Categories
Lajme

Kush ishte Admir Murataj, njeriu që sfidoi policinë greke dhe shqiptare

Admir Murataj, ideatori i grabitjeve spektakolare të blindave me para, mbeti i vrarë pas grabitjes më të madhe, ku dyshohet se grupi i tij mori 10 milionë euro nga avioni në pistën e aeroportit ndërkombëtar të Rinasit.

Dhe nuk ishte çudi që pas grabitjes më të fundit, policia ngriti menjëherë dyshimet mbi Admir Muratajn, i cili ishte kthyer në një grabitës fluturues, që pasi godiste blindat e parave zhdukej. Pa gjurmë.

Po kush ishte Admir Murataj?

E kaluara e tij kriminale dhe përdorimi i 15 emrave të tjerë, justifikon plotësisht mitin që ishte ngritur rreth tij. Emri i tij do të bëhej i njohur pas grabitjeve të kryera në Greqi.

Me pas emri i tij do të lakohej në Mars të vitit 2013 si një nga të arratisurit nga burgu i Trikallasë në Greqi.

Pas këtij momenti, aktiviteti kriminal i Muratajt do të zhvendosej në Shqipëri ku, edhe pse në kërkim nga policia, në harkun kohor të 4 viteve do të organizonte dhe kryente të paktën tre grabitje të blindave që transportonin vlera monetare drejt aeroportit të Rinasit.

Grabitja e parë e grupit të Muratajt ndodhi në shkurt të vitit 2015 pranë stacionit të trenit në Tiranë, ku në një bankë të nivelit të dytë u vodhën me armë 900 mijë franga, 800 mijë paund dhe 16 mijë euro.

Pak muaj më vonë, në dhjetor të po atij viti, banda e Muratajt grabiti rreth 2 milionë paund, 800 mijë dollarë dhe sasi të tjera valute pranë kthesës së Kasharit.

Ngjarja e tretë për të cilën akuzohet grupi i Muratajt ndodhi pranë Rinasit gjatë transportimit të parave me makinën e policisë privatë, ku u rrëmbyen në automjet thasët me 2 400 000 euro, 200 mijë dollarë dhe valuta të tjera.

Pas kësaj grabitjeje, policia arrestoi disa nga bashkëpunëtorët dhe gjeti disa mijëra euro të fshehura në tenxhere me presion dhe të groposura.

Por edhe pse me një pjesë të grupit të arrestuar, Murataj nuk u tërhoq, por ideoi edhe grabitjen më spektakolare se të tjerat sa i takon shumës së grabitur, në Rinas, kësaj radhe me 10 milionë euro.

Por kjo grabitje do të shënonte edhe fundin e sagës së aktivitetit kriminal të Muratajt, pasi gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë mbeti i vrarë, ai që për katër vite ishte kthyer në makthin e policisë, që godiste dhe zhdukej pa lënë gjurmë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *