Categories
Histori Të gjitha

Fjalimi origjinal i mbajtur nga Hasan Prishtina më 5 maj 1912 në Kullën e Ahmet Delisë dhe teksti i betimit i Kryengritjes

Këtu u tubuan krerët e Drenicës. Kishte edhe nga viset tjera shqiptare. Natën kishte ecur lajmi kudo: Hasan Prishtina kishte dalë në Drenicë. Në kullën e Ahmet Delisë do të mbahej një Kuvend historik. Dhe, të gjithë vrapuan andej. U mbush kulla plot e përplot. Hasanit i rritej zemra. U përgjigjej pyetjeve që ia bënin të pranishmit. Kënaqej me ta. Kjo i dukej e madhërishme në krahasim me Parlamentin Turk. Atje, anarki e vërtetë. Replika, sharje, fyerje e kacafytje fizike. E këtu krejt ndryshe, një flet të tjerët dëgjojnë. Mrekulli. Pasdreke e bukur. Ora pesëmbëdhjetë. Kishin arritur të gjithë përfaqësuesit.

Hasani, i ngazëllyer e plot emocione kënaqësie, u ngrit në këmbë dhe e mori fjalën: -“Të dashur vëllezër! Nata pesëqindvjeçare aziatike po kalon. Perandoria e kalbur po shembet. Fuqitë e mëdha evropiane po bëjnë plane djallëzore. Fqinjët grabitqarë po i mprehin thikat për të na rënë pas shpine. Populli ynë gjendet para një fataliteti. Nga çdo anë na kanoset rreziku. Të bëhemi syçelë e vigjilentë. T’u dalim zot trojeve tona stërgjyshore. T’i mbrojmë qysh i kemi mbrojtur gjithmonë, me gjak. Këtë mund ta bëjmë vetëm të bashkuar, si një grusht i vetëm. Unë e braktisa Parlamentin e ndyrë turk. Tri vjet i kalova në të dhe çdoherë i pakënaqur. Aq haptas i kundërshtoja, saqë më quanin deputet kryengritës. U përpoqa me ngulm t’i mbroja të drejtat që na u garantuan me Kushtetutën e vitit 1908, por kot. Sa patëm mundësi e shfrytëzuam: E bëmë Alfabetin dhe i hapëm ca shkolla shqipe. Disa djem kosovarë ia dërgova Luigjit në Normalen e Elbasanit. Tërë pasurinë pata me e shkri për shkollat shqipe. Por, të pabesët, turqit e rinj, na tradhtuan. Nuk i realizuan premtimet. Kabineti i Hilmi Pashës i mohoi të gjitha. Ai vetë pat deklaruar para deputetëve se: Rreziku më i madh i Turqisë, nga të gjitha kombet që jetojnë në Perandorinë tonë, janë shqiptarët. Është frikë e madhe nga ky komb të mos zgjohet nga gjumi i rëndë dhe të mos mëkëmbët, të mos marrë dituri në gjuhën e vet dhe atëherë e mori lumi Turqinë e Evropës. Të gjitha këto i kundërshtova ditën e enjte, më 11 janar 1912, kur u mblodh Parlamenti. Aty i pata paralajmëruar haptas: Po nuk u përmbushen kërkesat tona, do të plasë revolucioni. E ndër të parët që do t’i rrok armët do t’jem unë. Si sinjal të kryengritjes e pata lënë: “Kur t’i mbathi opingat e të dal në Drenicë”. Dhe, e mbajta fjalën. I shita të gjitha magazet e mia në Shkup, se na duhen para dhe erdha këtu. Sot, në kullën e këtij trimi besnik po e ngrinim flamurin e lirisë, atë të Skënderbeut dhe po i shpallim luftë TURQISË”.

Të pranishmit u pajtuan njëzëri. U betuan sipas tekstit që e kishte hartuar vetë Hasani, në të cilin thuhej: “Bajmë be e japim besën e burravet, se kemi me ba çfarëdo flije e në kjoft nevoja kemi me i ba kurban me duart tona robët e fëmijët tanë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *