Categories
Lajme

Shpërthen mina, humb jetën ushtarakja Shqiptare në Letoni

Kjo është efektivja Zarife Hasanaj, me origjinë nga Bajram Curri dhe banore në Babrru, që humbi jetën në Letoni, pas shpërthimit të një mine.

Ajo, bashkë me të tjerë ushtarakë shqiptarë, ndodheshin në Letoni në kuadër të grup – batalionit kanadez të Prezencës së Përparuar të Përforcuar të NATO-s.

Kontigjenti aktual, ishte nisur në Letoni më 1 janar të këtij viti, me një mision gjashtë mujor dhe ishin vendosur në bazën Camp Adazi.

Në qershor, ushtarakët shqiptarë, pjesë e të cilëve edhe Zarifja, do të ktheheshin në atdhe. Por 32 vjeçarja, mbeti e përfshirë rreth orës 9 të mëngjesit të së hënës, ora 10.10 sipas orës lokale, në një shpërthim të disa municioneve të paplasura.

Ngjarja, sipas ministrisë shqiptare të mbrojtjes, ka ndodhur gjatë kryerjes së detyrave luftarake, në bazën e natos ku edhe ishte zhvilluar një stërvitje e përbashkët. Shpërthimit, nuk ka mundur t’i shpëtojë nëntetarja Zarife Muharrem Hasanaj, ndërsa kanë mbetur të plagosur komandanti i kontigjentit, Major Klodian Nikolle Tanushi dhe Rreshter Julian Xhevat Kapaj. Këta dy të fundit, janë nën kujdesin e mjekëve në bazën letoneze.

“Në emër të Forcave të Armatosura i shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes së Nëntetares Hasanaj që humbi jetën në krye të detyrës dhe urojmë shërim të shpejtë për Major Klodian Tanushi dhe Rreshter Julian Kapaj”, tha Gjeneral Brigade Bardhyl Kollcaku, shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.

Reagimet nuk kanë vonuar në Tiranë. Presidenti Ilir Meta, kryeministri Edi Rama, ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka e të tjerë, i kanë shprehur ngushëllimet familjes Hasanaj dhe i kanë uruar shërim të shpejtë dy ushtarakëve të tjerë të plagosur.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *