Categories
Lajme

Kur Garda shpërblehej pas vrasjeve. Për 21 Janarin Berisha dha 197 milionë lekë. Të parit, Ndrea Prendit

Çfarë ndodhte korridoreve të Ministrisë së Brendshme dhe të Gardës së Republikës një ditë pas demonstratës së 21 Janarit, gjatë së cilës katër protestues u vranë në Bulevard? Top Channel zbulon dosjen ku tregohet se ndonëse prokuroria kërkonte të dërgonte në qeli një sërë zyrtarësh të Gardës, në të njëjtën kohë, sipas një vendimi të Këshillit të Ministrave, atyre u garantohet mbrojtje duke i shpërblyer për këtë ngjarje me motivacionin “RUAJTJE E RENDIT DHE SIGURISË”.

Dhënie e shpërblimit në masën 4 paga mujore të gjithë punonjësve të policisë, Gardës së Republikës dhe Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm.

Fondi i vendosur në dispozicion është 197,566,096 lekë. Mes të shpërblyerve qëndron në krye të listave emri i Ndrea Prendit, komandant i Gardës së Republikës, që për 21 Janarin shpërblehet me katër paga mujore. Jo vetëm kaq, po ai listohet edhe si i plagosur pavarësisht se diçka e tillë nuk u referua kurrë në dosjen penale. Është vetë Ndrea Prendi që e konsideron veten të plagosur të protestës, duke përfshirë edhe të tjerë sikurse Agim Llupon, apo edhe shoferin e tij Margarit Kume.

Në fakt, siç rezultoi më pas, Ndrea Prendi dhe Agim Llupo u shpallën fajtorë për vrasjen e Faik Myrtajt dhe Ziver Veizit.

Dhe ndërsa zhvillohej një betejë e hapur mes policisë dhe prokurorisë, pasi kjo e fundit kërkonte të dërgonte në qeli një sërë zyrtarësh të Gardës për demonstratën me katër të vrarë, Garda merr bonusin e dytë, pikërisht pas zgjedhjeve vendore të 8 majit. Është koha kur ish-prokurorja e përgjithshme e asaj kohe, Ina Rama sulmohet hapur për hetimet ndaj Gardës, ndërsa autoritetet vazhdojnë t’u garantojnë mbrojtje, 47 prej tyre gradohen.

Shkresa mban datën 1 qershor 2011 dhe sërish edhe aty kryeson emri i Ndrea Prendit, i cili shpërblehet sërish për disiplinë dhe orë shtesë pune që nga protesta e janarit deri në muajin maj. Ai shpërblehet kësaj radhe nga ministri tjetër i Brendshëm, Bujar Nishani i cili në të njëjtën kohë kur emri i Prendit përmendej në prokurori, i firmos edhe katër paga të tjera për përkushtimin dhe realizimin e detyrave, mes tyre edhe për veprimtarinë e Gardës në fushatën elektorale.

Këto dokumenta tregojnë se përse 21 Janari nuk u hetua asnjëherë ashtu siç duhet dhe se përse gjykatat dështuan në dhënien e drejtësisë për 4 protestues të vrarë në bulevard.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *