Categories
Lajme

Arta Marku apel prokurorëve: Mbani larg median nga hetimi

E pranishme në analizën vjetore të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, kryeprokurorja e përgjithshme e përkohshme, Arta Marku tha se 2018 ka qenë një vit i vështirë pune, por nuk harroi të ‘shigjetonte’ disa prokurorë që sipas saj nuk kanë qenë në lartësinë e detyrës.

Ajo tha se duhet të hetohen sa më shpejt çështjet e nxehta që kanë trazuar jetën e vendit si nga ana e politikës ashtu edhe nga rastet kriminale. E para e Prokurorisë u shpreh se shumë prokurorë në punën e tyre kanë nxjerrë sekretet hetimore dhe kjo ka vështirësuar në zbardhjen e rasteve komplekse, ndërsa apeloi që prokurorët të mbajnë larg mediat nga puna e tyre.

Porositë e Markut drejtuar prokurorëve nuk kishin të bënin vetëm më raste kriminale dhe politike, por ajo tha se duhet të nisin me urgjencë hetime të tjera intensive pasurore për çdo rast të dyshimtë.

“Prokurori e Krimeve të Rënda  është më e rëndësishmja në vend për shkak të kompetencave të saj  lëndore. Kjo vëmendje e shtuar për hir të së vërtetës rrit presionin në punën tuaj. Ka qenë një vit shumë i ngarkuar, prokurorët disa prej jush, keni treguar se dini të punoni, por gjatë këtij viti disa prokurorë na kanë bërë të na vijë turp që jemi prokurorë.

Kanë nxjerrë sekrete hetimore. Disa kanë harruar të bëjnë hetime proaktive që duhej të bënin. Ju jeni prokurorë si gjithë të tjetër, por keni patur fatin të punoni në këtë Prokurori. Të hetohen sa më shpejt çështjet që kanë trazuar jetën dhe kanë tronditur kryeqytetin.  Fokusohuni tek puna dhe mbani larg median nga hetimi, gazetarët nuk janë pjesë e hetuesve. Mos lini pas dore hetimet pasurore. Krimi dhe korrupsioni duhen hetuar çdo ditë. Falënderoj të gjitha ata që kanë punuar me përkushtim, suksese në punë dhe në procesin e vettingut”, tha Marku.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *