Categories
Histori Të gjitha

Historia e vërtetë e avionit amerikan që ra në Belsh të Elbasanit

C-53 përgjigjet në apel. Pas 73 vitesh gati për t’u kthyer në bazë

Ky është rasti i një avioni me histori të rrallë. Misioni i tij nuk zgjati me orë. C-53 nuk ishte thjeshtë një avion. Ai pat fatin të jetë një krijesë që do mbahet mend gjatë. Ka dekada që mungon në apel. Por erdhi çasti për t’u radhitur mes “heronjve” në panteon…

Ky është një tregim i pazakontë. Një triller mahnitës që të mban mbërthyer në çdo sekondë.  Një perlë që vjen nga Lufta e Dytë Botërore. Një ngjarje e pashoq me fund spektakolar…

Ata ranë në Çestije të Dumresë në vitin 1943, më 8 nëntor. Mes 30 të mbijetuarve, ishin edhe 13 ëngjëj në bord.  Ulja spektakolare, takimi me njerëzit më paqësorë në botë, djegia dhe copëtimi i avionit, strehimi i të mbijetuarve, jeta në familjen shqiptare, intenerari i lëvizjes, odisea 62 ditore e operacionit të shpëtimit për t’i dorëzuar tek aleatët, interesimi direkt i presidentit Ruzvelt, mbajtja sekret për dekada me radhë, përpjekjet për të gjetur pjesë të avionit të rënë dhe rrëfimi i jashtëzakonshëm i dëshmitarëve okularë. Të gjitha në një histori të pathënë kurrë më parë.

pjes të avjonit

Unë besoj se kam gjetur përfundimisht pjesë të avionit C-53 që ra më 8 nëntor 1943 në Çestije të Dumresë. Unë i preka vetë, i pashë. Dy reliket, një karrike dhe një tjetër që mund të jetë derë apo baxho, mbajnë numrat unikë të identifikimit. Karrikja zotëron kodin OR 6315, ndërsa pjesa tjetër ka numrin  ASSFM 507390.

Unë gjithashtu jam i bindur se kam zbuluar historinë e vërtetë të një prej ngjarjeve më drithëruese të aleatëve gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri. Një ankth me fund të lumtur.  Kam takuar dëshmitarë okularë që panë avionin si u rrëzua, njeriun që rendi i pari për ti takuar, personin që mban 2 pjesët autentike të avionit. Unë takova pronarët e banesë së vjetër mbi 100 vjeçare ku u strehuan 13 infermieret, mjekët dhe anëtarët e ekuipazhit. Unë besoj se misteri tashmë nuk ka për të na munduar.

Në vitin 2012 gazetarja amerikane Cate Lineberry qëndroi plot dy javë në Shqipëri për të rënë në gjurmë të avionit dhe dëshmitarëve të asaj periudhe. Por ekspedita e saj ishte i gabuar. Ajo e devijoi historinë në fshatin Tunxh dhe zonën e Sulovës ku ka rënë një tjetër avion e që nuk ka lidhje me historinë tonë. Më vonë u realizua edhe një dokumentar, por sërish e vërteta qëndronte e strukur atje, mes fshatrave të Dumresë.

Çestije, 72 vjet më parë

Skënder Kullolli ende nuk e imagjinon se ka në “pronësi” 2 relike të rralla të Luftës së Dytë Botërore. Është mrekulli se si këto pjesë të avionit kanë mbijetuar.  Në fakt duket se ato janë kujtimi më tronditës i jetës së tij. Sot, kur mban plot 78 vite mbi supe, ende i dridhet buza, ndërsa nis për të na treguar.

“Kam qenë 6 vjeç atëherë. Mbaj mend se ishim me dhi bashkë me gjyshin. Dëgjuam zhurmë në qiell. Megjithëse isha i vogël, kisha dëgjuar dhe kuptoja për luftën. Ndaj i thashë gjyshit: Të fshihemi se do na vrasin. Mos ki frikë, më tha, ndërsa më mbante pas vetes shtërnguar. Ndoshta e kuptoi që nuk ishin gjermanë. Një aeroplan aq të madh kurrë më parë sytë nuk na kishin takuar. U rrotullua disa herë në qiell pastaj ju drejtua anës gjolit të fshatit. Ishte vjeshtë e fundit dhe uji kishte shteruar për shkak të vapës së verës. U zvarrit 200-300 metra në tokë të butë e më pas ndaloi. Pritëm një çast pastaj u afruam. Ata hapën derën, dolën një e nga një dhe u rreshtuan. Haberi mori dhenë dhe banorë të fshatit tonë dhe fshatrave përreth u grumbulluan; ca nga kurioziteti, por edhe nga dëshira për t’i shpëtuar. Asnjëri nuk ishte vrarë. Vetëm njërin prej tyre pashë pak të plagosur në fytyrë. Mundet të ketë qenë piloti sepse, ai hynte e dilte nga avioni. Ndërsa të tjerët mu dukën pak të hutuar. Përpiqeshin të komunikonin me ne. Por nuk dinim gjuhën ndaj merreshim vesh me shenja.

Skënderi vazhdon: Pasi i vunë flakën avionit na thanë që ta shkallmonim. Na erdhi keq por pjesët metalike na hynin në punë. Morëm kazma, lopata, varre e mjete të tjera bujqësore dhe nisëm ta bënim copë e çikë. U mblodhën shumë njerëz. Kush merrte një copë llamarinë, kush xhama, kush hekura e teneqe. Unë mora një karrike dhe një derë. I tërhoqëm zvarrë me gjyshin dhe i dërguam në shtëpi. Avionit nuk i mbeti gjë. Vetëm dy motorë të mëdhenj pasi njerëzit nuk mund ti ngrinin. Rrotat i qenë zhytur thellë në baltë. Pas 2 ditë mundimesh, gërmuan dhe ja morën gomat dhe llastikun për opinga. Për ne karrikja ishte orendi e veçantë. E mbanim në ballë të konakut pasi nuk kishte një të ngjashme gjëkundi. Derën e vendosëm në plevicë. Kemi shembur e rindërtuar shtëpi, por këto janë dy objekte që ne kurrë nuk i kemi flakur. Sepse ato janë kujtimi më i bukur i jetës sonë dhe vlera qëndron në historinë që mbartin, në jetët e njerëzve që shpëtuam.

Xhevit Elezi sapo ka mbushur 86 vjeç. E gjej të shtrirë në një divan në verandën e shtëpisë. I gëzohet rrezeve të diellit dhe pleqërisë së artë. Është i moshuar, por mbahet mirë. Edhe mendjen e ka mjaft të kthjellët. Ai është i pari që rendi tek avioni, ndaj e tregon të qëruar dhe të plotë historinë.

Është i gatshëm të vijë vetë në liqenin e Çestijes. Mbështetet fort tek bastuni, por edhe ne i japim ndihmë. Ndërsa arrijmë, ndalon. Ngre kokën. Sheh rreth e përqark në qiell. Ngre ngadalë shkopin dhe nis e tregon historinë: Ishte ditë nëntori. Kishte mjegull dhe binte vazhdimisht një shi i butë. Avioni u rrotullua 5-6 herë mbi gjol. Pastaj u ul me kujdes atje në fillim dhe erdhi deri këtu tek këmbët e mia. Rrotat ju zhytën në baltë sepse toka ishte e butë. Kjo pjesë e gjolit ishte tharë atëherë. Atë vit bëri verë e nxehtë. Të ishte kohë tjetër do ishin mbyt.

I moçmi flet me pasion. Tashmë në gjuhë fjalët kanë zënë radhë. “Hapën derën dhe nxorën një flamur të bardhë. Ishin të tronditur dhe të frikësuar. Flisnin me njëri tjetrin në gjuhën e tyre. Nuk mbaj mend mirë se sa ishin. Mua mu dukën 15 vajza dhe 12 djem. Nuk kishte asnjë të vrarë. Njëri mu duk pak i plagosur. Por qëndronte në këmbë, si të tjerët dhe nuk u ankua asnjë çast. Unë u afrova dhe njëri prej tyre më përqafoi. Më pyetën: Ka gjermanë këtu? Unë i thashë: Jo. Atëherë më përqafuan më shumë. Pastaj aty u mblodhën shumë njerëz.

Aeroplani mu duk shumë i madh. Kishte dy helika të rënda, dritare, karrike dhe në mes një tapet të bukur. Lart në tavan kishte një tel që niste nga fillimi në fund.

Pasi folën me njëri-tjetrin, piloti shkoi tek aeroplani. Nxori prej andej një bidon me karburant. Duket menduan që të digjnin që të mos e pikasnin avionët gjermanë. Ndoshta donin të na mbronin edhe ne pasi gjermanët do bombardonin e do na kishin zhduk pa nam e nishan.

Ne të gjithë u larguam. Piloti hipi prapë lart. I furi flakën shishes dhe e hodhi brenda. Zjarri shpërtheu aq shumë sa e flaku disa metra larg. Çudi. Deri atëherë kish mbijetuar dhe për pak desh vdiq kur avioni shpërtheu në flakë.

Flaka nuk vazhdoi gjatë. Pastaj ata na bënë shenjë që ta shkatërronim avionin. Sa ishin aty, u sulën, morën vegla bujqësore dhe e shkatërruan avionin në pak kohë. Morën ç’të mundnin. Aty mbetën dy motorët dhe rrotat e zhytura në baltë. Pas dy ditësh i përlanë edhe rrotat ndërsa mbetjet e motorëve qëndruan edhe disa vite më pas deri sa i mori qeveria.

Por veç kësaj ngjarje, thellë në mendjen e tij, Xheviti ruan edhe një sekret me impulse djaloshare. Sytë i shndrijnë: Vajza të tilla kaq të bukura nuk  kam parë ndonjëherë. Ishin të gjata, me bel të hollë dhe fytyrën qumësht të bardhë. Vendosnin të kuq në buzë dhe unë i shihja me admirim. Ah  sa kam dashur ti shoh prapë. Burrat dhe gratë tona ishin sa gjysma e tyre, të shkurtër, me fytyrë të djegur, të veshur me shallvarë. Për ditë të tëra dhe vite më pas jetova me imazhin e tyre në mendje. Sikur ti takoja tani prapë…

Në shtëpinë e Zenajve në Merhojë

(Aty ku infermierët nisën të mjelin bagëtitë)

Dumreja është një nga zonat më të thata në Shqipëri. Vetë emri i trevës e ka origjinën nga fjala (ose lutja) që banorët i dërgonin Zotit “duam re” për shi. Por natyra ka kompensuar aty. I ka falë 86 liqene karstikë. Jeta lulëzon plot gjelbërim përreth oazeve të qetë . Një lloj “saharaje” shqiptare. Kodrat përreth, dikur ishin të veshura me shkurre dhe gurë.

Viti 1943. Luftë, zi, varfëri. Vështirë të siguroje bukën e gojës në këto anë.  Të moçmit tregojnë se nuk kishte banesa por kasolle thurur me purteka e mbuluar me kashtë. Rrallë gjeje shtëpi me gurë e me çati. Edhe drithi ishte me pakicë. Ndaj të gjithë i zuri një hall i madh. Si mund të ushqenin dhe strehonin më mirë “mysafirët” e rinj.

Xhevit Elezi kujton: Pasi avioni u dogj dhe u shkatërrua dhe pasi u siguruan se përreth nuk kishte gjermanë, ku do të shkonin këta njerëz vallë? Lëvizja pa krye mund të ishte shumë e rrezikshme. Pastaj mikpritja është virtyti ynë, ndaj u hapëm portat që të ndaheshin e të jetonin në grupe në kasollet e fshatit. Por kjo ide nuk u pëlqeu. Ndaj dikush tha: Të lajmërojmë Zenajt se ata kanë kullë të madhe dy katëshe dhe janë më të mbajturit në Dumre. Ashtu u bë. Dikush iku dhe i lajmëroi. Erdhën i morën dhe qëndruan atje për shumë ditë.

