Rreth 545 vjet nga vdekja ende i panjohur fati i eshtrave të “Heroit” tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut?! Në vazhdim të debatit mbi engimën e eshtrave të Skënderbeut, botuar një ditë më parë, referuar një raporti të ’68 të mbajtur nga Enver Hoxha ku flitet se një prift (I paidentifikuar) ka gjetur një kafkë që bën fjalë të jetë e heroit kombëtare, mohohet.
Cilat janë hipotezat që qarkullojnë sot nëpër bibliotekat tona, si dhe teza e fshehtë e vitit 1968, lënë në harresë pas konferencës së dytë të Studimeve Albanologjike; a është Kisha e Shën Kollit vendvarrimi i heroit, mbi të cilën më vonë u ndërtua një xhami?!
Megjithëse Skënderbeu vdiq dhe u varros në Lezhë në 17 janar të vitit 1468, akoma vazhdojnë polemikat shkencore për vendndodhjen e vendvarrimit të tij. Disa studiues theksojnë se Katedralja e Shën Kollit, vendi ku u varros Heroi ynë Kombëtar, ndodhet aty ku është ngritur memoriali i tij, në qytetin e Lezhës. Të tjerë theksojnë se Kisha e Shën Kollit ndodhej dikur në kalanë që ngrihej mbi këtë qytet. Por si qëndron e vërteta? Le të shohim një nga argumentimet midis të dy tezave.
Figura e Gjergj Kastriotit, Heroit tonë Kombëtar, është jo vetëm ajo e protagonistit kryesor të historisë së Shqipërisë, por edhe e simbolit kryesor të vetëdijes sonë kombëtare. Duke e vështruar nga kjo pikëpamje, ajo është bërë në të kaluarën dhe do të jetë edhe për të ardhmen, një nga temat më të preferuara dhe të lakuara, të cilat do të vazhdojnë të trajtohen nga historia jonë si dhe ajo e huaj.
Objekti i këtij shkrimi të sotëm është “shikimi” dhe saktësimi i të dhënave mbi vendvarrimin e Skënderbeut, duke iu referuar biografit të tij të parë, Barletit, prej të cilit janë përfituar burimet më të rëndësishme të jetës së heroit.
Po a duhet besuar Barleti në të gjitha ato që thotë?! Apo të dhënat e tij duhet parë me skepticizëm, apo kanë nevojë për interpretim, siç pretendojnë apo veprojnë edhe një pjesë e historianëve.
Deri më sot, kur disponojmë vetëm alternativat që na jep Barleti apo Biemi (Anonimi i Tivarit), veprat e tyre do të mbeten akoma “monumente”, të cilat i ka bërë të tilla edhe koha, gjatë së cilës ajo ato kanë marrë vlerë. Por fati i keq i historisë sonë kombëtare është tek mungesa e një dokumentacioni të gjerë, gjë që na detyron si gjithmonë të punojmë me hipoteza dhe arsyetime, të cilat shpesh nuk janë aspak bindëse, jo vetëm për studiuesit, por edhe për auditorin e gjerë. Ndërkohë po rendisim me radhë formulimet e teksteve që qarkullojnë bibliotekat tona si dhe hipotezat e disa prej studiuesve të sotëm më në zë. Fillimisht po i referohemi njërit prej teksteve shkollore që ka shërbyer në shkollat tona përpara disa vjetësh:
“Pas largimit të trupave osmane për të shqyrtuar gjendjen e vështirë në të cilën ndodhej vendi nga rrënimet dhe problemet e fundit që kishte shkaktuar lufta e viteve 1466-1467, Skënderbeu thirri në Janar të vitit 1468 një kuvend të ri të princërve shqiptarë. I sëmurë pa pritur, pas disa ditësh qëndrimi në shtrat Skënderbeu vdiq në Lezhë më 17 Janar 1468.
I mbuluar me lavdi ai u varros në katedralen e Shën Kollit të Lezhës, në atë vend ku ai kishte themeluar Besëlidhjen Shqiptare” (Historia e Popullit Shqiptar. Tiranë 2005. Maket). Ndërkohë që edhe biografi i parë i Skënderbeut, Barleti, në librin e tij “Historia e Skënderbeut” na jep këtë pasazh:
“Turqit dhe Barbarët duke u bërë zotër të qytetit të Lisos, gjetën dhe nxorën nga varri me dëshirë shumë të madhe trupin e Skënderbeut. Te eshtrat dhe varri i tij u mblodhën që të gjithë kush e kush më parë, sepse kujtonin se do të ishe fatbardhë, shumë i lumtur ai që do të siguronte për vete një copëz prej tyre, të cilën e qepnin dhe e zbukuronin një palë me argjend, një palë me ar dhe e varnin në qafë, si ndonjë gjë hyjnore, të shenjtë dhe vendimtare për fatin e tyre dhe e nderonin me respekt shumë të madh, duke kujtuar se të gjithë ata që i mbanin me vete ato thërrmija do të kishin në jetë po atë fat e mbarësi që pat edhe gëzoi sa qe gjallë vetë Skënderbeu”.
Ndërsa historiografia e huaj e pohon Barletin në këtë pikë, duke mos dyshuar tek të dhënat që ai jep, megjithëse tek historia e tij këto të dhëna dokumentare janë të pakta.
Kështu, pas vdekjes së Skënderbeut, Shqipëria u “zhyt” në terrin e pushtimit turk, i cili dalëngadalë e izoloi atë nga ajo lidhjet tradicionale që ekzistonin me perëndimin.
Ndërsa në vendin tonë brezat e shqiptarëve e mbajtën të gjallë figurën e tij me anë të traditës gojore si këngë, legjenda, e gojëdhëna, perëndimi e bëri atë të pavdekshëm nëpërmjet biografisë së Marin Barletit “Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut”, e cila u botua në Romë në vitin 1510.
Deri në vitin 1750 kjo vepër u ribotua 21 herë (Historia e Popullit Shqiptar, Tirane. 2002. Toena. f. 487), duke e përfshirë në “gjeografinë” e saj vende të tilla si Italia, Gjermania, Spanja, Anglia, Franca, Portugalia, Polonia etj.
Ishte pikërisht kjo vepër ajo që frymëzoi shumë shkrimtarë, poetë, dramaturgë, përkthyes e historianë, që të merreshin me figurën e Skënderbeut, duke krijuar vepra të tilla që i do ti shërbenin më vonë kulturës shqiptare. Ajo shërbeu si bazë për shumë përshtatje, vepra publicistike dhe letrare të historisë së Skënderbeut në vende të ndryshme. Megjithatë miti mbi dhunimin e varrit të tij mbeti fakt për kujtesën e Evropës.
Prej saj mund të veçojmë përkthimin dhe adoptimin që biografisë së Barletit, i bëri abati francez Zhak de Lavardin. Në vitin 1573 ky autor e botoi veprën e tij në Paris me titullin “Histoire de Georgis Castriotis Syrnome Scanderbeg, Roy de l’Albanie”. Duke e pranuar faktin që na jep Barleti, ja seç shkruan ai për vendvarrimin dhe fatin e eshtrave të “Heroit”.
“Trupi i tij u varros në Lezhë në Katedralen e Shën Nikollës, sipas zakonit të stërgjyshërve të tij, varrimi u bë me një ceremoni plot zi dhe dhimbje të pamatë nga kapedanët dhe ushtarët e princave fisnikë aleatë të tij. Askush nuk e kishte menduar se në Shqipëri në ato vende të krishtërimit do të derdheshin aq shumë lot. Kockat e tij të futura nën dhe u prehën në paqe gjer ditën kur në Epir erdhi Muhameti II, katër vite më pas turqit të cilët pushtuan qytetin e Lezhës, kërkuan të etur trupin e Skënderbeut, duke ja shkulur kockat e tij. Kockat e atij njeriu që dikur me ti dëgjuar emrin merrnin arratinë, tani i rrëmbenin si diçka të shenjtë. Ata vërsuleshin drejt skeletit dhe i lumtur ish ai që i prekte e akoma më shumë, ai që i varte ato si hajmali, pra si diçka përrallore…….”.
Por e çuditshmja ndodh në botimet tona zyrtare. Ato pranojnë se Heroi ynë kombëtar vdiq dhe u varros në Lezhë në katedralen e Shën Kollit, por nuk e pohojnë në të gjitha rastet se turqit e dhunuan varrin e tij. Kjo gjë shihet jo vetëm në tekstet tona shkollore të cilat për hir të së vërtetës nuk e trajtojnë gjerësisht këtë gjë, siç ndodh edhe në botime më të rëndësishme, siç është botimi i fundit, i Historisë së Popullit Shqiptar, bërë nga Akademia e Shkencave Republikës së Shqipërisë. Ja se ç’ thuhet në faqet e këtij libri, lidhur me këtë problem: “Pas disa ditësh, në 17 janar 1468, në Lezhë pushoi së rrahuri zemra e tij. Lajmi i vdekjes së Skënderbeut shkaktoi një pikëllim të rëndë e të papërshkruar në mbarë popullin shqiptar. Me vdekjen e tij, theksohej ato ditë në senatin e Venedikut, – arbrit kanë rënë në një ngashërim dhe tronditje të madhe.
Gjergj Kastrioti-Skënderbeu u varros në katedralen e Shën Kollit të Lezhës, po në atë vend ku ai themeloi besëlidhjen e tij” (Akademia e Shkencave. Historia e Popullit Shqiptar. Tiranë 2002. Toena. f. 399).
Ndërkohë që Fjalori Enciklopedik Shqiptar, një botim i kohës së komunizmit, i vitit 1985, në faqen 85, tek rubrika e tij e titulluar “Lezha”, pohon se varri i heroit u shkatërrua dhe u dhunua nga osmanët.
Megjithatë nuk mungojnë edhe mendimet ndryshe mbi vendodhjen e varrit të Skënderbeut. Po kështu një pjesë historianësh shqiptarë, nuk e pranojnë tezën se memoriali i sotëm i heroit është vendvarrimi i tij dhe kisha rrënojë e tij është kisha katedrale e Shën Kollit.
Nga ana tjetër, ata theksojnë se kisha katedrale e Shën Kollit ndodhej në kalanë e Lezhës dhe aty u varros dikur heroi.
Por ishte dikur arkeologu Frano Prendi, njeriu që kreu gërmimet në ish xhaminë Selimie. Studimet e tij përfaqësojnë sot tezën se varri i Skënderbeut ndodhej aty ku është ngritur memoriali i sotëm, thekson në faqen 242 tek “Kuvendi II i Studimeve Albanologjike, Vol I, Tiranë 1969”, se: “Xhamia e kështjellës nuk të jep përshtypjen të jetë ngritur mbi ndonjë kishë, mbasi mungojnë elementët përbërës të saj, por edhe po të rezultojë nga ndonjë studim i hollësishëm se ajo duhet të ketë qenë ndërtuar mbi mbeturinat e ndonjë faltoreje, prapë se prapë, përmasat e vogla, nuk na tregojnë ndonjë kishë katedrale, siç është ajo ku u varros Skënderbeu”. Pra, studimet e Prendit, të bazuara nga gërmimet e kryera në Lezhë, e kundërshtojnë, tezën që thekson se varri i Skënderbeut ndodhej në kala. Ato nënvizojnë se xhamia e kalasë së Lezhës, nuk ka përmasa të mëdha edhe sikur ajo të ishte ndërtuar mbi rrënojën e një kishe.
Po kështu edhe përshkrimi i studimit të kësaj xhamie, i bërë nga Prof. Aleksandër Meksi na jep një ide më të plotë rreth këtij problemi. Midis të tjerave Prof. Meksi shkruan: “…Xhamia përbëhet nga salla e lutjeve dhe hajati i shtuar më vonë në pjesën veriore. Salla e lutjeve është drejtkëndëshe në plan me përmasa të planit 8.90 m x 7.60 m….Për nga niveli i ndërtimit kuptohet që xhamia është ngritur me nxitim…Ndërtimi i saj duhet lidhur me rindërtimin e kalasë së Lezhës nga turqit….që është kryer në vitin 1521-1522” (Aleksandër Meksi, Arkitektura e Xhamive të Shqipërisë, shek. XV-XIX, Uegen, Tiranë, 2007, f. 130-131).
Ndërkohë del se ish-katedralja e Shën Kollit nuk ka qenë asnjëherë në kalanë e Lezhës, ku është gjetur rrënoja e një xhamie të vogël, e cila nuk është ndërtuar siç ka ndodhur rëndom nga turqit, që pas pushtimit të vendeve të besimit kristian i konvertonin kishat në xhami.
Por teza më interesante për varrin e Skënderbeut është ajo e vitit 1968, e studiuesit Dhosi Liperi. Ajo u publikua në Janar të vitit 1968 në Konferencën e Dytë të Studimeve Albanologjike të zhvilluar në Tirane, me rastin e 500 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut.
Por çuditërisht teza e tij se varri i Skënderbeut u transferua më parë në një vendvarrim të dytë, të fshehtë nuk gjeti mbështetjen dhe interesin e studiuesve dhe historianëve, e kështu mbeti në harresë. E titulluar “Varri dhe shpata e Skënderbeut sipas legjendave popullore”, kumtesa përmblidhte mjaft dëshmi të drejtpërdrejta të mbledhura nga autori në krahinat e Zadrimës, Matit, Krujës dhe Mirditës. Çuditërisht të gjitha gojëdhënat e popullit tregonin se turqit asnjëherë nuk e gjetën varrin e vërtetë të Skënderbeut.
“Tuba muhabet me pleçt e vjetër, këta thojshin se kur erdh ushtria turke dhe zaptoi Lezhjen, kërkuen vorrin e Skanderbegut e çilën treqind vorre për me gjet eshtrat e Skanderbegut, por vorrin e tij s’mujtën me e xhetë vorri i Skanderbegut asht i pa çilë. E kanë mëshefë shqiptarët thojshit pleçt e vjetër të Zadrimës”. E treguar me origjinalitet nga Hil Kola nga fshati Gramsh i Lezhës, në shtator të vitit 1964, kjo gojëdhanë së bashku me shumë të tjera e shtynë Dhosi Liperin që të nxirrte përfundimin se, pas vdekjes së Skënderbeut bashkëluftëtarët e tij përhapën parrullën se turqit e prishën varrin e heroit, por eshtrat nuk i gjetën brenda, sepse ato ishin tërhequr fshehurazi prej tyre më parë, për t’u vendosur në një varr të ri, i cili fatkeqësisht nuk u gjend më.
Interesant është edhe fakti se në xhaminë e Lezhës në vitet e Luftës së Parë Botërore janë gërmuar dhe hapur varre për të gjetur atë të Skënderbeut, nga reparte të specializuara të ushtrive pushtuese Malazeze, Serbe, Austro-Hungareze dhe Italiane. Ja seç citon përsëri tek e njëjta kumtesë, Dhosi Liperi, kur na jep dëshminë e një tjetër burri nga Lezha.
I intervistuar në shtator 1964, Nikoll Lleshi, nga fshati Ishull Lezhë midis të tjerëve thotë: “Masi iku Austria dhe Italia, unë me shokë të tjerë kërkojshim të gjenim, në oborr të xhamisë vorrin e Skënderbegut. Edhe zbuluem disa vorre për me shti në ta myslimanë, që vdisnin e i varrosnin aty. U thojshim: “Baba jot asht i mirë, pra hapjani vorrin këyu, pranë xhamisë”. Ata hapshin vorrin e na shfshin, tuj pas për qëllim se mos takojmë në vorrin e Skënderbegut, por nuk xhetëm xha. Janë çelun kështu si do pesë gjer gjashtë vorre, se nuk lite hoxha me shti ma në oborr të xhamisë” (Konferenca e Dytë e Studimeve Albanologjike. Vëll III. Tiranë 1969. F 341-342).
Ky fakt na bën të dyshojmë sidomos për austriakët, të cilët njihen jo vetëm për seriozitetin dhe skrupulozitetin e studimeve Albanologjike, por edhe për suksesin e madh në zbulimet arkeologjike në Shqipëri gjatë viteve 1916-1918. Duket se ata kishin informacione paraprake (ndoshta veneciane apo raguziane), se varri i Skënderbeut nuk ishte gjetur nga turqit dhe për këtë gjë u angazhuan duke gërmuar në Lezhë. Dihet që në vitin 1815 Kongresi i Vjenës i dha nën zotërim Austrisë, Venecian dhe Dalmacinë bashkë me Raguzën (Dubrovnikun). Kështu bashkë me sovranitetin e Venedikut, austriakët shtinë në dorë edhe arkivat e tij, të cilat akoma nuk janë ndriçuar për historinë e kësaj epoke. Ndoshta dëshira e austriakëve ishte që përkrenares dhe shpatës së “Heroit” t’i bashkangjisnin në Vjenë edhe eshtrat e tij, të cilat shpresonin ti gjenin këtu. Por këtu del edhe një fakt tjetër. Për se të huajt me ekipet e tyre të specializuara nuk gërmuan në kalanë e Lezhës por në qytetin e saj.
Përgjigja është e thjeshtë! Kalaja e Lezhës, e cila formën përfundimtare të saj e mori si kala mesjetare diku në shekujt XI-XII (Gjerak Karaiskaj. 5000 Vjet Fortifikime në Shqipëri. Tiranë 1981. Fq 129), po ta vëresh me vëmendje del se ka një sipërfaqe të vogël.
Dhe në një kështjellë të vogël garnizoni nuk mund të ndërtohej një katedrale e madhe. Kështu kasha e Shën Kollit gjendej në qytetin e Lezhës dhe jo në kala. Edhe arkeologët kanë vërtetuar të njëjtën gjë. Këtë e ka dëshmuar arkeologu Frano Prendi, të cilin e cituam më sipër.
Por le të shohim edhe disa nga dëshmitë e njërëzve që vizituan Lezhën gjatë shekullit të XIX-të. Ja sesi e përshkruan kështjellën e saj, Hekardi, kur e vizitoi atë në vitet 1851-1856: “Aty të rrethuara nga rrënojat, gjenden tre shtëpi të ndërtuara nga turqit për të strehuar garnizonin, i cili në kohën kur unë e vizitova kalanë, përbëhej nga katër ushtarë vendas dhe një artilier. Tre topa të vegjël bronzi jashtë përdorimit përbëjnë të gjithë armatimin. Disa çisterna që dikur shërbenin për të mbledhur ujin e shiut që përdorej nga banorët dhe ushtarët, janë të ndërtuara me art dhe të ruajtura mjaft mirë. Mbi harqet që ende mbahen në këmbë, të vetmit që kanë mbetur nga pallati i feudalëve të vjëtër, sheh tre emblema të vjetra mermeri (Hyacinthe Hecquard. Historia dhe Përshkrimi i Shqipërisë së Epërme ose Gegërisë. Tiranë. Plejad 2008. Fq 73). Pra, kjo hapësirë që përshkruan Hekardi ishte aq e “madhe” sa mund të ndërtoheshin disa shtëpi, një pallat qendër-rezidence dhe disa objekte ndihmëse. Edhe arkitekti dhe restauratori i njohur i monumenteve të kulturës Koço Zheku, në librin e tij “Lisi në Shekuj”, botuar në Tiranë në vitin 1988, në faqen 109, pohon në bazë të studimeve të kryera këtu, se turqit ndërtuan në kala një oborr të fortifikuar, sarajet dhe një xhami. Edhe në kushtet e sotme fotot e bëra nga ajri tregojnë sesa hapësirë të vogël mbulon kalaja e Lezhës.
Ndërkohë le të kthehemi përsëri tek dëshmitë e udhëtarëve të huaj të shekullit të XIX, rreth atyre që kanë parë në kalanë e Lezhës. Le ta vazhdojmë me Hekardin aty ku e lamë përgjysëm. Ja seç thotë më tej ai: “…nga ato që kanë mbetur nga pallati i feudalëve të vjetër, sheh tre emblema të vjetra mermeri, në njërën prej të cilave mund të dallosh ende një grua dhe një burrë, me kokën e rrethuar me një brerore dhe me një kryq grek mes tyre, në të dytën shihet një luan i ngritur mbi të dy këmbët e pasme dhe në të tretën një shqiponjë me krahë të shpalosur, që shtrëngon në kthetrat e saj një gjarpër, emblem e cila siç thonë gjendej në armaturën e kastriotëve” (H. Hecquard. Po aty. F 73). Pra, vetëm këto objekte pa në kala, konsulli francez Hekard. Po kështu edhe një tjetër përfaqsues i huaj konsullor, Theodor Ipen, i cili e vizitoi kalanë e Lezhës në vitet e fundit ët shekullit XIX, e përshkruan kështu atë:- “Në kala hyhet nëpërmjet portës që sheh nga lindja. Para saj ndodhet një grumbull varresh ku janë varrosur pjesëtarë të familjeve të bejlerëve të Lezhës si dhe një tyrbe e një shenjtori myslyman të harruar” (Theodor Ipen. Shqipëria e Vjetër. Tiranë. KeB. 2002. Fq 208). Ndërsa pak më poshtë në faqen 209, Ipeni thekson se: “Mesin e hapësirës së brendëshme të kështjellës e zënë rrënojat e një xhamie. Ajo është pa çati dhe me mure pjesërisht të rrënuara”. Pikërisht tek kjo xhami Ipeni ngre hipotezën e gabuar dhe apriori, pa u bazuar në fakte se, sipas rregullit që, turqit, kishat i kthenin në xhami dhe se këtu duhet të ketë qenë kisha e Shën Kollit ku është varrosur Skënderbeu. Aludimin e tij të pasaktë ai e hedh vetë poshtë, kur në faqen 210, tek i njëjti libër thotë në ligjëratë të drejtë se: “Tek kjo xhami nuk është gjetur asnjë shenjë që të tregojë se aty gjendet varri i Skënderbeut” (Th. Ipen. Po aty fq 210). Të dhënat kontradiktore të Ipenit nuk janë gjë tjetër veçse dëshira e udhëtarëve të huaj të shekullit të XIX, përshkrimet e të cilëve ishin jo vetëm sipërfaqsore dhe romantike por kishin edhe një dozë të theksuar amatorizmi. Megjithëse ata i shkruan përshtypjet e tyre të udhëtimit jo me qëllimin që ato të bëheshin më vonë dëshmi të debateve shkencore dhe si të tilla duhen parë me shumë skepticizëm dhe rezerva.
Le të shohim disa të tjera. Të tilla janë edhe dëshmitë e piktorit anglez Eduard Lir gjatë vizitës në Lezhë bën këtë përshkrim të cilin e gjejmë tek libri i tij “Ditar Udhëtimesh”, botuar së fundmi në shqip. “Rreth orës katër arrij në Alessio, fshati i mjeruar që përfaqson tani Lisusin e lashtë, shumë rrënoja të të cilit (si Akrolisi i lashtë) ende shihen përqark dhe në majë të kodrës së njohur, që ngrihet mbi rrugët me dyqane që përbëjnë pjesën kryesore të qytetit të sotëm.
Pjesa tjetër e Lezhës përbëhet nga shtëpi të rrethuara me kopshte, buzë drinit (ku jeton kryesisht një popullatë e krishterë) ose nga rezidencat periferike të muhedanëve në faqe të kodrës. Në majë të kodrës është një xhami, dhe legjenda thotë se këtu, nën rrënojat e një kishe të krishterë, prehen eshtrat e Skënderbeut (Eduard Lear Në Shqipëri. Ditar udhëtimesh 1848-1849. Tirane 2008. Plejad. Fq. 97).
Kështu, duket tashmë sesa të besueshme janë dëshmitë e Lirit, i cili duke mos patur interesa për historinë, jo vetëm që nuk shkoi ti shihte vetë rrënojat e kalasë, por na tregon atë që dëgjoi nga sinjor Xhyzepja, një Italian që shërbente në Lezhë dhe e strehoi këtu.
Pra, lexusi i nxjerr vetë përfundimet tashmë. Gjithsesi, Shën Kolli nuk ndodhej në kala por në qytet. Për këtë besoj se nuk mund ta vëmë në dyshim Barletin kur thotë se “Skënderbeu u varros në qytetin e Lezhës në kishën më të madhe të Shën Kollit” (M. Barleti. Historia e Skënderbeut. Tiranë 1967. Fq 494). Pra, “humanisti” nuk thotë se ajo ndodhej në kala.
Edhe Sami Frashëri, eruditi më i madh i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, në veprën e tij enciklopedike “Fjalor i Përgjithshëm i Historisë dhe i Gjeografisë”, botuar në Stamboll në vitin 1889, në zërin Lezha, shkruan se: “Ajo kishte ndërtesa të bukura dhe fortifikime, ishte mjaft e madhe dhe e lulëzuar. Nga pesë kishat e mëdha të asaj kohe, njëra u shdërrua në xhami dhe pastaj u rrënua. Thuhet se në rrethet e kësaj është varrosur Skënderbeu, megjithatë varri nuk gjendet kurrkund” (Sami Frashëri. Vepra II. Tiranë 1988. Fq 352).
Ndërkohë dëshmia më e fortë që e hedh poshtë plotësisht tezën së Skënderbeu u varros në kalanë e Lezhës, është shkrimi i Prenk Doçit, “Topografia e Lezhës”, e botuar në dt. 30 shtator të vitit 1885, në gazetën e De Radës, “Fiamuri i Arbërit”. Në të autori i cili i bën një përshkrim të gjerë qytetit, historisë, kalasë, popullatës dhe rrethinave të Lezhës, nuk na thotë azgjë për një fakt të tillë. Dhe të mos harrojmë që shkrimi i përket vitit 1885.
Midis të tjerave për kalanë e Lezhës, Prenk Doçi, shkruan: “Kalaja e Lezhës, si vend strategjik, nuk gjendet në asnjë krahinë të Shqipërisë së sipërme. Muret e kalasë janë me gurë katërcepash, me shkëmbinj shumë të medhenj që duken sin ë natyrë. Dy kulla katërqoshëshe ruajnë hyrjen për në kala. Dallohet vendi i sarajeve. Dalon tre pllaka prej mermeri. Në të parën shihet një fytyrë burridhe një fytyrë gruaje me një brerore në krye me shkronja greqishte. Mbi të dytën shihet një luan i hedhur përpjetë dhe mbi të tretën duket një shqipe krahëhapur me një gjarpër të mbërthyer me thonjtë e këmbëve. Autoritet turke dyshojnë shumë për shqiptarët që vizitojnë shpesh këtë kala, edhe pse ajo është e rrënuar” (Jeronim De Rada. Fiamuri i Arbërit. Përgatitur nga Ahmet Kondo. Tiranë 1967. Fq 115).
Gjatë sulmeve mbi Lezhën të viteve 1478 dhe 1501 turqit e dogjën kishën Katedrale të Shën Kollit. Në vitin 1580 karakatina e kishës që konsiderohej nga vendasit si vend i shenjtë u shndërrua nga pushtuesit në xhami me emrin “Selime”. Farlati na citon kardinalin Alciati, i cili thekson në shënimet e tij se kisha ekzistonte deri në vitin 1575 (Daniele Farlati, Ilyricum Sacrum, VII f 323). Një dëshmi tjetër na pohon se turqit prishën edhe varrezat e dikurshme të kishës duke i hedhur eshtrat e varreve në lumin Drin që ndodhej aty pranë (Harvat Glasnik XXI, Dok 83). Pra, ajo që thuhet se turqit u përpoqën të zhduknin plotësisht kujtimin e Skënderbeut mund të jetë e vërtetë. Ndërkohë që peshkopi i Lezhës B. Orsini, thekson në vitin 1628, se turqit 40 vjet më parë, diku në vitin 1580 vunë dorë mbi kishën duke e shdërruar atë në xhami, por shpejt hoqën dorë sepse tre hoxhallarë kishin rënë nga minarja dhe kishin vdekur (I. Zamputi. Relacione mbi gjendjen e Shqipërisë veriore dhe të mesme, në shekullin e XVII, Vëll I, 1610-1634. Tiranë 1963. Fq 401). Këtu bëhet fjalë për kishën e shën Kollit apo Kishën e Madhe, siç e quan Barleti, e cila u shdërrua në xhaminë e mëvonshme Selimie.
Deri në vitin 1967 xhamia ishte në pronësi të Komunitetit Myslyman Shqiptar. Me ndalimin që shteti komunist u bëri besimeve fetare dhe sekuestrimin e pronave të këtyre enteve, ky objekt kulti i kaloi në administrim Institutit të Monumenteve të Kulturës në Tirane, i cili e mori nën kujdestari. Kështu, duke u bazuar tek dokumentacioni historik nisën gërmimet arkeologjike të cilat i kreu arkeologu Frano Prendi. Në vitin 1967 u zbulua se xhamia ishte ndërtuar mbi themelet e një kishe, ku me gërmimet e mëtejshme u arrit të zbuloheshin edhe disa pjesë afreskesh, në pjesën e poshtëme të mureve, si dhe një gropë në brendësi të saj. Duke i mbështetur tek fakti se kishat ishin edhe mauzoleume të njerëzve të shquar, kjo gropë u supozua si varri i grabitur nga turqit i Skënderbeut.
Pas shumë përpjekjesh, arkeologët dhe restauratorët, bënë që kisha të shndërrohej sa ishte e mundur në gjendjen e vitit 1501, kur u dogj nga turqit. Mbi të u ndërtua në vitin 1981, memoriali me pamjen të cilën ka edhe sot.
Duhet theksuar se Memoriali i varrit të sotëm të Skënderbeut, të krijon diçka nga atmosfera e dikurshme e shekullit të XV. Brenda kishës në absidën e saj është vendosur një bust i Skënderbeut, punuar nga skulptori Odise Paskali. Në qendër të sallës së saj, pranë altarit ndodhet një pllakë graniti, mbi të cilën janë vendosur kopjet e shpatës dhe prekrenares së Skënderbeut. Në të dy muret e kishës janë fiksuar një varg mburojash dekorative që tregojnë betejat e Skënderbeut. Pranë tyre dy pjesë të shkatërruara afreskesh na kujtojnë funksionin e dikurshëm fetar të kësaj faltoreje.
Sot është e vërtetuar plotësisht se Skënderbeu vdiq në Lezhë në 17 Janar 1468 dhe se rreth saj, Barleti thotë se atë e kapën një palë ethe të forta, të cilat nuk ishin veçse ato malarike, nga e cila vuante e gjithë Ultësira e Adriatikut. Kjo tezë e cila ka qenë e vetmja deri disa vite me parë ka nisur të vihet në dyshim tashmë nëpërmjet botimeve të reja historike mbi jetën e Heroit.
Megjithëse këto janë probleme që do ti zgjidhë më vonë historografia. Ndërsa ne na intrigon fakti se përse Skënderbeut u varros në Lezhë dhe jo në Krujë apo diku gjetkë. Barleti thekson se ai u varros sipas zakonit të stërgjyshërve të tij. Por cili ishte ky zakon? Këtu mendoj se duhet të ndalemi dhe të bëjmë një analogji me zakonet dhe traditën e varrimit të shekullit të XV. Ne sot kemi disa dëshmi nga tradita e varrimit të Kastriotëve. Njëra prej tyre është ajo mbi varrin të vëllait të Skënderbeut, Reposhit, varrosur në manastirin e Hilandarit, në Malin e Shenjtë në Greqi. Varri ndodhet brenda katedrales, nën nartekstin (portikun), në murin verior (K. Balli-L. Gliozheni; Mali i Shenjtë-Mikrokozmosi i Botës Bizantine. Tempulli. Korçë 2001. Fq 157).
Kështu, mund të themi se si, zotër feudalë Kastriotët janë varrosur brenda kishave për të cilat janë kujdesur ose kanë patur lidhje me to. Kjo gjë ka ndodhur edhe me motrën e Skënderbeut Marën, të shoqen e tij Donikën, si dhe djalin e tij Gjonin. Gjerësisht me këtë problem është marrë Prof. Valter Shtylla, i cili tek shkrimi i tij “Familja e Kastriotëve. Monumentet Flasin”, botuar në dt 6. 12. 2008 në Gazetën Standard, thekson se, Donika e shoqja e Skënderbeut mund të jetë varrosur në portikun e manastirit mbretëror të San Trinidadit në Valencia të Spanjës. Gjithashtu në Napoli, në portikun e kishës së Santa Maria la Nova, është varrosur nipi i Skënderbeut, Kostandini, djali i të birit të tij, Gjonit. Po kështu, Mara, e motra e heroit, e martuar me princin e Malit të Zi, Stefan Cernojeviçin, është varrosur brenda kishës së Shën Marisë, në manastirin-mauzole të Cërnojeviçëve që ndodhet në ishullin e Komit, në liqenin e Shkodrës.
Gjithashtu edhe një nga gojëdhanat që qarkullon edhe sot në vendorigjinën e Kastriotëve, në Mat, flet se e Vojsava, e ëma e Heroit, është varrosur në kishën e Shtjefnit (Shën Stefanit). E publikuar nga Dilaver Kurti ajo klasifikohet ndër burimet e rëndësishme gojore për familjen e Kastriotëve (Dilaver Kurti. Trashëgime Iliro-Arbërore. DeaS. Tiranë 1999. Fq 312).
Pra, nga renditja e këtyre fakteve dhe dëshmive, del se edhe Skënderbeu nuk mund të ketë bërë përjashtim nga tradita e familjes dhe sipas shumë gjasave, ai mund të jetë varrosur në brendësi të kishës-katedrale të Shën Kollit.
Me këtë llogjikë ecën arkeologët, kur hodhën idenë se gropa bosh që u gjet brenda kishës rrënojë të memorialit të sotëm, mund të ishte pikërisht ajo ku mund të ketë qenë varrosur Heroi. Të paktën kjo është hipoteza që qëndron më afër të vërtetës. Ndërkohë që dihet se kishat kanë shërbyer edhe si mauzoleume për njerë të shquar. Shembuj të tillë kemi edhe në Shqipëri, duke nisur nga kishat paleokristiane për të vazhduar deri tek ato të mëvonshmet, në vitet 1800. Mund të përmendim kishat e manastireve të Shën Marisë së Zvërnecit, Apolonisë, Ardenicës, apo të disa të tjerave.
Figura e Skënderbeut ishte shumë e respektuar nga shqiptarët dhe vendvarrimi i tij patjetër që u kthye në një vend pelegrinazhi. Kjo mund ti shërbente fare mirë Republikës së Shën Markut, e cila pas vdekjes së Skënderbeut mori përsipër luftën me osmanët në këtë rajon të Ballkanit Perëndimor.
Eshtë e çuditshme se dëshmia e Barletit që varri i tij u grabit nuk gjen asnjë bazë mbështetje, sepse deri më sot nuk është gjetur asnjë eshtër e trupit të tij, e cila mund të ishte e ruajtur si hajmali nga ushtarët turq, që i grabitën duke i copëtuar ato. Dihet dhe njihet mistifikimi i objekteve të tilla të cilat me kalimin e kohës marrin vkera gjithnjë e më të mëdha.
Si ka mundësi që të mos jetë ruajtur as edhe një copë e tillë, kur deri në vitin 1945, kur u sekustruan pronat e aristokracisë së vjetër shqiptare, në koleksionet e shtëpive të tyre u gjendën sende dhe objekte shumë më të vjetra dhe me shumë vlerë.
Por për rastin tonë çuditërisht nuk ekziston asnjë dëshmi e tillë, d.m.th. ka gjasa që varri i heroit mund të mos jetë dhunuar nga turqit. Po përse Barleti na jep një dëshmi të tillë. Mos ndoshta ka ndodhur edhe kështu. Skëderbeu dhe bashkëluftëtarët e tij e kishin parashikuar që varri mund të dhunohej në të ardhmen prej turqve, prandaj eshtrat mund të jenë tërhequr nga varri për tu vendosur në një varr të ri. Kjo mund të jetë bërë më vonë nga dikush, për të cilin mund të ngremë vetëm hipoteza.
Ishte Venediku, Kisha, familja apo nga një pjesë e vogël e atyre bashkëluftëtarëve që kishin mbetur gjallë. Ndoshta kujtesa popullore që na jep një tjetër variant ka të drejtë në këtë rast. Por çthonë burimet osmane në këtë rast. Reth kësaj temë kemi dëshmitë e disa autorëve sit ë Ibn Kemalit, Hoxha Sadedinit, Idris Bitlisi, Tursuni, etj (Lufta Shqiptaro Turke në shekullin XV.
Burime Osmane. Tiranë 1968). Dëshmitë e tyre konsistojnë me braktisjen e qytetit të Lezhës nga Venediku dhe banorët gjatë fushatës turke të vitit 1479 për pushtimin e Shkodrës. Ja seç thotë midis të tjerave Ibn Kemali në librin e shtatë të veprës së tij Historitë e Dinastisë Osmane, shkëputur nga vëllimi i mësipërm. “Kur ushtira ngadhënjimtare u vendos plot madhështi rrëzë mureve dhe kur zgjati dorën drejt fustanit të fitores, atëherë të pabindurve të Leshit (Lezhës), u iku gjaku nga nga frika, fytyrat e tyre mbetën të thata sin ë afreskat e kishave…më në fund ata panë se krahinat përreth u pushtuan nga ushtria vërshuese si Nili dhe e rrëmbyeshme si përrenjtë e maleve dhe se kështjella e tyre mbeti si ishull brenda këtij deti që përmbyt botën.
Ata e kuptuan mirë se Leshi me përleshje dhe me luftë do tu ikte nga duart e tyre dhe po most ë largoheshin me kohë për të shpëtuar kokën, atëherë anija e trupave të tyre do të mbytej në vorbullën e luftës. Ku rata e pnë që nuk mund të qëndronin më në tokë, preferuan që të arratisen nga ana e detit.
Në mbrëmje ata i vunë zjarrin të gjithë kalasë dhe dogjën krejtësisht gjithçka kishte brenda…Ata me duart e veta e dogjën vendin e tyre dhe me veprimet e tyre tiranike shkatërruan çdo gjë” (Lufta Shqiptaro Turke në Shekullin e XV. Burime Osmane. Tiranë 1968. Fq 223).
Pra kronisti turk që midis të tjerëve e përshkruan në mënyrën më të hollësishme pushtimin e Lezhës nga turqit-osmanë,, përmend se Venediku dhe shqiptarët e dogjën dhe e shkatërruan kështjellën e Lezhës përpara se ajo të pushtohej nga osmanët. Ai dhe të tjerë kronistë turq, nuk na jep njoftime për varrin e grabitur të Skënderbeut nga osmanët.
Ja seç thotë Ibn Kemali pak më poshtë: “ Kryengritësit që gjendeshin brenda kështjellës së Leshit dhe kufomat e të vrarëve u dogjën krejtësisht. Tymi i tyre pushtoi horizontin dhe ngjeu kupën e qiellit. Në këtë mënyrë ushtria e zjarrtë e pushtoi edhe këtë kala me luftë. Ajo u shdërrua në pirgje dheu. Këtë rajon e pastruan nga ndyrësirat e paganëve me anë të ujit dhe shpatave me ngjyrë të përhimtë. Ata u kthyen në Shkodër, të pasuruar, fitimtarë dhe me shumë plaçka” (po aty, fq 226).
Kështu dëshmia e kronistit turk rrëzon jo vetëm dëshminë e Barletit për grabitjen e varrit të Skënderbeut por edhe tezën e Kristo Frashërit se memoriali i tij ruhej në kështjellën e Lezhës deri në shekullin e XIX. Duket se Dhosi Liperi mund të ketë patur të drejtë kur ndërtoi hipotezën e tij se: eshtrat e heroit u tërhoqën nga shqiptarët përpara se Lezha të pushtohej nga turqit-osmanë. Këtë gjë e përforcon përsëri kronisti turk i cili tek i njëjti burim thekson: “banorët zbritën dhe hipën në galerat që qëndronin të gatshme pranë mureve të kështjellës. Në kështjellë nuk mbetën as gra dhe fëmijë, as të rinj dhe pleq të gjithë së bashku me plaçkat e tyre mbushën anijet. Gjithë natën deri në mëngjes ata ngarkuan anijet dhe boshatisën brendinë e këshjtellës…Ata emigruan nga atdheu” (po aty, fq 223-224). Këtë largim të banorëve, studiuesi Koço Zheku, tek i njëjti libër që cituam më sipër na e përshkruan kështu: “Në të vërtetë kështjella dhe gjithçka që ishte brenda saj u dogjën nga qytetarët, para se të arrinte ushtria turke për ta pushtuar atë.
Pas shkatërrimit të kështjellës populli braktisi qytetin dhe u largua me barka nëpër lumë në drejtim të detit të hapur (fq 108)….qyteti dhe gjithçka që ishte Brenda tij u dogj e u shkatërrua nga vetë ata që e kishin ndërtuar, nga banorët e tij. Prandaj këtë herë shkatërrimi ishte rrënjësor, në mënyrë që azgjë të mos i shërbente armikut” (K. Zheku. Lisi në Shekuj. Fq 109). Këtë fat ndoshta e pati edhe kisha e Shën Kollit.