Categories
Të gjitha

Edukimi dhe sportet në botën ilire, fama e Epidamnosit në lojërat olimpike

Kleosteni i Epidamnusit ishte fitues në garat me karrocë në Olimpiadën e 66-të në vitin 516 para Krishtit dhe i dhuroi “Zeusit” portretin e tij sipër karrocës

Analizat e burimeve letrare historike dhe të siteve arkeologjike na lejojnë të shikojmë një aspekt interesant të jetës të përditshme të realiteteve kulturore që përbënin fiset e Ilirisë. Nëpërmjet analizave e inventarëve të varreve të zbuluara dolën objekte, si enë me figura me pamje të lidhura me skenat e palestrës, që na lejojnë të kuptojmë aspekte të edukimit kulturore dhe sportive në botën Ilire.

Në periudhën antike, vendi i edukimit të jetës së qytetarëve ishte palestra, një vend që nga shek VI p. Kr. Do të fillojë të përhapet përmes kolonive të Epidamnosit dhe Apolonisë dhe pastaj ndërmjet kontakteve kulturore në realitetet e të gjithë Ilirisë.

Siç na tregon Plutarku, fjala palestër vjen nga greqishtja e lashtë “παλαίστρα” që do të thotë vendi ku të rinjtë dhe atletët përgatiten mbi jetën edhe mbi luftën (πάλη), por edhe për aktivitetet mendore e intelektuale. Burimet e lashta dhe rafigurimet ikonografike na tregojnë të rinjtë që praktikojnë këto aktivitete brenda në ambientet e gjimnazit. Gjimnazi në antikitet ishte vendi ku të rinjtë kryenin aktivitet fizike.

Fjala gjimnazi vjen nga latinishtja gymnasium dhe nga greqishtja e lashtë γυμνάσιον (gymnasion) që do të thotë “godinë publike për të bërë edukimin fizik”.

Gjimnazistët e praktikoheshin aktivitetin fizik lakuriq (γυμνός – gymnos) më vonë ky vend u bë qendër e edukimit, por edhe një vend takimi ku zhvilloheshin bankete (simposiume), shfaqje teatrale dhe konferencat. Pikërisht për këto lloje aktivitete që  praktikoheshin do të marrë në antikitet emrin “shkollë”. Në kohët e lashta lojërat më të famshme sportive ishin ato të lojërave Olimpike.

Pausania (Paus. 10, 1-8) na tregon diçka interesante mbi lojtarët Olimpikë, sidomos mbi tempujt që ndodheshin sipër pantarkut, ku shihej një skulpturë që rafiguronte karrocën e Kleosthenes (Kleosteni) i Epidamnosit, i punuar nga Ageladi e cila u gjend prapa Zeusit, të cilin helenët e ngritën pas betejës të Plates (479 p. Kr.). Kleosteni ishte ai që fitoi në Olimpiadën e 66-të në vitin 516 p. Kr. Në garat me karrocë dhe i cili i dhuroi “Zeusit” portretin e tij sipër karrocës. Këtu janë shkruar edhe emrat e kuajve, Foiniksi dhe Koraksi, në dy anët Knakiasi dhe Samo. Mbi karrocën ku lexohej: “Detari Kleosten nga Epidamni më vuri këtu, pasi fitoi me kuajt garën fisnikë të Zeusit”. Kleosteni ishte ai që mbante kuajt dhe i pari që i dhuroi portretin e tij në Olympia.

Skulptura e tij mbase ishte e punuar nga mjeshtri Ageladas, studentët e tij më të famshëm ishin Fidja, Mironi dhe Polikleti (të cilët do të jenë mjeshtërit e artit klasik). Pausania na tregon (Paus VI, 19) se duke pasur parasysh pjesëmarrjen e shpeshtë në garat olimpike dhe fitoret e tyre qytetarët e Epidamnit vendosën për të ngritur një Thesauros (θησαυρός), i treti në tarracë mbi Metronin, pas asaj të Sicionit, të Sirakuzës dhe të qytetit të Byzantit. Thesaurët (Paus. VI, 19, 3) ishin tempuj (ndërtesa) të vogla me “antis” të ndërtuar zakonisht me material të ardhur nga i njëjti qytet ose nga komuniteti.

Në Olympë ata ndodheshin mbi një tarracë me shkallë e cila përmbante dymbëdhjetë ndërtesa. Sipas shkrimeve të Periegetës dhe Plutarkut dhe nga analizat e disa studiuesve, ajo e Epidamnit përmbante një kompleks të skulpturave të vogla prej druri kedri, ndoshta duke paraqitur një sistem të “tregimit me grupe” sidomos temën e Herakliu dhe pemën e Hesperideve. Faktikisht ajo tregonte Atlasi që mbanë qiellin me Herakliun dhe pemën e Hesperideve, mollën me gjarprin të përdredhur rreth saj. Këto ishin punuar nga Teokleu i biri i Hegylit. Kjo temë mund të shihet edhe në metopen qendrore të tempullit të Olympies, fitorja e Zeusit dhe Herën mbi Titanët. Për sa i përket të dy skulptorëve ata ishin personalitete të njohura në artin arkaik të shek. VI p. Kr. Si specialistë në skulpturë prej fildishe ose prej druri. Ndërtesa ishte ndërtuar rreth mesit të shek. IV p. Kr. Nga tre arkitektë: Pirrua dhe bijtë e tij Lakrati dhe Hermoni.

Gjatë gërmimeve arkeologjike të santuarit të Olympiës, tek zona e III e donarëve u zbuluan disa pjesë e strukturës arkitetonike të thesaurit të Epidamnit që sot janë ekspozuar në Atles Museum të Berlinit (Fig. 1). Ato paraqiten të pikturuara sipas stilit korintë, nga pllakat të antepagmenta, por edhe një fragmente kornizë e dekoruar dhe e zbukuruar me sekuencë spirale valë të vazhdueshëm. Gjithashtu shikojmë edhe pikturimin e një palmetës si dhe motive formë oves ose kyma jonike.

Kjo strukturë është e ngjashme me fragmente të shenjtërores – tempulli A të Epidmanosit të ekspozuara në Muzeu Arkeologjik të Durrësit. Analizat arkeometrike kanë vërtetuar se ato janë importuar nga Korinti, duke na treguar rëndësinë të trafiqeve detarë midis kolonisë dhe atdheut të tij. Prania e ngjyrave është shumë e rëndësishme pasi dëshmon se si ishte ngjyrosja e Thesarurit. Duhet të kemi parasysh se në antikitet monumente të lashta si të tilla: strukturat publike ose private, subjektet, elementet dekorative dhe skulpturat si statujat, etj… ishin shumë të pasura me ngjyra, ato nuk ishin të bardha, por ngjyroseshin ose pikturoheshin me ngjyra që shiheshin në jetën e zakonshme. Zgjedhja e kujdesshme e temës dhe e mjeshtërve nga banorët e Epidamnosit /Durrësi na lejon të shikojmë nivelin e lartë të pasurisë e aristoi-ve (klasa aristokratike).

Plutarku na kujton dhurata të tjera të pranishme në santuarin e Olympit nga realitetet ilire si për shembull ajo e Pirro Aikiditi nipi i Pirrit, mbreti i Thesprotisë epirote, “i cili kujtohet si më shumë trimëri që i kushtoi në Altis Thrasibuli nga Eleioni…” ose si Meneptolemi fituesi në garën e vrapimit të fëmijëve nga Apollonia (Apolonia).

Nga burimet e lashta ne mund të nxjerrim elemente të tjera mbi edukim ilir. Ilirët indetifikoheshin si një popullsi “barbare” e lidhur shpesh me traditën homerike, siç na tregon Thukididi (V, 125 – 126) për ngjarjet e gjeneralit spartan Brasida dhe mbretit të Maqedonisë Perdika II (423 p.Kr.) Kundër Arabeut mbreti i fisit ilir të lynkestëve i ndihmuar nga enkelejët, të cilit ai i konsideroj “ata janë një popull luftëtar”, në një shoqëri patriarkale. Në botën ilire gruaja zotëronte më shumë liri, ato mund të merrnin pjesë në bankete ato kishin të drejtën e fjalës, shfaqen e mendimit të tyre dhe ndikojnë në zgjedhjet politike, diplomatike, arsimore, etj… Për konceptin e lirisë në antikitet ato ishin kryesisht gra të lira.

Në historinë ilire kujtojmë dy shembuj shumë të rëndësishme: Olympia mbretëresha e Maqedonisë dhe mbretëresha Teuta e Ilirisë, që të dyja janë edukuar sipas traditës ilire. Të cilat kanë respektivisht të përbashkët faktin se sundojnë fronin: Olympia në emër të birit të Aleksandrit të Madh dhe Teuta të birit të Agronit. Roli i grave nuk mund të shpjegohet vetëm nga këto dy figura të rëndësishme, por gjithashtu edhe nga njëra pak e njohur si Synane, bija e Filipit II të Maqedonisë. Nga martesa e dytë e Filipit me princeshën ilire Audata do të lindi Kynane ose Synane e çila sipas burimeve letrare u edukua nga Audata sipas traditës ilire në kalërim, gjueti edhe sidoms në artin e luftës. Emri i vajzës na tregon sovranitetin total që arriti Filipi mbi ilirët dhe maqedonasit. Isokrati shkruan se Filipi bëhet kyrios i ilirëve, kjo do të thotë: “ai që kontrollon ose mbizotëron mbi të gjithë Ilirin”, por nuk është mbreti i ilirëve. Në shqip ky term kuptohet nga folja “krye” ose më mirë “në krye”, kryetari i ilirëve. Tek Homeri (Hom. Iliada II, 243) termi që i atribuohet Agamemnonit është: “Αγαμέμνονα, ποιμένα λαῶν – Agamemnoni, bariu i ushtrise”.

Helmeta Ilire

Rëndësia e edukimit në kulturën ilire na është dëshmuar edhe nga enët të gjetura në nekropolet e siteve arkeologjike, të tilla si lekita me figura të zeza me origjinë nga Atika të gjysmës të dytë e shek. VI p. Kr. Zbuluar në Apoloni rafigoronë katër figurash. Ku paraqiten Akilin duke marrë armët nga nëna e tij, Tetis, e cila qëndron në këmbë përpara tij. Pranë tyre, anash qëndrojnë dy luftëtarë të armatosur me helmeta. Kjo skenë rrit prestigjin e elitës lokale që kërkon tek miti legjitimitetin të pushtetit të saj. Akili në edukimin e elitës lokale përfaqëson heroin mitik kryesor, luftëtarin i përsosur, trimërinë, shembulli që duhet të imitohet. Por për klasat e tjera shoqërore shembulli që duhet ndjekur ishte ai i Odiseut, heroi që përdorte zjuarësinë e tij. Gjithashtu mund të shohim edukimin ilir me vlerat e saj edhe në përkrenarin ilire të shek. VI – V p.Kr. I zbuluar në varrin 8 të nekropolës e Trebeništa/Trebenishta në Maqedoni, që tani është ekspozuar në Muzeu Kombëtar të Beogradit (Fig. 2). Elementët kryesore mund të shihen në brezin e djathtë si rrethorja (ndoshta një mburojë) pre ari, e formuar nga një rreth të madh ku brenda në të cilin shpërndahen tetë rrathë koncentrikë, në fund mund të shihni një kalimtar në lëvizje. Ndërsa në anën e majtë mund të shikohet një derr i egër i sulmuar nga luanët. Elementi rrethues kujton traditën ikonografike ilire, siç mund ta shikojmë në rripin e luftëtarit ilir të ekspozuar në Muzeu Historik Kombëtar. Kjo lloj forme do përhapet në territorin ilir gjatë periudhës parahistorike (si edhe në Mesdheun) së shpejti do të bëhet një element i përsëritur i ikonografisë ilire në forma të ndryshme, duke na lejuar të kuptojmë edhe lidhjet tregtare që historikisht lidhën realitetet mesdhetare. Në pjesën e fundit të epokës së bronzit ajo do të lidhë ethnosi Ilirët me atë të botës Mikeane. Rafigurimi i kalorësit i referohet prestigjit që luftëtari ka brenda fisit dhe statusin e tij (siç dëshmohet nga pasuria e inventarit) skena e gjuetisë midis luanit dhe derrit i referohet elementit tjetër tipik të kulturës ilire, edukimit i gjuetisë, por ajo tërheq vëmendjen mbi ikonografinë e vdekjes. Ikonografie është tipike e artit arkaik, që do të përhapet në Mesdheun lindor nga mesi i shekullit VIII. P.Kr. Pas krizës së perandorisë Asiriane (Fig. 3) me emrin e “Artit Orientalizues”.

Gjatë shek. V – III p.Kr. Vazot e zbuluara në Iliri na lejon të shikojmë rëndësinë e edukimit edhe nëpërmjet artit të enëve me figura të kuqe, të tilla si për shembull: krateri me figura të kuqe nga Apolonia me të rinj brenda një palestër. Kështu kemi skenën e atletit edhe me femër e cila shpesh herë rafigurohet duke ofruar një kordele ose duke mbajtur diskun, por nuk mungojnë edhe rafigurime e perëndive ose të djelmosha/efebë të veshur me mantel, me qëndrim në këmbë përballë njëri tjetrit. Që mbajnë në duart një strigël ose një shkop.

Strigëla (Fig. 4) gjithashtu do të gjendet edhe tek inventarët e varreve të atletëve sepse ishte e përdorur për të pastruar trupin me përzierjen e vajit dhe pluhurit. Tek enët me figura të kuqe kemi edhe një atlet të zhveshur me një grua pranë tij, në këtë rast rafigurimi i referohet të vdekurit dhe aktivitetit të tij. Janë zbuluar edhe enë të pikturuar me ambientet e palestrës.

Siç na tregon Vitruvi (De arch. V, 11, 2-3) palestra fillimisht ishte një rrethim i thjeshtë katërkëndësh me rërë bashkëlidhur me dromosin (vendi i vrapimit) edhe me gjimnazin. Struktura në periudhën klasike dhe helenistike do të pasurohet me arkadë me kolona gjatë një peristili katror ose drejtkëndor me një perimetër mi 360m, do të ketë edhe zona për dhomat e atletëve, banjot me ujin e ftohtë, dhoma për shpërndarjen vajit (tek skenat e enëve me figura paraqiten amfora të mbushura me vaj) edhe banjot e nxehta, zona e sudatio (banjot e djersitjes). Gjithashtu do të numërohen edhe tre oborre të mbuluara (xystòs), ai në veri për periudhën e dimrit do të lejojë spektatorët të kalojnë pa penguar atletët që praktikojnë aktivitetin. Pas gjithë këtyre do të jetë stadiumi (stadium) për garat.

Edhe në botën ilire ashtu siç edhe në realitetet e tjera mesdhetare do të paraqiten elemente tipike të edukimit helen, fillimisht tek klasat aristokratike. Marrëdhëniet kulturore, interesat politike, do të sjellin realitete fisnore ilire të marrin pjesë në garat kryesore të organizuara nga qytetet shtete helen, ku vetëm helenët mund të merrnin pjesë. Në këtë rast, shembuj të rëndësishëm janë lista epigrafike e “Tearodokëve” (ata që sjellin lajmin). Për fiset e Epirit kemi listën e tearodokëve të Epidaurit edhe të Argosit. Sipas traditës ai që parhapi kulturën helene në Epir ishte mbreti Tarryba-s (430 – 392 p.Kr. Kishte studiuar në Athinë). Në shek. III p. Kr. Bylinët siç na dokumenton epigrafikët e zbuluara do të ftohen për të marrë pjesë në garat “Pitike” të organizuar në Delfi (në këtë moment do konsiderohen si helenë) ndoshta për shkak të ofertës që i kishte bërë qyteti santuarit të Delfit. Në shek. I p. Kr. Në Apoloninë e Ilirisë do të studiojë Oktaviani – Augusti (këtu ai do marri lajmin e vdekjes e dajës e tij Jul Cezari).

Dëshmitë mbi edukimin ilir janë shumë të shumta, shumë prej tyre mund të admirohen së bashku me artin kulturor ilir në muzeumet e Shqipërisë ose në sitet tona arkeologjike, të cilat ruajnë historinë dhe traditën e kulturës Ilire.

Nga : Jani Kocillari 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *