Categories
Histori Të gjitha

Në bukël lidhet historia e Ilirëve dhe Arbërorëve

Është fillimi i viteve 60 kur në zonën e Buklit në Mirditë nisën të dalin disa objekte mjaft interesante nga nëntoka. Arkeologu i ndjerë Skënder Anamali kujton në një botim shkencor të publikuar në vitin 1971 se zbulimet e para ishin të rastësishme dhe se ato u dorëzuan në sektorin përkatës të arkeologjisë nga etnologu i famshëm shqiptar Mark Tirta, në atë kohë mësues i zonës.

Nga Marin Mema

Është fillimi i viteve 60 kur në zonën e Buklit në Mirditë nisën të dalin disa objekte mjaft interesante nga nëntoka. Arkeologu i ndjerë Skënder Anamali kujton në një botim shkencor të publikuar në vitin 1971 se zbulimet e para ishin të rastësishme dhe se ato u dorëzuan në sektorin përkatës të arkeologjisë nga etnologu i famshëm shqiptar Mark Tirta, në atë kohë mësues i zonës.

Materialet patën dalë në dritë nga disa varre të zbuluara prej rrëshqitjeve të tokës e sipas specialistëve i përkisnin periudhës mesjetare.

Sigurisht ato shërbyen si një pikënisje, por askush nuk dinte nëse në Bukël këto zbulime ishin sporadike apo nëntoka fshihte diçka më shumë

Përgjigjen do ta jepnin gërmimet e vitit 1963 siç shkruhet në revistën “Iliria” ku Skënder Anamali, D.Komata dhe ekspertë të tjerë nxorën në dritë jo pak, por 53 varre dhe një material arkeologjik mjaft të pasur.

Si pjesë e malësisë së Mirditës Bukli jo larg Shën Palit u kthye në një thesar të jashtëzakonshëm të trashëgimisë dhe kulturës , duke ngërthyer në të njëjtën kohë një histori sa tërheqëse aq edhe enigmatike.

Të gjitha objektet arkeologjike të ngjashme me të tjera të zbuluara të zona të ndryshme të vendit dëshmuan për atë që njihet si kultura e hershme shqiptare. Vendprehjet sipas arkeologëve i përkasin periudhës nga shekulli i VI  deri në atë të VIII, pra janë hallka lidhëse mes ilirëve dhe arbërorëve të mëpasshëm.

Sipas inventarit të kryer gjatë gërmimeve rezulton se përtej uniformitetit të ndërtimit të varreve, objektet e gjetura ishin të ndryshme dhe mjaft interesante.

E gjithë varreza përfshinte një sipërfaqe të madhe ç’ka dallohet edhe në skemën e realizuar në atë kohë.  Si drejtues i punimeve arkeologu Skënder Anamali ka realizuar një inventar të detajuar të çdo objekti të zbuluar, që më pas është analizuar në mënyrë të detajuar.

Fotografitë e publikuara tek “Iliria” janë një dëshmi e këtyre zbulimeve kaq të rëndësishme.

Si një hapësirë e pasur , Mirdita nuk ka dhënë prova të tilla të prekshme të kulturës së hershme shqiptare vetëm në varrezën e Buklit.

Zbulime të tjera arkeologjike janë bërë që në atë kohë në fshatin Malaj, Kaçinar, Perlat, Bukmirë, Vig, Orosh e me rradhë. Duhet saktësuar se Mirdita mbetet një nga zonat më pak të hulumtuara, apo thënë më qartë, një hapësirë ku gërmimet arkeologjike pak janë ndalur në mënyrë të organizuar.

Mirdita e fisit ilir të Pirustëve prêt ende të flasë e të tregojë historinë që qëndron e fshehur nëntokë me shpresën se dikur diçka do të ndryshojë.

EKSKLUZIVE PËR TIRANA TODAY, NGA MARIN MEMA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *