale të bashkëjetesës së muzikës popullore polifonike me koreografinë popullore, si shprehje e lashtësisë së saj. Ashtu siç gjejmë në ndërtimin tipik të polifonisëmarrësin, prerësin dhe ison, ashtu do të konstatojmë edhe në këtë tip të krijimtarisë koreografike këtë strukturë të ngjashme. Në këtë rast, është polifonia e cila ka sugjeruar me strukturën e saj të ndërtimit edhe strukturën përkatëse të valles popullore. Në një fjalë të urtë e cila për të transmetuar mesazhin e saj ka përdorur të dhënat strukturore të valles polifonike thuhet: “Vallen nuk e lot mirë ay që e heq, po ay që ia mban”.

Iso polifonia katër zërëshe:

Iso-polifonia 4-zërëshe konstatohet vetëm në folklorin muzikor lab. Themi kështu, pasi ajo formë e të kënduarit katër zërësh që hasim në iso-polifoninë toske të Skraparit, nuk ka arritur deri më sot të strukturojë një zë të katërt të plotë ashtu si në iso-polifoninë labe. Sipas Shitunit: nëse tradicionalisht, më e përhapur ka qënë polifonia trizërëshe, në ditët tona popullaritet më të madh është duke fituar polifonia katërzërëshe. Në strukturë, 4-zërëshi lab reflekton të njëjtat tipare si tre zërëshi, por me një zë +. Ky është “hedhësi” i cili është karakteristik për këngët polifonike të Gjirokastrës, të bregut të detit dhe Himarës, aq të njohura nëpërmjet interpretimeve të grupit polifonik të Xhevat Avdallit dhe Neço Mukos. Deri më sot është pranuar se Neço Mukos i njihet edhe konsolidimi i zërit të “hedhësit” në këngët polifonike të Bregut. Sipas Krutës: ky lloj hedhësi nuk ndjehet në zona të tjera të Labërisë… kemi të bëjmë këtu me një dukuri të rëndësishme e cila duhet të jetë produkt i një njeriu të mësuar dhe ka të ngjarë të jetë këtu Neço Muko (Marioti) që kreu qoftë dhe me intuitë këtë eksperiment sa të thjeshtë në dukje aq edhe interesant në çështje të tingëllimit të polifonisë dhe jo vetëm të asaj të Bregut të Detit por edhe të polifonisë labe në përgjithësi. Në fakt, roli i hedhësit në këngën labe nuk është një dukuri e re. Është e vërtetë se Neço Muko evidentoi nëpërmjet regjistrimeve në vitet ’30 disa tipe këngësh katër zërëshe me rol shumë të zhvilluar të hedhësit, por kjo nuk është arsye e mjaftë për të thënë se si strukturë “hedhësi” nuk ndjehet në zona të tjera në Labëri. Shembujt muzikorë që provojnë ekzistencën e këtij tipi mund të jenë disi më të mëvonshëm, por e rëndësishme është të theksohet se stilema e tij muzikore gjendet rëndom në folklorin muzikor. Një vend shumë të rëndësishëm në këngën katër zërëshe polifonike zë edhe polifonia e qytetit të Gjirokastrës me “marrës”, “prerës”, “hedhës” dhe “iso”. E konsideruar si “këngë pleqërishte”, në të do të konstatojmë një mënyrë shumë të vjetër të kënduari. Ajo që e bën shumë interesante polifoninë katërzërëshe të qytetit të Gjirokastrës është e lidhur me faktin se kënga polifonike vokale ka qënë dhe mbetet alternativa kryesore e muzikës popullore qytetare gjirokastrite. Në ndryshim nga masivi i këngës labe i cili shfaqet më shumë vertikal se sa horizontal, kënga polifonike e qytetit të Gjirokastrës zhvillon dhe shfaq iso-polifoninë më horizontale në gjithë Labërinë. Me sa duket, përsosja e këngës fshatare përreth Gjirokastrës prej të cilës buron kënga qytetare Gjirokastrite, ka ardhur së bashku me rritjen dhe zhvillimin e vetë banorit të Gjirokastrës. Ndryshe dhe si asnjë qytet tjetër, muzika popullore qytetare gjirokastrite nuk pranoi futjen e veglave muzikore muzikore-sazet, siç ndodhi në 99% të qyteteve shqiptaro jugore, por përsosi këngën polifonike të traditës gjë që e vazhdon edhe sot.

Autori: Prof. Dr. VASIL S. TOLE

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *