Categories
Lajme

Kualifikueset e Euro 2020, të rikthyerit Mavraj e Lenjani: Ka ndryshime

Kombëtarja shqiptare vijon përgatitjet për ndeshjet kualifikuese të “Euro 2020” ndaj Islandës dhe Moldavisë. Për këto dy përballje, në skuadër është kthyer Mërgim Mavraj, që vjen pas pezullimit. Qendërmbrojtësi deklaroi se ka parë ndryshime në ekip.

“Ka ndryshime të rëndësishme, më duhet kohë për t’i analizuar. Nuk mund të jap opinionin tim për këto ndryshime, nëse janë pozitive apo negative. Kemi ardhur nga kampionatet me lojtarë që kishin problemet e tyre. Ende nuk e kemi përqëndrimin për sfidën ndaj Islandës, besoj se do të ndodhë kur të shkojmë në Gjermani. Besoj se në Nations League gjërat shkuan keq, jo vetëm për rezultatet, por edhe për lojën. Këtu duhet të përmirësohemi”, tha Mërgim Mavraj, futbollist i Kombëtares.

Në Kombëtare është rikthyer edhe Ermir Lenjani, pas përplasjeve që pati me ish-trajnerin e Kombëtares, Christian Panucci.

“Nuk dua të flas shumë për letrën ndaj Panuccit. Të gjithë e kanë lexuar. Më ka ardhur shumë inat për atë çfarë ndodhi me Panuccin, ai nuk mund të jetë më shqiptar sesa unë. Jam aktivizuar në shumë ndeshje dhe nuk u grumbullova. Nuk di ç’të them. Sfida me Islandën do të jetë e vështirë, pasi është ekip i fortë, ndërkohë që do të shohim se çfarë do të ndodhë në sfidën e dytë ndaj Moldavisë”, tha Ermir Lenjani.

Kombëtarja shqiptare do të luajë ndaj Islandës më 8 qershor, ndërsa sfidën me Moldavinë do ta luajë më 11 qershor në “Elbasan Arena”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *