Categories
Histori Të gjitha

Donika, gruaja e parë e Arbërisë

Donika mbante titullin dukeshë dhe ishte e bija e princit të famshëm të Arbërisë, Gjergj Aranitit, një prej prijësve më të mëdhenj të luftës kundër pushtimit Osman. Ajo lidhi kurorë me Gjergj Kastriotin dhe u bë princeshë. Në gjuhën e sotme protokollare ajo ishte gruaja e parë e Arbërisë.

Donika lindi në Kaninë, më 1428. Ky vit i lindjes së saj del nga shumë të dhëna të historianëve të ndryshëm, të cilët thonë se ajo ka qenë 23 vjeç, kur u martua me Skënderbeun. Martesa u bë në vitin 1451; Skënderbeu ishte sa dyfishi i saj në moshë, 46 vjeç.
Donika ishte vajza e madhe e Gjergj Arianitit. Gjergj Arianiti ishte martuar dy herë. Me gruan e parë, Marie Muzakën pati gjashtë vajza: Donikën, Gojsavën, Anën, Halenën, Dhespinën dhe Komitën. Me gruan e dytë, Pietra Franko, ai pati tetë fëmijë ndër të cilët mund të përmendim vajzat: Marie, Teodora, Katerina, Mara si dhe djemtë: Thoma, Kostandin, Arianit, pra gjithsej pati 14 fëmijë. Donika ishte e para e të gjithëve. Ajo lindi dhe u rrit në Kaninë të Vlorës.

Tre vjet pas martesës me Skënderbeun, Donika e gëzoi heroin me lindjen e djalit të vetëm të tyre, Gjonin e ri, i cili sipas traditës mori emrin e gjyshit. Në gravurat e kohës ajo del si një femër e sojme, me tipare të spikatura të një zonje të Mesjetës. Nuk dihet me saktësi roli që luajti ajo gjatë jetës bashkëshortore pranë Skënderbeut (1451-1468).

Por dhe pse kronikat e kohës nuk e përmendin për ndonjë rol të veçantë në drejtimin e shtetit, pa dyshim që i ka takuar asaj të kujdeset jo vetëm për trashëgimtarin por dhe për drejtimin e shtetit. Betejat e vështira ku merte pjesë i shoqi, ekspeditat e tij të vështira në luftë të ashpër kundër turqve, si dhe marrëdhëniet diplomatike që e detyronin shpeshherë të lëvizte drejt Venedikut, Raguzës e Napolit do të thoshin mungesë e tij fizike.

Edhe pse Skëndërbeu kishte oborrin e tij, pa dyshim për kushtet e vështira të kohës, mungesës së telekomunikacionit, detyra e drejtimit të shtetit pa dyshim që i takonte asaj. Dhe Donika plotësonte të gjitha kushtet, sepse ishte e bija e një strategu të madh që pa dyshim i kishte edukuar fëmijët e tij të drejtonin gjithë atë principatë.

Donika ishte një grua me të vërtetë shteti dhe me të drejtë mban portofolin e gruas së parë mbretërore shqiptare.

Pas vdekjes së Skënderbeut në 17 Janar 1468, Donika u përball me një rrezik shumë të madh. Sigurisht që askush nuk kishte më tagrin e Skëndërbeut për të përballuar hordhitë turke. Ndaj detyra për të mbrojtur thesarin e madh të jetës,  trashëgimtarin legjitim të Skënderbeut, bëri që Donika të largohej së bashku me të birin në Itali. Në vitin 1468, suita e saj u vendos në Itali në dy feudet që Ferdinandi i Aragonës, mbret i Napolit i kishte dhuruar Skënderbeut në vitin 1463, si kompesim i ndihmës së çmuar që heroi i dha atij.

Princesha jetoi në oborrin e mbretit Ferdinand e shoqëruar nga dy princesha të tjera të veja dhe thuhet se vazhdoi fushatat e saj të bamirësisë në Arbërinë e saj dhe vazhdoi me jetën e saj dinjitoze duke u kujdesur për të birin dhe për nipërit e mbesat. E quanin të gjithë Skanalibeka që do të thoshte  Skënderbesha.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *