Nëpërmjet miratimit të një vendimi, Këshilli i Ministrave ka bërë disa ndryshime dhe shtesa për sa i përket pagave të mësuesve të arsimit parauniversitar ditën e djeshme.
“Gazeta Shqiptare” zbardh sot tabelën e plotë me kategoritë e pagave të pozicioneve të punës së nëpunësve për emërtesat “Specialist” deri në “Titullar institucioni” në Drejtorinë Qendrore të Drejtorisë së Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar, si dhe shtesat përkatëse të kualifikimit.
“Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 4, të ligjit nr. 10405, datë 24.3.2011, “Për kompetencat për caktimin e pagave dhe të shpërblimeve”, të pikës 2, të nenit 7, të ligjit nr. 152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, të ligjit nr. 9584, datë 17.7.2006, “Për pagat, strukturat dhe shpërblimet e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe të institucioneve të tjera të pavarura, të krijuara me ligj”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr. 99/2018, “Për buxhetin e vitit 2019”, me propozimin e Kryeministrit.
Këshilli i Ministrave vendosi: Pika 12/1 ndryshohet”,-thuhet në vendimin e qeverisë. Sipas këtij të fundit, kategoritë e pagave të pozicioneve të punës së nëpunësve për emërtesat “Specialist” deri në “Titullar institucioni” në drejtoritë rajonale të arsimit parauniversitar dhe zyrat vendore të arsimit parauniversitar janë sipas lidhjes nr. 9/1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi për vitin 2019, do të përballohen nga fondet e miratuara për secilin institucion dhe do të fillojnë nga momenti i transferimit apo emërimit të nëpunësve në pozicionet e reja, pas miratimit të strukturave dhe organikave përkatëse. Ky vendim hyri në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare. “Në vendimin nr. 187, datë 8.3.2017, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen shtesat dhe ndryshimet, si më poshtë vijon: a) Në fund të pikës 1/3/a shtohet emërtesa “Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar”; b) Në shkronjën “b”, të pikës 1/3: i) emërtesat “Instituti i Zhvillimit të Arsimit” dhe “Inspektorati Shtetëror i Arsimit” shfuqizohen; II) shtohet emërtesa “Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar””,-thuhet më tej në vendim.