Categories
Të gjitha

Dita e Verës, tradita Shqiptare që vjen nga lashtësitë

Është dita në të cilën stërgjyshit tanë, kur skish lindur edhe krishterimi, kremtonin bashkë me romakët dhe me grekët e vjetër, perënditë e luleve, të shelgjeteve. Kur shkrin dimri, kur qaset vera buzëqeshur, e hollë dhe e gjatë si në pikturë të Boticelit, zemra e njeriut shkarkohet nga një barrë, shijon një qetësi, një lumturi të ëmbël. Në këtë gëzim, stërgjyshërit tanë ndienin një detyrë t’u falën perëndive që sjellin këto mirësia. Dhe ashtu leu festa hiroshe që e quajnë Dita e Verës.

Në pakë ditë në Shqipëri, besnikët e fundmë të paganizmit, besnikët pa dashur dhe pa ditur, do të rrethojnë me verore degët e thanave, të dëllinjave, të dafinave, të gjitha shelgjeve të nderuara. Do të këputin degë të gjelbra dhe do t’i vënë përmbi kryet e shtëpive. Të mos i lëmë të humbasin këto festa të vjetra të racës sonë.

Nuk i bëjnë dëm njeriut. Sjellin një gëzim të kulluar në shtëpi. Një vend ku jeta e të vegjëlve është aq e trishtuar, djemuria dhe vajzat kanë një rasë të rrallë për të dëfryer. Për të mëdhenjtë, Dita e Verës ka një shije poetike të hollë e të rrallë.

Dita e Verës është një festë me origjinë të lashtë. Festimi kryhet në nderim të natyrës së bukur shqiptare dhe bimësisë që merr jetë në këtë datë. Tashme kjo festë është bërë edhe ditë kombëtare pushimi. Shenja dalluese e këtij festimi është gatimi i ballokumeve.

Ndërsa në Shqipëri kjo ditë festohet më 14 Mars

Një festë festë pagane, shumë më e hershme se krishterimi apo islamizmi, është festimi i Ditës së Verës,  në të gjithë zonën e Elbasanit por edhe në të gjitha trevat e tjera shqiptare.

Por në këtë ditë të shënuar, Elbasani kthehet në qendër të festimeve me aktivitete të larmishme, nga ekskursionet në natyrë, deri tek dreka e begatshme familjare, ku nuk mungon ballokumja.

Zanafillën “Dita e Verës” e ka në faltoren Zana e Çermenikës, e ndërtuar në rrethinat e qytetit të Elbasanit, e cila ishte perëndesha e gjuetisë, pyjeve dhe e të gjithë natyrës.

Sipas gojëdhënës, kjo zanë dilte nga faltorja e saj ditën e 14 marsit. E trashëguar brez pas brezi, kjo festë popullore, është një ditë, e cila sot identifikon edhe vetë qytetin e Elbasanit. Kushdo që do të kalojë këto ditë pranë Elbasanit do të ndjejë aromën ndjellëse të ballakumeve.

Ballakumet janë ëmbëlsira tradicionale e kësaj feste. Në Elbasan gatuhen vetëm në këtë ditë. Kjo i bën ato edhe më të veçanta. Janë ëmbëlsirat që gatuhen me miell misri të situr mirë, gjalpë bio dhe sheqer të imët.

Gjithashtu një detaj i kësaj feste është edhe vendosja në dorë e “verores”, një byzylyk prej fijesh të bardhë dhe të kuqe që lidhet në kyçin e dorës dhe zgjidhet kur të shihet dallëndyshja e parë. Në disa krahina, veroret varen në degë pemësh, kryesisht dafinash, që dallëndyshet t’i marrin e të sjellin mbarësi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *