Categories
Lajme

Puka si destinacion turistik/ Shtëpia ku dha mësim Migjeni është kthyer në muze

“Një destinacion i ri turistik, që ka qëndruar larg syve të turistëve dhe të vetë shqiptarëve, por jo larg vëmendjes sonë”.

Pas rrugës gjarpëruese që të duket sikur natyra ecën me ty, shfaqet qyteti i vogël i Pukës. Përshtypjen mes një grup të rinjsh, ma tërheq djali 5 vjeçar që vullnetarisht kujdeset për vendlindjen e tij.

Puka njihet si qyteti alpin, dy vitet e fundit ka marrë një fytyrë tjetër. I rrethuar nga malet dhe në anë të tij gjen liqenin. Shquhet për ajrin e pastër dhe kurorat e pishave që janë ende të paprekura.

“Është rregulluar pedonalja gjithashtu dhe liqeni, veç qytetit ne kemi të shfrytëzueshëm dhe malet, si Mali i Monedhës, Mali i Krrabit, Mali i Tibunit për sporte të ndryshme alpinizëm dhe ecje në mal”- thotë Vullnet Kuqi.
Puka për Luigjin është thesar që ruan traditat edhe sot. Pavarësisht se është larguar pas 90’ në Tiranë, çdo 10 ditë 80-vjeçarin e gjen në vendin që e njeh më mirë.
“Këtu janë në unitet mysliman- katolikë, që s’janë në asnjë vend tjetër të Shqipërisë. Merre me mend këtu kanë dhuruar tokën myslimanët që të ndërtojnë kishë katolikët. E dyta është mikpritja. Tjetër është mund të ketë shumë e shumë vite këtu që gjakmarrja është eleminuar.”- thotë Luigj Kolë Gegaj.
Klasat ku ka dhënë mësim Migjeni janë kthyer në shtëpi-muze. Arsyeja pse jetoi për 2 vite në Pukë ishte pikërisht natyra.
“Migjeni në Pukë ka ardhur më 16 prill 37’. U ftoh ai dhe mandej kërkoi një vend klimaterik dhe ja rekomanduan Pukën. Ja këtu është qyteti i Pukës në atë kohë, si e gjeti Migjeni dhe thotë ai ‘një fshat që do me u tregu’ qytet”- thotë Xhemal Meçi, studiues.

Ndërsa Përparim Laçi është ndër të parët që i mësoi shqiptarët me idenë e bujtinave, e të krijuarit një ambient të ngrohtë familjarë për pushuesit. Kjo ide i lindi në Everest, ku pa në Nepal sistemin e Bujtinave. Fill pas kthimit, shtëpia e tij u kthye në Bujtinë.

“Kam 12 anëtarë të familjes të cilët punojnë të gjithë këtu, kemi krijuar 55 vende fjetje dhe të gjitha janë prodhime vendi. E kemi nisur me një lopë kemi bërë 12, kemi nisur me një dhi kemi bërë një tufë. Shansi i madh është për Pukën dhe për ne këtu sepse kemi pistën e skive që këtë vit do i shtohet teleferiku kjo të jetë funksionale sic është në rajon.”-tha ai./Top Channel

2 replies on “Puka si destinacion turistik/ Shtëpia ku dha mësim Migjeni është kthyer në muze”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *