Gjoba të cilat variojnë nga 120.000 lekë në 400.000 lekë janë masat e marra nga Bordi i Autoritetit të Mediave Audiovizive në mbledhjen e së mërkurës ndaj disa televizioneve.
Masat administrative me gjobë janë vënë për arsye të ndryshme, nga nxitja e dhunës, tek reklamat e fshehura, por edhe për cënim të privatësisë.
Njoftimi i AMA-s
Bordi i Autoritetit të Mediave Audiovizive në mbledhjen e ditës së sotme mori masë për disa Operatorë të Shërbimeve Mediatike Audiovizive.
Bazuar në ankesat e ardhura në drejtim të AMA-s, Këshilli i Ankesave mori në shqyrtim dhe propozoi Bordit masën përkatëse për rastet e mëposhtme:
Televizioni Ora News
Masën administrative me gjobë në vlerën 400.000 lekë, ndaj Televizionit Ora News, për emisionin “Ju flet Moska”, të transmetuar në datën 18 Mars 2019 me temën “Skënderbeu dhe vrasjet në xhamitë e Zelandës së Re”.
Bordi çmon se deklarime të tilla janë në shkelje të Ligjit nr.97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar. Këto deklarime nxisin intolerancën ndërmjet shtetasve, nxisin dhe justifikojnë dhunën, nuk respektojnë gjuhën dhe larminë e traditave, besimeve fetare, kulturës dhe moralit të qytetarëve. Shkelja e këtyre parimeve ligjore gjatë këtij transmetimi përbën nxitje të urrejtjes mbi baza fetare dhe, si e tillë, është e dënueshme nga ligji.
Televizioni Report TV
Masën admministrative me gjobë në vlerën 200.000 lekë, ndaj Televizionit Report TV, pasi në emisionin “Pa gjurmë”, të datës 14.01.2019, janë dhunuar të drejtat e një fëmije, duke cenuar privatësinë dhe dinjitetin e tij.
Gjatë këtij emisioni është shkelur Ligji nr.97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, i cili sanksionon detyrimin që, në transmetimet e tyre mediat audiovizive të ruajnë konfidencialitetin dhe të respektojnë privatësisë e fëmijës, si dhe Kodi i Transmetimit, në Seksioni 5 të tij, “Fëmijët në transmetimet audiovizive”.
Televizioni News 24
Masën administrative me gjobë në vlerën 120.000 lekë, ndaj Televizionit News 24, për edicionin informativ qendror të datës 15.03.2019 ora 19.00. Këshilli i Ankesave evidentoi dy reklama të fshehta të dhëna njëra pas tjetrës. Këto kronika bien ndesh me kërkesat e Ligjit nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, i cili në nenin 42, pika 1, përcakton se “komunikimet me natyrë tregtare në transmetimet
audiovizive duhet të jenë qartësisht të dallueshme si të tilla. Komunikimet me natyrë tregtare të fshehura janë të ndaluara”.
Gjithashtu, transmetimi brenda edicionit të lajmeve i dy kronikave shkel edhe nenin 44 të Ligjit 97/2013, për “vendosjen e produkteve gjatë programeve”, pasi insertet konsiderohen produkte.
Televizioni Klan
Masën administrative me gjobë në vlerën 120.000 lekë, ndaj Televizionit Klan, pasi në programin “Rudina”, të datës 27.03.2019, nuk janë respektuar kërkesat për reklamat dhe komunikimet tregtare.
Përmbajtja e transmetuar në pjesën e dytë të programit “Rudina” kishte dhe reklamë të fshehur, që përbën mosrespektim të kërkesave të Ligjit nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, nenin 42, pika 1, si dhe nenin 44.
Ndërkohë, që të intervistuarit kanë shkelur dhe “Kodin e etikës dhe deontologjisë mjekësore”, pika 3 e nenit 60 ku ndalohet për mjekun, “të merret me reklama a publicitet të çfarëdo lloji, me përjashtim të rasteve kur këto kanë qëllim shkencor apo edukativ. Në këtë rast, mjeku duhet të bëjë kujdes që publiciteti të jetë objektiv dhe në përshtatje me rregullat e deontologjisë mjekësore. Mjekut nuk i lejohet të bëjë asnjë publicitet në favor të aktivitetit të tij personal, apo të një institucioni të caktuar”.
Televizioni Ora News
Bordi vendos tërheqjen e vëmendjes për Televizionin Ora News, pasi në Emisionin “Why not”, të datës 07.04.2019, ora 19.00, rezulton në shkelje të normave ligjore dhe etike.
Bordi vëren se “fjalori i përdorur gjatë bashkëbisedimit dhe përgatitja e cigareve në studio, para kamerave, promovon përdorimin e duhanit dhe produkteve të tjera të tij, si dhe nxit fëmijët për përdorimin e këtyre produkteve të dëmshme jo vetëm për shëndetin e fëmijëve”.
Kjo jo vetëm që dëmton dhe cënon fëmmijet por gjithashtu bie ndesh me Ligjin organik dhe Kodin e Transmetimit, i cili detyron OSHMA-të të vendosin shenja paralajmëruese.
Transmetimet në Gjuhen e Shënjave
Bordi i AMA-s tërjeq vëmendjen operatorëve audiovizivë me licencë kombëtare për zbatimin e Ligjit nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, mbi transmetimet për personat me nevoja të veçanta shqisore dhe marrjen e masave për konkretizimin e transmetimeve me bazë gjuhën e shenjave.
Autoriteti i Mediave Audiovizive u ka bërë me dije OSHMA-ve, përmes njoftimeve zyrtare dhe shkresave të nisura, se në mbledhjen e parë të vitit 2019, Bordi i AMA-s ka vendosur tre prioritetet e monitorimit dhe vlerësimit të përmbajtjeve të emetuara, të cilat janë: -mbrojtja e fëmijëve në transmetimet audiovizive; -Reklamat e Fshehura dhe Komunikimet Tregtare; – Programet audiovizive me karakter informimin mbi shëndetin dhe medikamentet.
Masat e sotme janë rrjedhojë e disa tërheqjeve të vëmendjes ndaj këtyre subjekteve për të respektuar këto tre prioritete. AMA gjen rastin të apelojë operatorët mediatikë që të respektojnë ligjin dhe kodin e
transmetimit gjatë veprimtarisë së tyre./Top Channel
One reply on “Reklama të fshehura, nxitje dhune dhe cenim privatësie, AMA gjoba për disa televizione”
Good day! Do you know if they make any plugins to help with SEO?
I’m trying to get my site to rank for some targeted keywords
but I’m not seeing very good results. If you know of any please share.
Thanks! I saw similar blog here: Eco blankets