Kulla dy katëshe me gurë dhe mure të trashë mbahet ende e fortë. Kodërza ku është vendosur prezanton një panoramë të bukur. Kushdo që shkel aty ndjen kënaqësi në shpirt.  Në të dy anët ka liqene dhe përreth një gjelbërim magjik.

Kulla është e kyçur, por nuk kanë ndërmend ta prishin. Pasardhësit kanë kuptuar se historitë që mbart i japin më shumë vlera asaj.  E kanë konservuar siç është e po mendojnë ta riparojnë pa i hequr asgjë që trashëgon më parë.

Në pragun e saj na pret Lutfi Zena me bashkëshorten, Hurmanë. Ndërsa përshëndetemi kurioziteti na sëmbon zemrën dhe mezi presim të hyjmë në brendësi të saj.  Sapo çelim derën takohemi me surprizën e parë. Oda e miqve mban në tavan dekore dhe yje amerikane. Një kujtim i bukur në nder të mysafirëve amerikanë. Ndërsa shqiponja dy krenare ndodhet mbi oxhak.

Lutfiu nis të tregojë: Ishim “derë” e madhe në atë kohë. Gjyshi ynë kishte shumë bagëti e tokë. Ishte i kamur dhe ndërtoi kullën më të bukur në zonë. Ka moshë mbi 100 vjeçare. Babai, Mësuti, u kujdes dhe e meremetoi. Ai gjeti ustallarë, rregulloi tavanin dhe e dekoroi me yjet e amerikanëve.

Prindërit e mi, që dritë ju bëftë shpirti në atë botë, na flisnin shpesh për historinë. Sapo e morën vesh se çfarë kishte ndodhur hapën derën dhe u përpoqën t’u plotësonin çdo nevojë. Asnjëherë nuk vuri në diskutim rrezikun, dhe pse ishin kohë të vështira dhe gjermani mund të na bënte gjëmën. U munduan t’i mbanin sa më mirë. Gatuan bukë të ngrohtë misri, por nëna Selimja më tregonte se vetëm e shikonin, qeshnin e nuk e vinin në gojë. Ndoshta nuk kishin ngrënë kurrë atë drithë. Gjyshi theri një nga buajt dhe mori masa të gjente njerëz të shkonin në Lushnjë për të blerë bukë gruri.

Njoftoi Rrahman Uruçin që dinte anglisht pasi kishte mbaruar shkollën e Harri Fulcit. Ai erdhi, foli me ata dhe u tregoi se ndodheshin në Shqipëri dhe se ishin në vend të sigurt. U premtoi se do t’i ndihmojë. Piloti hoqi orën dhe ja fali. Dhe në atë çast i tha: Na ndihmo, na shpëtoni!

I hipi kalit dhe u nis për në Lushnjë. Bleu disa hejbe me bukë gruri. Kështu i mbajtëm. Për vete hanim bukë misri. Por për ata dhamë çdo gjë të mirë siç do bënte çdo shqiptar.

Tregon Hurmaja, infermieret nisën të mjelin bagëtitë dhe të gatuajnë me vjehrrën gjellë me çerjep (saç)

Bashkëshortja e Lutfiut, Hurmaja, kujton tregimet e së vjehrrës, Selimes. “ Na mblidhte shpesh ne katër nuset e shtëpisë dhe na tregonte për infermieret amerikane. Na thoshte se vajzat ishin shumë të sjellshme, të qeshura dhe të bënin për vete me shikimin e parë. I thonin vjehrrës- nënë Selime do flemë bashkë. E vendosnin në mes dhe flinin të qeta pranë saj. E ndihmonin në punët e shtëpisë. Fillimisht e shihnin çfarë bënte, pastaj i kërkonin- rri mos u lodh se i bëjmë ne të gjitha. Nisën të mjelin lopët dhe bagëtitë, të gatuanin me saç, të lanin e të shpëlanin me govatë. Se konceptonin të dilnin në banjë në natyrë. Kishin frikë. Por pastaj u pëlqeu të laheshin atje mes gjelbërimit me poç e kazan.  Vjehrra i kujtonte me shumë nostalgji ato kohë. Gjatë qëndrimit tek ne ata vizituan dhe mjekuan disa banorë në fshat. Kur ikën janë ndarë duke qarë…

Lutfi Zena vazhdon. U njoftuan partizanët të cilët erdhën dhe u kujdesën për amerikanët. Lip Kasa ishte korrieri i çetës. Ata i japin urdhër dhe i thonë se do t’i nisësh në drejtim të Greqisë. Bashkë me Rrahman Uruçin nisen për t’u larguar. Bien në pritë në afërsi të Kuçovës. Por në fund i dorëzojnë në një shtëpi në Berat.

Rënia mbi Çestije, versioni zyrtar

Skuadra 807 e Evakuimit të Transportit Mjekësor Ajror u themelua në Maj të vitit 1942 nga Gjeneral  David N.W. Grant.  Aty u rekrutuan të gjithë ata që kishin eksperienca fluturimi, ish stjuardesa, infermiere dhe mjekë vullnetarë. Ata u mblodhën në Bowman Field në Louisville, KY. U trajnuan para se të nisen me mision në mes të gushtit 1943.

Avioni luftarak C-53 i Luftës së Dytë Botërore mungon ende në apelin e Forcave Ajrore të Amerikës. Ai ra në jugperëndim të Elbasanit dhe falë zotësisë e manovrimeve të pilotit 30 anëtarët që ishin në bord, arritën të mbijetojnë. Historia zë fill më 8 nëntor të vitit 1943. C-53  ishte pjesë e skuadronit 807 të Evakuimit dhe Transportit Mjekësor Ajror me bazë në Catania në Siçili. Ky avion ishte nisur nga kjo bazë me mision për në Bari. Për shkak të motit të keq humbi  drejtim dhe një orë më pas është ndodhur në territor shqiptar. Sipas disa dëshmive të tjera, C-53 është zbuluar nga avionë gjermanë që patrullonin hapësirat e pushtuara të cilët janë vënë në ndjekje për ta asgjësuar. Këtu nis drama e 13 infermiereve dhe e 13 mjekëve si dhe 4 anëtarëve të ekuipazhit.

Pjesëtari i grupit Lawrence Abbott Jensen ka treguar se “C-53 udhëtonte nga Sicilia për në Bari për të marrë ushtarë të plagosur”.  Një stuhi e fortë  e shtyu avionin  në lindje në drejtim të Shqipërisë. Një orë më vonë, piloti arrin të identifikojë një pistë dhe përpiqet të ulet, por sulmohet nga antiajrorët gjermane. Mendohet se ka tentuar të ulet në Vlorë. Kështu që avioni vazhdoi të fluturojë në kuotë të ulët. Në ndjekje nga pas i janë vënë avionët gjermanë. Predhat nuk mundën ta kapin, karburanti tani ishte armiku më i madh.

Protagonistët nuk e dinin se ndodheshin në territor shqiptar. Ishin momente tmerri për të gjithë ata.  Piloti është përpjekur të gjejë një fushë ulje. Kodrat e Dumresë nuk jepnin asnjë shans. E vetmja shpresë ishte pak fushë nga liqeni i tharë. Arrin të manovrojë dhe bën mrekullinë duke i shpëtuar të gjithë të gjallë.  Ky ishte suksesi i shpresës së parë. Më tej nis aventura e shpëtimit. Një kalvar që do të vazhdonte mes peripecish pritjeje, ankthit dhe lodhjes së gjatë.

The Secret Rescue: An Untold Story of American Nurses and Medics Behind Enemy Lines

Lawrence Jensen saktëson;“ndodheshim në një zonë të izoluar nga shkurre e pyje dhe ku nuk dukej asgjë qartë”. Fillimisht është menduar se C-53 ka rënë në fshatin Tunxh në Klos të Elbasanit. Deri vonë në këtë vend kanë ekzistuar mbeturina të një avioni që më pas janë mbuluar dhe baltë ose janë përvetësuar nga banorët e fshatrave përreth. Një oficer gjerman i asaj kohe ka dëshmuar se mbetjet në fshatin Tunxh nuk i përkisnin avionit amerikan por një avioni tjetër rënë gjatë bombardimeve në luftë.  Faktin e rënies së C-53 në Çestije e vërteton dhe  Louis Theodos.

Disa ditë pas qëndrimit në shtëpinë e Zenajve në Çestije ka filluar operacioni i vështirë i shpëtimit të tyre dhe dorëzimit të aleatëve.  Vetë protagonistët kanë treguar se gjatë gjithë kësaj kohe ata i ka shoqëruar një grup i vogël partizanësh. Një mision tepër i vështirë.

Harold L. Hayes është i vetmi anëtar i gjallë i grupit të mbijetuar. Ai tregon; “ ishim në prapavijë të armikut. Na sulmuan dhe ne ramë diku në një vend te mbuluar me shkurre, në një rezervuar”. Territori i lëvizjes ka qenë tmerrësisht i ekspozuar. Në Shqipëri kishte edhe luftë civile dhe mund të dekonspiroheshin në çdo moment. Në fakt protagonistët ranë disa herë në pritë e madje tre prej infermiereve u ndanë nga grupi i madh.

Për më shumë se 8 javë ata ndoqën një rrugë plot zigzage mbi lumenjtë me shpate të lartë, shpesh një hap përpara armikut. Ata vuajtën nga dizenteria prej të ftohtit e lagështirës. Në një rast i shpëtuan aeroplanëve bombardues. Në 23 nëntor pati një tentativë për ti evakuuar nga Gjirokastra, por që dështoi. Aeroplani nuk mund të ulej pasi qyteti kontrollohej nga gjermanët. Pak ditë para Krishtlindjeve, grupi i shtyrë drejt Adriatikut për të takuar forcat britanike u përball me bllokimin e rrugës nga gjermanët. Një javë më vonë u planifikua një operacion shpëtimi në ajër por edhe ky pa sukses pasi  u diktua nga forcat gjermane e u anullua minutat e fundit.

Më 9 janar 1994, pas 62 ditë vuajtjesh e sakrificash pa fund, grupi arrin bregdet në Karaburun. Kanë vozitur në grupe të vogla të vendosur në barka deri sa kanë hipur të ndihmuara nga shkallët prej litari në bordin e një avioni britanik. Tre infermiere, që ishin ndarë nga grupi në nëntor, arritën të evakuoheshin sërish nga deti.  Sipas arkivave në Washington DC për fatin e aeroplanit C-53 ka qenë i interesuar drejtpërdrejtë Presidenti amerikan Ruzvelt. Infermierja Jensen ka shërbyer edhe 5 vite më pas në ushtri dhe u martua me Harry Mangerich.

Infermjerja Amerikane me qeleshe!

30 të mbijetuarit nga kjo histori e rrallë kanë mundur të përfundojnë shëndoshë e mirë në Itali.  Për ata aty janë kujdesur forcat aleate. Në Itali infermieret kanë shkrepur foto historike duke treguar së bashku shollën e opingave me të cilat kishin udhëtuar rreth 600 milje. Madje njëra prej tyre mban edhe një qeleshe që e kishte marrë në Shqipëri.

Intenerari i lëvizjes

Rënia më 8 nëntor në liqenin e Çestijes, Dumre. Pas disa ditësh kaluan tre fshatra të kësaj zone dhe arrijnë në Berat. Marrin luginën e lumit Osum dhe fshat më fshat arrijnë në Dobrushë. Nga Dobrusha në Vërzhezhë. Ngjiten nëpër male dhe kalojnë në Çermenikë, më pas në Lekas dhe arrijnë në Lavdar. Nga Lavdari përfundojnë në Kushovë, vazhdojnë udhën dhe arrijnë në Panarit. Nga Panariti kalojnë tre fshatra të tjerë dhe përfundojnë në Përmet. Nga Përmeti kalojnë luginat dhe malet dhe arrijnë në Sheper. Ndërmarrin sërish udhëtimin e gjatë. Kalojnë lumin Drino dhe arrijnë në Gjirokastër. Nga Gjirokastra marrin udhën për në Mashkullorë, më tej në Zhulat.

Këtu nis udha mbrapsht. Nga Zhulati shkojnë në Progonat. Prej andej në Midhar, Dhoksat, Saraquinishtë duke u afruar sërish në afërsi të Drinos. Marrin sërish udhën nga erdhën paralel me Dhoksatin dhe në afërsi të Midharit devijojnë për në Golem. Kalojnë malin e Paradhisë, anës Kuçit dhe arrijnë në Kallarat. Nga Kallarati në Tërbaç. Kalojnë malin aty pranë dhe arrijnë në Dukat. Kalojnë sërish mbi malet në Karaburun dhe më 9 janar arrijnë në breg të detit ku nis operacioni i evakuimit për në Itali.

Misteri që u fsheh për dekada me radhë

Rënia e avionit amerikan në Çestije të Dumresë është një ngjarje intriguese e mbushur plot me mistere që ditën kur ai ra. Në atë kohë në rrezik ishte jeta e të mbijetuarve, familjeve që i strehuan dhe partizanëve që ndihmuan në evakuim për shkak të okupatorëve nazistë.

Për zyrtarët amerikanë lajmi i shpëtimit është mbajtur tepër sekret. Megjithëse ata e dinin vendin ku ra aeroplani, raportuan se infermieret kishin humbur në Jugosllavi. Kjo edhe për të tërhequr vëmendjen  e gjermanëve që të mos binin në gjurmë të tyre.

Edhe pas operacionit të shpëtimit të gjithë të mbijetuarit e fshehën faktin. Kjo për arsye se pas vitit 1944 në Shqipëri u vendos regjimi komunist dhe mund të hakmerrej ndaj të gjithë atyre që ndihmuan në shpëtimin e madh.

Helen Porter ishte një nga infermieret në përbërje të grupit. Gjatë operacionit të shpëtimit në një sulm të nazistëve Porter dhe dy shoqet e saj u ndanë nga grupi kryesor. Ato qëndruan për 5 muaj të fshehura prapa linjave të armikut. U ndihmuan nga një familje e pasur shqiptare e cila i sistemoi në një bodrum. Porter kujton: Shumica e detajeve janë mbajtur sekret apo janë falsifikuar. Në raport citohej se infermieret ishin në Jugosllavi. Ne në të vërtetë ne ishim të fshehura në Shqipëri. Partizanët na veshën si myslimane dhe na dorëzuan tek aleatët. Të gjitha këto detaje janë mbajtur sekret për dekada të tëra. Helen Porter u martua pas luftës. Ajo përfundoi një karrierë në ushtri dhe vdiq nga kanceri në moshën 55 vjeçare.

Një përkthyesit që ndihmoi tre infermieret e ndara nga grupi, Kostaq Stefa, u pushkatua nga regjimi disa vite më pas.

Familja Zena duket se ka qenë nën survejim.  “Para disa vitesh në shtëpinë tonë erdhi një nga udhëheqësit e partisë. S’po ja them emrin. Mban inicialet K.M. Bisedoi gjerë e gjatë me babain. Hëngrën darkë dhe qëndruan deri vonë. Kërkoi detaje se ku qëndruan amerikanët, se çfarë bënë. Babai i tregoi historinë siç ua thashë unë. Ka mbi 30 vjet e kusur. Por nuk na bënë gjë”, tregon Lutfi Zena.

C-53 nuk do të mungojë më në apel. Pas 73 vitesh ai kthehet në bazë. Asnjëherë nuk është vonë. Është koha të vendoset në piedestal./shqip.info

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *