Shënohet sot 5 Maji, Dita e Dëshmorëve të Atdheut. Ashtu si çdo vit tjetër, edhe sot pritet të zhvillohet ceremonia zyrtare e homazheve në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit.
Zyrtarë të shtetit dhe politikës do të vendosin kurora me lule përpara memorialit “Nënë Shqipëri”, në nderim të të rënëve në luftën anti-fashiste.
Pritet që sot paradite, Varrezat e Dëshmorëve të vizitohen nga kreu i qeverisë Edi Rama i shoqëruar nga aleati i tij Ilir Meta.
Ndërkohë që edhe strukturat e larta të opozitës me në krye Lulzim Bashën pritet të kryejnë homazhe për nder të dëshmorëve.
Dita e Dëshmorëve u vendos të jetë 5 Maji 1942, dita kur u vra nga fashistët, Qemal Stafa, i ri komunist aktivist i luftës Nacional Çlirimtare.
Përpara krijimit të shtetit shqiptar, populli shqiptar i kujtonte dëshmorët e tij dhe mbante gjallë legjendat e tyre, nëpërmes këngës epike, dhe trashëgimisë të historisë të tyre nga brezi në brez.
Pas shpalljes së Pavarësisë më 1912 e deri me 1945, shteti shqiptar nuk krijoi nj ë status ligjor për dëshmorët e Atdheut. Në vitin 1923 ligjërohet vetëm pensioni për familjen e tij, si pjesë e ligjit për pensionet e ushtarakëve
Gjate luftës nacional çlirimtare, fillojnë përpjekjet e para për të nderuar dëshmoret e rënë në fushat e betejave. Të rënët i bënë simbol frymëzimi për luftëtarët e lirisë. Këngët për dëshmorët, dhënia e emrave të dëshmorëve reparteve partizane, shkrimet për aktin e tyre në shtypin e luftës dhe në fjalime, betimi para varreve të tyre, varrimi partizan ceremonial, ndihma për familjet, zëvendësimi i tyre në radhët partizane nga të afërt etj., të gjitha këto janë shprehje e vlerësimit për aktin dhe figurën e dëshmorit.
Pas çlirimit, më 28 gusht 1945, kryesia e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar, miratoi ligjin Nr. 109 “Mbi shpërblimin e familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare”. Ky ligj sanksiononte edhe trajtimin e familjeve të patriotëve që kishin luftuar e rënë për atdheun edhe para Luftës Aantifashiste Nacionalçlirimtare, në kohën e Rilindjes Kombëtare, në luftërat për pavarësi, duke shënuar kështu përpjekjen e parë për një ligj integral për dëshmorët e Atdheut.
Ne vitet ´60-të statusi i dëshmorit përpunohet më tej dhe zgjerohet, duke specifikuar termin”Dëshmor i Atdheut”. Në këtë ligj futen edhe Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut, të cilat u ndërtuan në të gjitha qendrat e rretheve të vendit, ku u përqendruan varret e të gjithë dëshmorëve, me përjashtim të atyre të Pezës e të Kuçit të Vlorës. U ndërtuan edhe Varrezat e Dëshmoreve të Atdheut në Tiranë me monumentin “Nënë Shqipëri”
Me 1992-1993, me ndërrimin e sistemit politik, pësoi ndryshime edhe statusi i Dëshmorit të Atdheut. Me një vendim të qeverisë Meksi, ende i papublikuar, iu hoqën përfitimet familjeve të dëshmorëve.
Ne vitin 2000, pas shumë përpjekjeve u miratua ligji Nr. 8607 datë 27.04, “Statusi i Dëshmorit të Atdheut”, në të cilin përfshihen dëshmorët e të gjitha periudhave historike, madje edhe të rënët në vitet 1997-1999, në Shqipëri dhe në Luftën Çlirimtare të Kosovës.