Nga : Marin Barleti
Ju epirotët, mund të gjenit një tjetër mbrojtës të lirisë, një tjetër përkryes të qëllimeve dhe të aspiratave tuaja, sepse, në këtë vend, s’kanë munguar mendjet e ndritura.
Ju, si burra aq të fortë, të rritur në liri, që qëndruat kaq kohë nën mynxyrën barbare, nuk u mërzitët derisa të më shihnit. Po përse doni që unë ta mbaj për vete me të padrejtë emrin e çlirimtarit? Lirinë nuk e solla unë, por e gjeta këtu. Sapo më shkeli këmba truallin tuaj, sapo dëgjuat emrin tim, m’u derdhët me vrap të gjithë, më dolët përpara kush e kush më parë…
Ju më latë prapa, ju m’i lidhët menjëherë duart, ju më mbytët me shërbime aq të mëdha dhe me një gaz shpirtëror aq të madh, saqë duket se ju më keni bërë tani aq rob, sa edhe të lirë.
Mbretërinë dhe këtë qytet nuk jua dhashë unë, por ju gjeta të armatosur. Lirinë e pashë se e keni kudo, në kraharor, në ballë, në shpatat e në ushtat, dhe si kujdestarë të pashoq, të lënë nga ati im, e vutë përsëri në vend, me kujdes e besnikëri të pandryshuar, skeptrin, që ma ruajtët gjer në këtë ditë, dhe më bëtë përsëri, me mundin e punën tuaj të papërtuar, zotërues të mbretërisë së të parëve të mi, pa derdhur gjak…
Pjesën më të madhe të punës e kemi mbaruar. Kruja është fituar, krahina e gjithë është jona, Dibrat dhe pastaj popullsitë e tjera janë bashkuar me ne dhe emri i armiqve është zhdukur nga fusha; mbeten qytetet.
Po të mendoj gjendjen e tyre të vështirë, duke parë se të gjitha janë të rrethuara nga ne, të zëna në befasi, se të rrethuarve u kanë mbetur vetëm muret e zhveshura, kam shpresa të mira. Po të marr parasysh vështirësitë që paraqitin këto vende dhe trupat që janë vendosur brenda nga Tirani, duket se do të jetë nevoja të përdorim ndonjë zgjuarsi apo këmbëngulje shumë të madhe.
Por këto do t’i gjykojmë më mirë, kur të ndodhemi në vend e të kemi përpara armikun e kur të mbajmë shpatën në këtë të djathtën tonë shkrumbuese, sesa për së largu e në tym. Të nisemi, pra, pa ngurrim dhe kudo të tregohemi me guxim prej fitimtarësh; fati do të na ndihmojë në përpjekjet tona, fati, që gjer më sot s’na është ndarë në çdo punë e na ka ecur për bukuri.
Megjithëkëtë, duhet t’ia nisim, para së gjithash, nga Petrela, jo sepse kjo kështjellë mbetet prapa të tjerave për nga vështirësia e pozitës apo nga mbrojtja natyrore, por sepse është më afër këtij qyteti.
Unë besoj se ne do t’a gjejmë atje emrin dhe frikën e fatit të Krujës më të madhe, sepse ata i panë me sy edhe trimëritë tuaja, edhe fatkeqësitë e veta. Këto do të mund t’u kallin atyre një frikë ndoshta jo të vogël e, në mos ua kallshin tamam këtë, atëherë do të veprojë sigurisht këmbëngulja jonë. Një gjë vetëm duhet të na ngulet mirë në kokë dhe të mos na dalë asnjërit nga mendja; në mos u pushtoftë ai qytet e në mos qofshim të aftë t’i plotësojmë dëshirat tona, atëherë s’kemi sepse të kthehemi prapë në shtëpi.
Na duhet të provojmë çdo mjet, mundin, durimin, shpatën, arin dhe argjendin, me qëllim që fitores sonë t’ia fillojmë që këndej…Në qoftë se do të na jepet mundësia që ta shtiem qytetin në dorë pa derdhur gjak, duke na e dorëzuar vetë vendasit, atëherë do të na duhet që të gjithëve të veprojmë me urtësi të madhe si publikisht ashtu dhe privatisht, me qëllim që të nxitim kështu edhe të tjerët për dorëzim.
(Nga Marin Barleti: “Historia e Skënderbeut”, përkthyer nga Stefan J. Prifti)
PËRKTHIMI I FJALIMIT NGA FAN NOLI:
(simbas tekstit të Barletit):
“Kapedanë dhe ushtarë trima.
S’është as e re, as e papritun pamja që kam sot përpara syve. Ashtu si ju kujtonja, ashtu ju gjeta, stërnipër të thjeshtë të një race të vjetër dhe bujare, trima dhe besnikë të patronditur të vendit dhe të mbretit tuaj.
Edhe jam i lumtur tani që mund t’ju hap zemrën time. Ju them pa u mburrur që, sa kam rrojtur, kam patur gjithnjë këtë mall për atdhenë dhe këtë dëshirë për lirinë. Kur më ftuat për këtë vepër nga shërbimi i Sulltanit, kisha në zemër atë dëshirë që kishit edhe Ju. Juve ndofta ju shkoi nga mëndja që e kisha harruar vëndin, edhe nderin, edhe lirinë, kur ju ktheva prapa të helmuar, pa ju dhënë asnjë shpresë dhe pa ju treguar asnjë ndjenjë bujare dheshpirtmadhe.
Po unë sillesha me atë mënyrë, se ashtu e deshte shpëtimi i juaj dhe i imi, se puna ish e tillë se duhej bërë dhe jo thënë, se e shikonja që kishit më tepër nevojë për frë sesa për shtyrje. Jua fsheha planet e mia dhe s’jua çfaqa dëshirën që kisha në zemër aq vjet, jo se s’u kisha besim, jo se s’jua dinja shpirtin, po se ju ishit të parët që e hothtë zjarrin dhe u futtë në këtë valle; po se puna duhej mejtuar thellë, se duheshin gjetur mjetet, se duhej zgjedhur koha e mirë.
Ndryshe do të derdhej gjak më kotë dhe përfundimi do t’ish nji robëri me e keqe se e para. Dhe ahere çdo shpresë për të nesërmen fluturonte; se nji punë si kjo niset njiherë e mirë; dhe në mos vaftë mbarë, rasja dhe mjetet për ta nisur ikin e s’kthehen kurrë prapë.
Prandaj s’ja tregonja planin tim as vetes sime dhe ruhesha mos me shkiste gjuha dhe më dëgjonin muret. Kam për dëshmor Hamzën, tim nip, që e kam pasur këshilltar, përkrahës dhe shok armësh, me ca të tjerë të pakë, me besnikërin e të cilve e vumë këtë plan në vepërim. Tani, ndonëse rronim e hanim bashkë dhe kishim një zemër dhe një shpirt, me gjithë këtë asnjë nga këta s’më kish dëgjuar kurrë të zë n’gojë atdhenë, lirinë dhe krishtërimin, gjersa ardhi rasa në betejë të Nishit.
Lirinë mund ta kishit fituar me trimërinë tuaj nuk i mungojnë burrat, po ju pëlqeu ta prisni nga dora e ime, ndonëse vonë, se kështu ndofta desh vet i madhi Zot. Se është me të vërtetë çudi që trima kryelartë si ju, të rritur në liri, duruat kaq kohë robërin e barbarve, duke pritur të më shikoni një ditë në krye tuaj.
Po vallë, a e meritonj këtë titull të bukur të çlironjësit që kini mirësinë të më jipni? Lirinë s’jua solla unë, po e gjeta këtu, në mes tuaj. Posa shkela këmbën këtu, posa dëgjuat emrin, renttë që të gjithë, më dualtë përpara kush e kush më shpejtë, sikur t’ishin ngritur nga varret atërit, vëllezërit, bijtë tuaj, sikur të kishte zbritë nga qielli vetë Perëndia. Më prittë me aq dashuri dhe gëzim, më sualltë aq shërbime të çmuara e pa numër, sa më bëtë më tepër ju robin tuaj sesa unë të lirë ju.
Këtë mbretëri, këtë qytet nuk jua dhashë unë, po ju gjeta t’armatosur, lirinë e kishit kudo, në krahërore, në ballë, në shpata e në ushtat; si gardjan besnikë t’emëruar prej tim eti, ja ma vutë mbi krye këtë kunorë, ju ma dhatë në dorë këtë shpatë, ju më bëtë zot të kësaj mbretërije, të cilën ma ruajtët me aq besë, me aqë kujdes, me aq mundime. Shpjermëni tani, me ndihmën e perëndisë, që ta çlirojmë tërë Shqipërinë.
Pjesën më të madhe, pothuaj tërë punën, e mbaruat: Kruja dhe tërë krahina e saj u fitua; Dibra dhe Malësitë u bashkuan me ne; anmikut s’i mbeti as emëri, as shënjat në fushat tona; qëndrojnë vetëm fortesat. Kam shpresë t’i marrim edhe këto me hir a me pahir, me dhelpëri a me trimëri, ndonëse garnizonet turke janë më të forta dhe kështjellat janë vendosur si shkëmbenj të ashpër dhe të paafruarshëm.
Armiku është i rrethuar, i dëshpëruar, dhe s’i kanë mbetur veçse muret e fortesave. Po për këto do të këshillohemi e do të përfundojmë më nurë kur të vemi në vënt e kur të kemi armët në dorë dhe anmikun përpara, sesa tani për së largu dhe pa ditur se ç’kemi përballë. Do të nisim nga Petrela më parë, jo se kjo është më e lehtë për t’u fituar – përkundër është një fortesë prej natyre dhe ka një garnizon të fortë – po se ndodhet më afër kryeqytetit, dhe jam i sigurt që lajma e mirë e ngjarjeve në Krujë ua ka ngrirë gjakun armiqve.
Të tmerruar nga trimërija e juaj dhe nga çkatërrimi i garnizonit të Krujës, ndofta do të na lëshojnë fortesën më të mirë; në mos, po do t’i shtrëngojmë të na e japin me të keq. Një gjë vetëm duhet të keni nër mënt: në mos e marrshim Petrellën, asnjë nga ne s’ duhet të kthehet prapë i gjallë.
Ngrehni pra flamurin përpara, dhe rrëfehuni burra si ngahera. Perëndia, si gjer tani, ashtu edhe paskëtaj, do të na ndilnmojë dhe do të na nxjerrë faqebardhë. O Burrani!”