Categories
Histori Të gjitha

A ishim të posaçëm, ne shqiptarët?

Shkruan: Fahri XHARRA

Në lutjet e tona të përditshme, shqiptarët nuk e përmendim atdheun. I lutemi Zotit, i kërkojmë falje për gabimet e bëra. I lutemi të na dhurojë pasuri, fat dhe mirëqenie. I lutemi të na shpëtojë nga e keqja, nga i mallkuari. I lutemi të na shpëtojë familjen; por vetëm lutje për veten vetjake. A e keni dëgjuar kënd të lutet për atdheun? Askush nuk na mësuar për një lutje të tillë. Nuk i lutemi Zotit që ai t ‘na shpëtojë kombin, atdheun. Nuk i lutemi Zotit të na shpëtojë nga zhbërja. Nuk i lutemi Zotit që të na ruajë kombin.

Viktimë është vetë historia

E kotë është puna e Sizifit. Por, edhe lindja e Feniksit nga hiri është e kotë. Dhëmbët kërcasin, në kokën e pa bindur të individëve, të cilët janë pre e mosdijes totale, janë pre e manipulimeve të paguarve për shtrembërime. Viktimat janë të shumta. Viktimë është vetë historia jonë, e cila e ka mundësuar përbirimin e së keqes në trevat tona. Kur i mohojmë rrënjët tona i rrezikojmë degët që të na shprishen dhe degët e shprishura të tjerët na i shartojnë me degë të huaja, të cilat në natyrë sjellin frytin e huaj. Ky është një ligj i natyrës të cilit nuk mund t`i ikim. E edhe më e keqja është se ne dalim në mbrojtje të vetvetes vetëm për kohën e pas shekullit të XV-të. Kërkojmë trashëgimin tonë në përzierjen me ata që na kanë ç ‘orientuar, denigruar, humbur historinë e re, e sipas disave edhe të harrojmë historinë tonë të rrënjës sonë.

Është shumë interesant të theksohet se ne shqiptarë vazhdimisht jemi të përcjellë herë nga zënia e Diellit e herë nga zënia e Hënës, dhe mbi kokat tona na shtreson një shtresë e errësirës, e cila kurrqysh të na hiqet. Si bëhet që një popull autokton ta mohojë vetveten? Por, s`ka faj populli i ngratë, se atë nuk e spërkatë kurrkush me ujë me rastin a alivanosjes dhe alivanosja e sjell gjendjen e komës, gjendje e cila iu shkon përshtati të gjitha qarqeve përveç atyre shqiptare. Pse nuk e shpjegojmë drejt dhe të bindemi se shoka shumëngjyrëshe në qiell pas shiut është Ylberi? Pse nuk e shpjegojmë drejt dhe të bindemi që është e lejuar prerja e thonjve edhe natën? Pse ne ende mbesim në vorbullën e manipulimeve? Shqiptarët e kishim dikur një posaçëshmëri të patundshme, cila na çonte vetëm përpara, e tani? Çdo gjë në natyrë është fryt i saj. Çdo gjë e gjallë duhet patjetër t`u përshtatet ligjeve të natyrës, përndryshe rrezikohet nga zhdukja. Një prej ligjeve më universale të forcave të natyrës është ligji i rëndimit (i gravitetit). Është një forcë tërheqëse në mes të të gjitha gjërave.

Çdo objekt në gjithësi është i rrethuar nga fusha e rëndimit, e cila rritet në pakufi në të gjitha drejtimet, fuqia e së cilës është drejtpërdrejt proporcionale me masën e objektit. Çdo copëz në gjithësi tërhiqet me gravitet nga çdo copëz tjetër.

Qendra e rëndimit

Qysh moti, popujt e civilizuar e kanë kuptuar këtë ligj të natyrës dhe e kanë krijuar qendrën e tyre të rëndimit, i kanë krijuar të gjithë parametrat për të qëndruar, evoluuar, përparuar në udhëheqjen e tyre kombëtare, fetare, intelektuale, ushtarake. Popujt dhe kombet që nuk i janë përshtatur organizimit sipas këtij ligji, janë dobësuar, kanë mbetur të rendit të dytë apo të tretë ose edhe janë zhdukur nga faqja e dheut. Po ne ku jemi? Historikisht a kemi pasur qendër të rëndimit, qendër të vendosjes? Jo. Më mirë të themi e kemi pasur vetëm për një kohë të shkurtër 25-vjeçare gjatë periudhës së Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Ai ishte qendra më e fortë jona e rëndimit dhe çdo gjë peshonte më rëndë në rrethin e atëhershëm ballkanik.

Edhe më vonë është kërkuar për një qendër të rëndimit, për një qendër të vendosjes mbarë shqiptare, por lojtarët tanë të mëdhenj e luanin lojën kundër ligjeve të gravitetit universal kombëtar. Secili mundohej të krijonte qendrën e tij të rëndimit dhe që bota shqiptare të rrotullohej vetëm rreth tij. Në fillimin e shekullit XIX, kur filloi kalbja e perandorisë osmane dhe i gjeti shqiptarët me dy qendra të rëndimit,

Edith Durham shkruante: “Po të kishin mundur shqiptarët të prodhonin një Skënderbe të dytë, pavarësia e saj do të kishte qenë e sigurt”. E dhembshme! “Që të dyja, veriu dhe jugu, u hodhën në një kryengritje të sigurt për fitore, por mungesa e bashkimit e solli shkatërrimin e tyre. Ato nuk u ngritën bashkë”. Mosgatishmëria për një qendër të rëndimit, historikisht tipike për shqiptarët, ia mundësoi turkut që ato dy pole gjeografike dhe ideologjike, t’i mbajë të ndara e të nënshtruara. Çdoherë kur kemi humbur kontrollin e përgjithshëm jemi shkokëluar në copëza të shpërndara, pa kurrfarë mundësie të kthimit në tërësinë tonë. Aplikimi i konceptit të gravitacionit varet nga ajo se sa jemi të aftë: të matim forcat e gravitetit në mes dy apo tri objekteve që na rrethojnë (trekëndëshi i njohur antishqiptar), të gjejmë qendrën e masës së një objekti, të krijojmë qendër natyrale të rëndimit, të sajojmë lakoren e orbitës së gravitetit, të kuptojmë se si forcat gravitale rëndojnë.

Qendra e vendosjes, e shpërndarë në klane

Shpallja e pavarësisë (1912) na gjeti si zakonisht pa qendër graviteti, pa qendër të vendosjes, e ndikimi i apetiteve të trekëndëshit të njohur antishqiptar ishte shumë i madh në dëm tonin. Duke mos ditur se si forcat gravitale rëndojnë, dikush i binte thumbit e dikush patkoit, dikush e donte Babën e dikush Evropën e shumëkush nuk dinte se çka donte. Assesi të gjenim qendrën e masës së objektit ku gravitojnë të gjitha forcat e që quhej pavarësi. Bota vëren dhe vrojton. Ne shqiptarët sigurisht që jemi në qendër të vrojtimit. Ata e dinë që ne jemi të lehtë, ata e dinë që ne nuk kemi qendër të rëndimit. Duke mos pasur qendër të rëndimit, e kishim të vështirë aplikimin e koncepteve të gravitetit. Me këtë paaftësi u shfaqëm edhe në Rambouillet. Kështu që, SHBA-ve iu desh të sajojnë një qendër artificiale të rëndimit që të gjithë të marrin pjesë në nënshkrimin e marrëveshjes fatlume të Rambouillet-së.

Në Serbi punon Akademia e Shkencave dhe Kisha e tyre Ortodokse, Në Greqi çështjet e tyre madhore kombëtare i vendos Kisha Ortodokse. Edhe në Maqedoni Kisha Ortodokse maqedonase me ndihmën e asaj ruse e pa shqiptarët e vetë përjashtuar janë qendrat e tyre të rëndimit. Qendra jonë e vendosjes është e shpërndarë në klane, klube, parti dhe sekte të ndryshme ekonomike, interesi i të cilave nuk iu “ha palla” për tërësinë. Trevat mbarë shqiptare, të gjitha në fqinjësi njëra me tjetrën, janë larg formimit të qendrës sonë të rëndimit, janë larg pasi që individët e caktuar mendojnë se të gjithë të tjerët duhen të sillen rreth tyre. Universi i politikës dhe shqiptarët Sikur të dinim se sa punë duhet për t’u ngritur një objekt kundër qendrës së rëndimit nuk do të ishim kaq të shpërndarë. Të tjerët këtë e dinë dhe llogarisin saktë se çfarë mundi iu duhet për të na larguar nga graviteti ynë, si dhe nga orbita e jonë e qëndrueshmërisë historike. Si veprojnë ata? E kanë të qartë dhe shumë mirë të llogaritur energjinë finale dhe nxitimin e duhur të një objekti që bie prapa në tokë dhe e dinë mirë se çka duhet bërë që ne të qëndrojmë gjithmonë pezull si objektet e humbura në gjithësi.

A e kishim posaçëshmërinë tonë si komb? Po, një nga ato: “Në studimin e At Donat Kurtit jepet edhe një e dhënë e mrekullueshme për marrëdhëniet e vendit tonë me atë revolucion teknologjik që e tronditi botën kulturore me fuqinë e jashtëzakonshme shtytëse që u dha botimeve dhe kulturës në tërësi: për lidhjet me shtypshkronjën. Ai thekson se shtypshkronja kishte hyrë në Obot “fill mbâs të gjetunit”, domethënë fill pas shpikjes së saj nga Gutenbergu. Shtypshkronja e Obotit, shkruan At Kurti, njihet më 1493. Kjo do të thotë se ajo ishte futur në Shqipëri vetëm 38 vjet pasi Gutenbergu i dhá vendit të vet dhe botës prodhimin më të famshëm (Don Alberti)
“.Jemi shumë të hershëm, por nuk na lejonin të tregonim vetën. E dhe kjo nga mungesa e një qendre; një qendre tonën të cilën kurrë nuk e donin as të tjerët, e as na vetë. Përfundimisht, është shumë e nevojshme t`i mbështetemi diçkaje dhe të krijojmë qendrën tonë të rëndimit, qendrën tonë të vendosjes, sepse si në Kosovë, në Shqipëri e Maqedoni shihet qartë se nuk jemi askund në universin e politikës, ekonomisë dhe të përgatitjes së ardhmërisë mbarë shqiptare.

( e shkëputur nga libri :”Çështja shqiptare ndër shekuj”-Fahri Xharra )

Gjakovë, 13/09/2012

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *