Categories
Të gjitha

Marin Barleti, ura e parë lidhëse mes Shqipërisë dhe Evropës

Në gjithë aradhën e humanistëve me prejardhje nga tokat shqipfolëse, dallohet si kryesues e si xhevahir ndriçues i madhi dhe i pakrahasueshmi, historiani, kronikani e shkrimtari, prifti i urdhrit të fretërve minorë Marin Barleti. Figura e tij është aq e shquar, sa studimet për të vazhdojnë akoma edhe sot, shekuj pas vdekjes së tij.

Të dhënat biografike, sado që shtrëmbërohen me ose pa dashje nga studiues të huaj e shqiptarë, na vijnë nga dy veprat e tij kryesore “Rrethimi i Shkodrës” dhe “Historia e Skënderbeut”. Ndër këto dy vepra, Barleti përmend Shkodrën time çka do të thotë se ai ishte shkodran. Vendlindja e tij ndikoi aq shumë në jetën dhe formimin e tij, por edhe ai ndikoi shumë në ruajtjen e historisë së Shkodrës së shquar.

Studiues, kryesisht rumun, kapen pas mbiemrit të tij duke e lidhur me krahina në Itali apo të tjerë vende të Evropës, por profesori Eqrem Çabej është i prerë kur thotë se mbiemri Barleti lidhet me mbiemrin Barleci si patronim në Veriun e Shqipërisë. Disa nga studimet e Jahja Drancollit na e japin Marinin jo me mbiermin Barleti, por Barleci, prandaj shpjegimi etimologjik i bërë nga Çabej, me sa duket është i drejtë dhe me baza gjihësore e historike.

Një tjetër fakt interesant që vjen tërthorazi nga jeta e Barletit është fakti se ai, shkollimin e hershëm e ka marrë në Shkodër, çka rrjedhimisht do të thotë se në Shkodër ka pasur shkolla qysh në shekullin XV. Disa kohë më parë kam bërë disa përpjekje për të zbuluar të parat shkolla shqiptare të cilat datojnë diku rreth shekullit XIII, sipas revistës “Hylli i Dritës”.

Vepra e Barletit, e botuar në latinisht, ka qenë dhe vijon të jetë baza e studimit të historisë së Skënderbeut dhe asaj të qytetit të Shkodrës. Sipas profesoreshës Ermira Alija, përkrah shtatores së Skënderbeut duhet të jetë edhe një bust i Barletit, pasi po të mos kishim këtë kolos të humanizmit, me shumë mundësi historia e heroit tonë Kastriotas do të ishte larguar, ose të paktën venitur, bashkë me historinë.

Gjithashtu, vepra e Barletit “merret seriozisht” pasi ndryshe nga pjesa dërrmuese e veprave të kohës që trajtojnë tema për kohën aktuale por tani historike, ajo ndërtohet mbi disa burime, ku përfshihet Marin Beçikemi dhe Gjergj Merula.

Figura e Barletit nuk duhet lënë asjëherë mënjanë dhe duhet të vijohet të studiohet, me do e mos, edhe sot e mot.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *