Kuvendi i Republikës së Kosovës, të martën, më 14 prill 2020, në orën 11:00, do të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme, me kërkesë të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës dhe deputetëve nënshkrues.
Kështu konstatoi Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme, të drejtuar nga kryetarja e Kuvendit, dr. Vjosa Osmani.
Sipas konstatimit kërkesa e deputetëve nënshkrues i plotëson kushtet formale-juridike, të parapara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Për mbajtjen e seancës do të sigurohen kushte sipas rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës.
Në këtë seancë, pikë e rendit të ditës do të jetë propozimi dhe miratimi i masave konkrete ekonomike e financiare që duhet t’i ndërmerr Republika e Kosovës për të tejkaluar sfidat e rimëkëmbjes ekonomike në adresimin e pasojave të pandemisë së Corona Virusit “Covid 19”, me qëllim të përballimit sa më të suksesshëm të pasojave e shkaktuara (aktuale dhe të ardhshme), në drejtim të parandalimit të krizës eventuale ekonomike, zvogëlimit të humbjeve ekonomike dhe ofrimin e mbështetjes së domosdoshme veçanërisht për sektorin privat në Kosovë.
Sa i përket aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, rasti nr. KO54/20, nr. Ref.651/20/rl, datë 6 prill 2020, pika 324, që ka të bëjë me ndërmarrjen e masave lidhur me situatën pandemike, Kryesia ngarkoi Komisionin për Legjislacion Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, që të trajtojë, identifikojë dhe t’i propozojë Kuvendit masat e duhura.
Në këtë mbledhje, Kryesia shqyrtoi edhe çështje të tjera nga fushëveprimtaria e saj.