Categories
Gjuha Shqipe

Morfologji emrash të përveçëm

Sistemi morfologjik i emrave të përveçëm të njerëzve në shqipe përmban një anomali: emrat femërorë të tipit Zana, Silva, Teuta kanë humbur trajtën e pashquar (Zanë, Silvë, Teutë).

Në ç’rrethana ka ndodhur kjo?

Së pari, duhet sqaruar se kategoria e shquarsisë në emrat e përveçëm ka natyrë sintaksore vetëm, meqë nuk luan ndonjë rol kuptimor të krahasueshëm me shquarsinë në emrat e përgjithshëm.

Së dyti, emrat e përveçëm të njerëzve dalin në trajtë të pashquar vetëm në disa pozicione sintaksore – p.sh. në bashkëvajtje me mbiemrin: Agron Dashi, Liri Pashaj, Riza Boga, Lume Skëndi (në këtë rast është mbiemri që lakohet: takova Agron Dashin, i thashë Agron Dashit); ose në përdorime thirrore (o Agron, o Riza, o Liri, o Lume); ose në fund të një letre a mesazhi (yti, Agron); në pozicion kallzuesor (e quajtën Sulejman, ia vunë emrin Liri); ose pas disa mbiemrave të pacaktuar ose pyetës (nuk njoh ndonjë Sulejman unë; erdhi një Stefan dhe të kërkoi; për cilën Lume e ke fjalën).

Tani, në të gjitha ato raste kur emrat e përveçëm të njerëzve dalin zakonisht në trajtë të pashquar, një kategori e këtyre emrave, dhe pikërisht emrat femërorë që në të pashquarën duhej të dilnin me –ë të patheksuar, dalin rregullisht në trajtë të shquar: Zana Koçi, takova Zana Koçin, o Zana, ia vunë emrin Zana, nuk njoh ndonjë Zana unë, etj.

Trajta të tilla si Zanë pothuajse kanë dalë nga përdorimi, ose edhe kur përdoren akoma, tingëllojnë krejt arkaike.

Dukuria është më tepër e natyrës morfonologjike, meqë nuk i prek femërorët e tjerë të përveçëm (Liri, Lume, Sabahet, Nefo).

Për këtë arsye, edhe shpjegimi do kërkuar në disa zhvillime morfonologjike.

Për mendimin tim, zanafilla e kësaj dukurie do kërkuar në dobësimin e fundores –ë të patheksuar në gjuhën shqipe. Ky dobësim shkaktohet, siç dihet, nga natyra e theksit të fjalës shqipe (dinamik) dhe nga vetë natyra e brishtë e ë-së së patheksuar, e cila priret të tkurret e të bjerë edhe në pozicione të tjera.

Në sistemin e lakimit emëror, –ë-ja fundore vërtet shërben për të shenjuar një tip lakimi (më –a), por bjerrja e saj nuk krijon ndonjë problem, sa kohë që tipi i lakimit është i sistematizuar – dihet që vajzë do të bëjë vajza në trajtën e shquar, pavarësisht nga sa dëgjohet fundorja –ë në trajtën e pashquar.

Nga ana tjetër, si prapashtesë mocionale (ose për formimin e emrave të gjinisë femërore), –ë-ja fundore nuk është më aktive, dhe ndeshet në shumë pak emra, si plak/plakë.

Duke mbajtur parasysh sa më sipër, mund të supozojmë se problemi me trajta të tilla si Zanë, Dianë, Teutë erdhi e u përvijua që nga momenti kur në shqipe nisën të përdoren trajta të dyfishta të tilla si Arian/Arianë, Adrian/Adrianë, Ilirian/Ilirianë, Ermir/Ermirë, Zamir/Zamirë, SaimirIlir/Ilirë, Dorian/Dorianë, etj., ku i vetmi dallim midis emrit mashkullor dhe emrit femëror, në trajtën e pashquar, është –ë-ja fundore (mocionale) e femërores.

Në kushtet kur kjo –ë e pashquar fundore, në gjuhën shqipe, ka ardhur duke u dobësuar për arsye thjesht fonetike, edhe dallimi mes formave mashkullore dhe femërore është vështirësuar, sidomos në pozicionin emër + mbiemër:

Arian Sejko/Arianë Sejko

Ku është e rëndësishme, nga pikëpamja kuptimore, që ky dallim të shprehet qartë; meqë emrin femëror Arianë Sejko vetëm –ë-ja fundore e dallon nga emri mashkullor Arian Sejko.

Në këto rrethana, meqë edhe ndërtimi emër + mbiemër përdoret zakonisht i pashoqëruar nga përcaktorë (p.sh. nga mbiemra cilësorë, që do të lejonin identifikimin gjinor), shqipja ka kompensuar duke e zëvendësuar formën e dobët Arianë me formën e fortë Ariana, meqë shenjimi i gjinisë, këtu, ka përparësi ndaj integritetit të sistemit të lakimit; sidomos sa kohë që, me emrat e përveçëm të njerëzve, shquarsia nuk luan asnjë rol tjetër, veç atij sintaksor.

Kështu është kaluar nga Arian Sejko/Arianë Sejko, në Arian Sejko/Ariana Sejko, ku nyja shquese e prapavendosur –a është përshtatur tashmë, në formë sinkretike, si prapashtesë mocionale (që shërben për të formuar emra të gjinisë femërore).

Pas kësaj, format në trajtë të shquar (Ariana) kanë zëvendësuar trajtën e pashquar në të gjitha përdorimet ku pritej, gramatikisht, kjo e fundit: o Ariana, e dashur Ariana, nuk njoh ndonjë Ariana, cilën Ariana, etj. Në të gjitha këto raste, zëvendësimi ka shërbyer për ta mbajtur të fortë dallimin gjinor (o Arian vs. o Ariana), i cili përndryshe do të humbiste, në një trajtë si o Arianë, ku fundorja –ë rrezikohet të mos dëgjohet më, për arsyet fonetike që u përmendën më lart.

Duhet vërejtur edhe se këtë zhvendosje e ka ndihmuar fort edhe hyrja masive, në shqipe, e emrave të përveçëm femërorë nga gjuhë të tjera, sidomos italishtja, me një trajtë që në shqipe është perceptuar si e shquar: Silvana, Mirela, Zhaneta, Luiza, Miranda, Marjeta, Violeta, Suzana, Ana, Rebeka, Liliana, Katerina, Roza, Marjana, Aurora, etj. Për emra të tillë, trajta e pashquar (Silvanë, Mirelë, etj.) do të përfaqësonte një rindërtim brendagjuhësor, për të cilin nuk kishte më nevojë.

Në një fazë të tretë, forma më –a u përgjithësua, me rrugë analogjike, në emrat e tjerë të përveçëm femërorë, pavarësisht nga burimi i tyre: Vjollca, Zana, Valbona, Shpresa, Vesa, Lauresha, Mira, Drita, Majlinda, etj. Të vërehet, për këta emra, edhe që format apelative vjollcë, shpresë, laureshë, dritë etj. dalin normalisht në trajtë të pashquar dhe nuk janë prekur asfare nga kjo dukuri.

Për t’u shënuar, më në fund, një zhvillim i ri brenda së njëjtës dukuri, që gjithnjë lidhet me dobësinë e kategorisë së shquarsisë brenda klasës së emrave të përveçëm të njerëzve: prirja për t’i përdorur format e shkurtra të emrave mashkullorë në trajtë të shquar, edhe në ato kontekste ku normalisht do të priteshin trajta të pashquara: Titi, Miri, Goni, Koli, Çimi, Beni, Edi, Adi, Ani, Tani, Ladi, etj., në forma thirrore (o Titi, o Beni, o Goni, o Edi, o Miri, o Koli, o Çimi, o Toni, o Adi, o Ladi;këtu nuk duhet përjashtuar që fundorja –i/u të jetë përshtatur tashmë në rolin e një mbarese të thirrores); si dhe ndonjëherë në format kanonike: Titi Tamburi (por Tan Alushi, Gon Pekmezi). Ky zhvillim, për momentin, shprehet më aktivisht në format thirrore sesa gjetiu; dhe situata mbetet shumë fluide, me të dy trajtat aktive: o Çimi/o Çim, o Ladi/o Lad; i dashur Goni/i dashur Gon etj. Çuditërisht, emra fonetikisht të ngjashëm, si Gjergj, Gjin, Gjon nuk marrin pjesë në këtë proces. Dukuria është më e shprehur në toskërishten (khs. Pal Vata/Pali Miska).

Nuk mund të thuhet se këtu ka vepruar ndonjë arsye morfonologjike; por edhe ndikimi i tërthortë me çfarë ka ndodhur me klasën e emrave femërorë të tipit Ariana nuk mund të shpërfillet kurrsesi, të paktën sa i takon dobësimit të shquarsisë, si kategori morfo-semantike, në emrat e përveçëm të njerëzve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *