Në veprën e Kadaresë është një tjetër çift i martuar me diferencë të madhe moshe. Ai është Ali Pashë Tepelena dhe Vasiliqia te romani “Kamarja e turpit”. Sipas romanit, Vasiliqia qe bashkëshorte besnike e Aliut .
Ndoshta për herë të parë e tradhtoi me mendje me Bajronin kur ky qe mik tek ta. I pari njeri të cilit Aliu i besoi planin e tij kundër Perandorisë Otomane ishte ajo dhe i pari person që e paralajmëroi se ajo që po bënte do ta përballte me pasoja qe ajo. “Do të bëj luftë me sulltanin”, i tha Aliu një natë vjeshte. “Po ai është llamba e botës”, i tha ajo. “Do ta shuaj atë llambë” iu përgjigj ai. Dhe pse dashuria nuk është boshti i këtij romani historik shumë kritikë janë marrë me pasazhet e gjata që tregojnë emocionet mes këtij çifti të rrallë bashkëshortësh. Fakti që pas vrasjes së Aliut ajo mori disa propozime për martesë dhe nuk i pranoi tregon dashurinë që kishte ndaj tij. Marius Dobreskut i është dashur vetëm katër muaj të sjellë në gjuhën rumune një nga librat që Kadare e shkroi në vitet ’70, “Kamarja e turpit”; një roman që duket që ka qenë në hapësirën e tij për vetë tërheqjen që ka nga historia. Shumë pak i përfolur sa herë flitet për veprat e Kadaresë “Kamarja e turpit” është një roman i guximshëm për kohën kur është shkruar duke dashur të hedhë dritë mbi periudhën e perandorisë otomane dhe një personazh i cili ende është i veshur me mister Ali Pashë Tepelenën. E përkthyer në anglisht nga John Hodgson “Kamarja e turpit”, është kandidat për cmimin “Man Booker”.
“Kamarja e turpit” ka vetëm pak kohë që ka dalë në gjuhën rumune. Si ka qenë koha gjatë përkthimit të këtij romani?
Përkthimi i “Kamares së turpit” u zgjat më pak se 4 muaj. Kohë e shkurtër për një roman. Si shpjegohet kjo? E thashë në një intervistë tjetër për shtypin shqiptar: tekstet e Kadaresë janë një mjedis shumë i njohur për mua. Në to e ndiej veten si peshku në ujë. Mënyra e tij e shkrimit m’u bë pra shumë familjare dhe, pavetëdijshëm, tekstet e mia kanë diçka nga stili i tij. Mund të them se jetoj në atmosferën e veprës kadareane. Dhe kjo prej shumë vjetësh. Pavarësisht nga këto që thashë, gjatë punës ka situata kur hap fjalorin ose ndonjë vepër shkencore për të kuptuar terma specifike apo fjalë shumë pak të përdorura në gjuhën e sotme. Teksti i romanit ka mjaft gjëra të reja për mua dhe për lexuesin rumun. Ndoshta edhe për atë shqiptar. Atmosfera e përgjithshme, gjithë ato institucionet e shtetit osman, praktikat e nëpunësve turq janë për ne, njerëzit e shekullit 21, gjëra të panjohura dhe misterioze. Për t’i shpjeguar plotësisht mekanizmat e terrorit shtetëror që mbizotëronte në perandorinë osmane duhet të punoj me një dokumentacion historik të specializuar. Disa herë kuptimi del nga konteksti, sepse ka fjalë që nuk gjenden në fjalor dhe kanë dalë nga përdorimi, disa herë improvizoj. Dhe, ashtu siç bën autori vetë në gjuhën shqipe, krijoj fjalë apo shprehje të tëra që nuk ekzistojnë në gjuhën rumune, luaj me fjalët e kështu me radhë. Por në fund të fundit, puna me tekstet e Kadaresë është një ushtrim mendor që më prodhon shumë kënaqësi.
Çfarë ndryshimi ndien një përkthyes nga një libër në tjetrin të të njëjtit autor?
Patjetër se puna është e njëjtë, por ka edhe mjaft ndryshime. Mbi të gjitha janë ndryshimet stilistike, pra përkthyesi duhet të gjejë mënyrën e të shprehurit më të përshtatshme në gjuhën e vetë. Romani “Hija”, për shembull, ka një atmosferë të rëndë, që të merr frymën. Është atmosfera e periudhës komuniste, kur miliona njerëz jetonin me shpatën e Damokleut sipër kokës. Subjekti i novelës “Prilli i thyer” është po ashtu i zymtë, por është një zymtësi tjetër, të lidhur me fatin e njeriut që u zu rob prej mekanizmit të gjakmarrjes. Prandaj, edhe toni i tekstit është tjetër dhe përkthimi duhet t’i përshtatet këtij konteksti. Nga ana tjetër, vetë subjekti i veprës të fut në realitete të ndryshme. Të kemi parasysh vetëm tri a katër vepra: “Dimri”, “Piramida”, “Kush e solli Doruntinën” dhe “Viti i mbrapshtë”. Diferencat janë kolosale. Si përkthyes duhet t’i përshtatesh sa më mirë secilës prej tyre dhe teksti yt të tingëllojë sikurse është shkruar në gjuhën tënde. Kjo është prova përfundimtare. Sepse, në fund të fundit, “Kamarja e turpit”, në gjuhën rumune, i përket letërsisë rumune.
Mbaron koha jote me një libër momentin kur përkthimi ka përfunduar apo subjekti dhe ndjesi të tij vazhdojnë të qëndrojnë te ju. Si ndodhi me “Kamaren e Turpit”?
Patjetër se subjekti të zotëron edhe ca kohë, në disa raste vite me radhë. Si lexues kam edhe unë disa vepra të preferuara nga Ismaili, vepra që më ndjekin prej shumë kohësh. Njëra prej tyre është “Kasnecët e shiut”. Kjo vjen ndoshta nga prirjet e mia për letërsinë historike, për histori. Sepse unë, para se të vija në Shqipëri si student, studiova një vit në Bukuresht për histori. Duke u nisur nga ky roman, nga “Kasnecët” pra, u bëra kurioz për historinë e Perandorisë Osmane dhe për sistemin ushtarak osman. Bile kam filluar të mësoj gjuhën turke… Duket qesharake, por është e vërtetë.
Libri është i ndërtuar mbi personazhe historike. Duke parë kontekstin e kohës kur Kadare e shkroi këtë vepër vitet ‘70. Si vijnë këto personazhe?
Po, fjala është për shtetin kriminel. Për terrorin shtetëror. Ne, rumunet, kemi një fjalë të urtë, themi “Peshku i madh e gëlltit të voglin”. Pra shteti i madh osman e gëlltit principatën e vogël të Ali Pashait. Diktatori botëror, sulltani, e shtyp diktatorin e vogël të Janinës, Aliun. Për ata që njohin historinë e Shqipërisë nuk është e vështirë të transferojnë faktet e romanit nga fillimi i shekullit të 19 në fund të shekullit të 20, kur diktatori (peshku i madh, Enver Hoxha)) e sakrifikon shokun e vet (Mehmet Shehu) në altar të ambicieve të veta. Pastaj kamarja vet, si mjet shtypjeje psikike, na kujton mjetet e propagandës komuniste, proceset publike, fletërrufetë e kështu me radhë. Pra në histori faktet përsëriten dhe personazhet janë të ngjashme.
Për shkak dhe të informacioneve të cunguara në ato vite si e sheh personazhin e Ali Pashës të realizuar nga Kadare?
Mbi Ali Pashë Tepelenën kemi dëshmi të vjetra (p.sh. përshkrimi i Byron-it në poemën e tij “Childe Harold”), por është shkruar mjaft edhe në kohën e komunizmit. Në disa shkrime, duke pasur gjithmonë parasysh kontekstin historik, pashai i Janinës del gati si hero kombëtar. Ishte koha kur Shqipëria e vogël e konsideronte vetveten si një vend heroik që ballafaqohej me fuqitë e botës me revizionistët dhe imperialistët botërorë. Prandaj figura e pashait simbolizonte rezistencën shqiptare në të gjitha frontet. Por ja se Ali Pashai i Kadaresë na del si një tiran i vërtetë, i urryer nga vetë populli shqiptar, i cili nuk reagon fare atëherë kur diktatori është në rrezik ta humbasë kokën. Nga ana tjetër, shkrimtari e përshkruan sulltanin si njeri durimmadh, i cili e fal disa herë Aliun, por ama kur e humbet durimin e shkatërron atë dhe projekton shkombëtarizimin e popullit shqiptar. Duke e krahasuar me Skënderbeun, Kadare e klasifikon pa hezitim Aliun në kategorinë e diktatorëve më gjakësorë të historisë shqiptare. Krahas Enver Hoxhës. Nga kjo pikëpamje, paralelja me personazhet e kohës sonë është shumë e dukshme.
Dashuria është një tjetër shtyllë e këtij libri. Kadare nënvizon faktin se Vasiliqia e ka dashur vërtet Aliun?
Personazhi Vasiliqia më duket shumë misterioz. Ajo është gruaja e re e Aliut dhe një femër akoma e paformuar. Përpara krimeve të pashait ka një pozitë normale: tmerrohet dhe e gjykon ashpër në veten e saj. Por nuk guxon ta kundërshtojë. Po ashtu ndodh edhe atëherë kur Aliu i tregon mbi projektin e jetës së tij: krijimin i një shteti shqiptar të pavarur. Ajo s’kupton prapë asgjë. Në momentin e vrasjes së tij ajo tmerrohet për fatin e vet, por përfundon duke bashkëpunuar me ushtarakët turq. Si në roman, ashtu si në realitet, ajo është një viktimë e pashait. Nuk besoj se e donte Aliun, ia kishte më tepër frikën.
Cila është pjesa më e dashur për ty në këtë roman?
Personalisht, preferoj skenën ku nëpunësit e shtetit tregojnë se si bëhet shkombëtarizimi i popujve. Duke i dëgjuar ata arrin të kuptosh filozofinë jetike të një perandorie të fuqishme, mënyrën se si ajo di të shfrytëzojë përvojën e të parëve aziatikë, të themeluesve të shtetit në shërbim të së ardhmes. Nga kjo pikëpamje, gjatë historisë së saj Perandoria Osmane u tregua me të vërtetë gjeniale. Mendoni vetëm çfarë trashëgimie la ajo në Gadishullin Ballkanik, me të mira e të këqija.
Gjatë procesit të përkthimit ndodh që përkthyesi e gjykon shkrimtarin?
Në përgjithësi, jo. Por dihet fakti se çdo shkrimtar të kalibrit të Kadaresë ka disa vepra të shkëlqyera, mjaft vepra të mira dhe disa të tjera të dobëta. Kam hasur shumë rrallë situata kur e ndërpres punën për shkak se nuk jam i bindur për vlerën e veprës. Zakonisht, para se të filloj e lexoj mirë e mirë tekstin. Kam pasur raste kur refuzova ndonjë bashkëpunim për arsyen që thashë. Nuk e kam fjalën për Ismailin. Nga ky shkrimtar janë botuar në Rumani 26 vëllime, me më shumë se 40 vepra. Përveç “Dimrit” dhe “Koncertit” të gjitha prozat e Kadaresë qenë bestsellerë në Rumani.
Çfarë po përktheni tani?
Bashkëpunimi im me shtëpinë botuese “Humanitas”, botuesi më i mirë te ne, vazhdon sivjet me një vëllim novelash historike të “ciklit osman”: “Kisha e Sh. Sofisë”, “Vjedhja e gjumit mbretëror”, “Qorrfermani”, “Lamtumira e së keqes” dhe “Breznitë e Hankonateve”. Janë tekste të fuqishme, me simbolikë të fortë dhe personazhe të spikatshëm. Shpresoj që në gusht-shtator do të mund ta dorëzoj shtëpisë botuese. Pastaj do të shohim./Alda Bardhyli