Mbërrin në atdhe trupi i pajetë i major Klodian Tanushit, Dëshmorit të atdheut, i cili u vra në krye të detyrës ndërsa ishte me mision në Letoni.
Arkëmorti i mbuluar me flamurin e kuq mbahet në krahë nga kolegët e tij, ndërsa në aeroportin e Rinasit kanë dalë për ta pritur, Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, shefi i shtabi i FA, prindërit, bashkëshortja, djali i madh dhe kolegë të tij.
Trupi i major Tanushit do të përcillet në varrezat “Dëshmorët e Kombit” ku edhe do t’i jepte lamtumira e fundit. Lamturia e tij do t’i jepet po në të njëjtën ditë me atë të efektives së ndjerë të FA, Zarife Muharrem Hasanaj.
Shpërthimi i një mine në kampin “Adazi” të Letonisë u mori jetën dy ushtarakëve shqiptarë, Zarife Hasanaj dhe Klodian Tanushit, i cili ishte komandant i kontigjentit shqiptar. Major Tanushi ndërroi jetë katër ditë pas ngjarjes së rëndë në një nga spitalet e Letonisë për shkak të lëndimeve të shumta.
Pak javë me parë, kontigjenti shqiptar fitoi garën e zhvilluar në bazën ushtarake Camp Adazi si ekipi me i mirë në vrap. Fotoja me kupën e fituar dhe që e mban në dorë majori i ndjerë Klodjan Tanushi, i përket pikërisht asaj dite.
Por kush ishte major Klodian Tanushi?
Major Klodian Nikolla TANUSHI lindur në Dibër më 31.10.1980, fëmija i pare i familjes Tanushi. I martuar dhe me tre fëmijë (dy djem dhe një vajzë) përkatësisht 14 vjeç, 11 vjeç dhe 1 vjeç e gjysmë.
Në vitin 1999 ka përfunduar shkollën e mesme profesionale “Nazmi Rushiti” në profilin “Motorist xhenerik”. Nga viti 2000 deri në vitin 2003 ka ndjekur studimet në Akademinë Ushtarake Skëndërbej. Ka kryer kurse funksionale EOD Niveli I-re “Për asgjesimin e municioneve me eksploziv”
Ka marrë pjesë ne kursin “EUFOR Mine Awareness Instructor Course”. Pas përfundimit të Akademisë është titulluar oficer dhe me urdhër nr.9628 datë 18.09.2003 ka marrë gradën e “Nëntogerit”. Në vitin 2006 ka marrë gradën e “Togerit”, në vitin 2010 ka marrë gradën e “Kapitenit” dhe në vitin 2017 ka marrë gradën e “Majorit”.
Gjatë karrierës së tij ushtarake ka kryer detyra si: Komandant Toge, Komandant Kompanie, Shef Seksioni, Specialist Operacionesh. Aktualisht me detyrë Komandant i Togës së pare të EOD.
Në 20.12.2018 është dërguar me mision në Operacionin Ushtarak të NATO-s në Riga, Letoni në përbërje të Grup-batalionit kanadez me detyrë Komandant i Kontigjentit shqiptar dhe përfaqësues i lartë ushtarak, me afat qëndrimi 6-mujor.
Gjatë karrierës së tij është vlerësuar me Medaljen e “Karrierës” nga Komandanti i Forces, Medaljen e “Shërbimit” nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Medalje shërbimi në Mision jashtë vendi si dhe Medaljen “Për pjesëmarrje në shërbime ndërkombëtare” nga Ministri i Mbrojtjes.