Categories
Politikë

Opozita, gati për protestën e katërt dhe “vendimtare”

Pasditen e kësaj të shtune, në Tiranë do të zhvillohet protesta e katërt e madhe e opozitës së drejtuar nga Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi, me kërkesën e kahershme të largimit të Qeverisë “Rama”.

Gjithçka pritet të nisë në orën 18:30, me mbështetësit e Partisë Demokratike, Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe aleatëve të tjerë të opozitës që do të protestojnë sërish përpara Kryeministrisë. Por, siç njoftoi një ditë më parë Basha, protestës së kësaj të shtune do t’i bashkohen edhe 300 studentë europianë të organizatës studentore të Partive Popullore Europiane (PPE-EPP), fakt të cilin ai e shfrytëzoi për t’u bërë ftesë edhe socialistëve që t’i bashkohen opozitës.

Megjithatë, në prag të mbajtjes së protestës së opozitës, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë bëri thirrje për shmangien e dhunës, duke kërkuar që kjo protestë të jetë paqësore.

“Përgjatë muajve të fundit, pjesa më e madhe e pjesëmarrësve kanë ushtruar të drejtën e tyre për të protestuar paqësisht. Megjithatë, në çastin kur një protestë paqësore njolloset nga një akt dhune, qoftë edhe nga një individ, qëllimi demokratik i protestës komprometohet”, thuhej në deklaratën e Ambasadës së SHBA-ve.

Për mbarëvajtjen e protestës, policia ka kaluar në gatishmëri maksimale, sikurse edhe Prokuroria e Tiranës, që si zakonisht pas grumbullimeve të së kaluarës nga mbështetës apo militantë, ka nisur hetimet për pasojat e shkaktuara nga aktet e dhunës.

Basha ka paralajmëruar se protesta e së shtunës do të jetë vendimtare, edhe pse nuk jepen detaje nga organizimet, por ajo që mësohet është kohëzgjatja, më shumë sesa 3 orë. Sipas Lulzim Bashës, zgjedhjet e parakohshme janë në prag. Për këtë, ai u zotua se kjo nuk është një betejë për pushtet dhe se nuk do të kishte zgjedhje pa PD-në më 30 qershor.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *