Categories
Gjuha Shqipe

Leksiku popullor i agorafobisë

Tek etimologjitë e Çabejt, gjej fjalën bajkush, që sipas tij “përdoret në Gjirokastër për një njeri që rri fshehur ose mënjanë.” Çabej e shpjegon këtë nga turqishtja baykuş “kukuvajkë”, duke shtuar se ka hyrë edhe në bullgarishten. Unë kam dëgjuar, nga nëna ime, me të njëjtin kuptim, shprehjen Bajo fshehuri – në përdorime të tipit je bërë si Bajo fshehurimbete brenda si Bajo fshehuri, të cilat me gjasë e krahasojnë sjelljen e dikujt me të një Bajoje, që rri “fshehur”.

Shqipes nuk i mungojnë shprehjet frazeologjike me një emër të përveçëm njeriu: si e ëma e Zeqos (majë thanës)për mustaqet e Çeloska Çeçua biçakbir Selman i nënësku të dhëmb e ku të ther o xha Ymer (kjo duhet të jetë e Gjirokastrës), si gjyshi i Dokos (prapë e Gjirokastrës), si gomari i Hackos (prapë e Gjirokastrës), dridhe moj Bajame, dridhenë kohën e baba Qemos; ka plot të tilla, që jo gjithnjë u mbahet mend origjina, por që zakonisht janë kondensime rrëfenjash të shkurtra. Emri i përveçëm, ngase i pamotivuar, ka vetinë që t’ua shtojë edhe ekspresivitetin edhe idiomatizmin.

Por Bajo fshehuri më lart m’u duk e afërt fonetikisht me këtë bajkush që sjell Çabej; mund të jetë edhe etimologji popullore.

Për dikë që nuk del nga shtëpia, që preferon të rrijë brenda, Gjirokastra ka edhe brëndël, që vjen nga tema ndajfoljore brënda me prapashtesën -ël, e cila temë i përgjigjet prapashtesës -je të standardit, dhe është e toskërishtes jugore dhe e dialekteve arbëreshe të Italisë dhe të Greqisë (Xhuvani-Çabej, Prapashtesat e shqipes); mes shembujve të shumtë, po përmend heqëlë (për “sëmundje, e hequr”), veshëlë (“veshkë”), vdekëlë (“vdekje”), mbretëlë (për “mbretëreshë”), buzël(ë) “gushore (bebesh)”. Ajo l-ja në vend të j-së, që del edhe në fjalë të tilla si fal për fajval për vaj, është arkaike. Kuptimisht, kjo brëndël më vjen shumë bashkëkohore; siç dihet, gjirokastritët kanë qenë në pararojë edhe të çrregullimeve neurotike – si në këtë rast, të agorafobisë.

P.S. Tani po më thonë, por e marr me rezervë, se Bajo fshehuri i referohej si shprehje Bajo Topullit, vëllait të Çerçiz Topullit, që nuk dilte në pazar, ngaqë kish frikë mos e vrisnin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *