Mediat më të rëndësishme ndërkombëtare kanë shkruar rreth zgjedhjeve në Shqipëri. Kështu, “The Uashington Post” shkruan se shqiptarët kanë votuar pa problem, edhe pse ekzistonte një lloj frike për përplasje.
Në shkrimin e kësaj medieje, nënvizohet se qytetarët shqiptarë kanë votuar pa problem, edhe pse vendi kishte kaluar protesta të fuqishme nga opozita dhe se ishin kryer më herët arrestime të protestuesve opozitarë. Në artikull, thuhet ndër të tjera se në Shqipëri ndodhi një “përplasje” mes presidentit Ilir Meta dhe kryeministrit Rama për datën e zgjedhjeve. Në fund, Rama tha se data 30 qershor nuk ndryshon si ditë votimi dhe ashtu ndodhi.
Ndërsa Rama tha se ishte krenar që zgjedhjet u mbajtën, Basha nga ana e tij deklaroi se ishte fitore që në votime kishin dalë vetëm 21.6% e shqiptarëve, ndërsa më zgjedhjet e fundit pjesëmarrja në votim ishte 48%. Partia Socialiste e drejtuar nga Rama pritet që të marrë më shumë bashki, ndërsa e pazakontë ishte sepse në 35 bashki të vendit nga 61 gjithsej, është vetëm një kandidat i PS dhe nuk ka kundërshtar politik.
BBC raporton se shqiptarët kanë votuar si asnjëherë më parë në një formë thuajse diktatoriale. Sipas gjigandit mediatik, shqiptarët kanë votuar në këto zgjedhje në mënyrë thuajse moniste. Opozita bojkotoi zgjedhjet, ndërsa presidenti Ilir Meta dekretoi datë të re zgjedhjesh, e cila nuk u zbatua. Rama fajësoi presidentin, dikur një aleat i tij në qeverisje.
“Al Jazeera” shkruan se shqiptarët votuan në një atmosferë të tensionuar për kryetarë të bashkive të vendit. Shteti ballkanik është goditur nga trazirat politike që nga shkurti, kur politikanët e opozitës dhanë dorëheqjen nga parlamenti për të nisur protesta të dhunshme ndaj kryeministrit të vendit Edi Rama.