Atmosfera e tensionuar që u vu re fillimisht para godinës së Qeverisë, u përsërit dhe përpara selisë së parlamentit, ku manifestuesit u mblodhën duke ju përgjigjur thirjes së drejtuesve të opozitës. Policia ndërhyri me gazlotsjellës për të shpërndarë grupet e protestuesve të cilët tentuan të shtynin kordonin e policisë, ndërsa drejt këtyre të fundit, u lëshua një shi tymuesesh dhe shashkave. Menjëherë pas lëshimit të gazit, protuestuesit u larguan nga hyrja e parlamentit, për t’u rikthyer sërish me kalimin e minutave.
Kjo situatë është përsëritur disa herë ndërsa që pas orës 19.30 manifestuesit qëndrojnë para selisë së parlamentit, sikundër dhe drejtuesit e opozitës. Në drejtim të hyrjes vazhdojnë dhe lëshohen tymuese, shashka por herë pas here dhe bomba Molotov.
Sipas policisë, të paktën 5 punonjës të saj janë plagosur dhe janë shtruar në spital. Edhe opozita nga ana e saj ka folur për 15 protestuesë, mes tyre dhe gazetarë janë plagosur ose kanë shfaqur problem me frymëmarrjen për shkak të gazit të përdorur.
Më herët, para selisë së Qeverisë ku mbështetësit e opozitës u mblodhën fillimisht në mbrëmje në protestën e radhës për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, protestuesit mundën të çajnë kordonin e policisë, përballë hyrjes qëndrore të godinës, pak pas përfundimit të fjalës së kryetarit demokrat Lulzim Basha, Ata qëndruan për disa minuta në shkallët e kryeministrisë, ndërkohë që forcat e policisë nuk ndërhynë për t’i sprapsur ata. Presidenti Ilir Meta bëri ndërkohë thirrje për një protestë paqësore dhe që të evitohen konfrontimet.
Në një postim në Twitter ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj dënoi aksionin e opozitës, ndërsa bën të ditur se ka patur të lënduar mes policvëve. “Edhe sot dhuna e verbër po godet institucione kushtetuese dhe Policinë e Shtetit shqiptar. Plagosja e policëve është një turp dhe shkelje e madhe e ligjit dhe autorët do të mbajnë përgjegjësi”, shkruan zoti Lleshaj.
Nga ana e tij kryeministri Edi Rama, po përmes Twitterit ka shprehur “solidaritet me çdo punonjës policie që në ditë si kjo, duhet të përballet me ekseset fizike të një politike të dëshpëruar, pa kokë, pa drejtim, pa të nesërme! Keqardhje për policët e plagosur nga goditjet qorre të dy partive të verbuara, që marshojnë në rrugën e vetëshkatërrimit”, ka shkruar kryeministri.
Opozita kërkon krijimin e një qeverie kalimtare e cila të përgatisë vendin për zgjedhje të parakohshme, gjë e cila sipas kryetarit demokrat Lulzim Basha “është një kusht i patjetërsueshëm”. Kërkesa e opozitës janë hedhur poshtë deri tani në mënyrë kategorike nga shumica e majtë, sipas së cilës opozita po kërkon të marrë pushtetin në tavolinë.
Kjo është protesta e 9 e opozitës që nga muaji shkurt, dhe e treta përpara selisë së qeverisë. Opozita është tërhequr nga parlamenti dhe deputetët e saj dorëzuan në bllok mandatet. Një vendim ekstrem i kritikuar hapur nga komuniteti ndërkombëtar. Në fillim të kësaj jave gjatë vizitës së tij në Tiranë, Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Matthew Palmer i bëri thirrje partive opozitare të riangazhohen në procesin politik , duke theksuar se zgjedhjet lokale të qershorit janë mundësia më e mirë për ta bërë këtë sa më parë.