More

    Ilirët në sheshin e luftrave dhe mbretërive

    Ilirët gjithmonë kanë qenë shoqëri e diskutuar në kontekstin e luftrave dhe midis dy qytetërimeve, atij grek dhe romak. Në historinë e këtyre dy qytetërimeve, për vetë faktin se kishin dhe gjuhë të shkruar kurse Iliria jo, shikojmë se del dhe historia e fiseve dhe mbretërive Ilire. Studiuesi Franklin W. Waibank në kumtesën e tij shkencore ‘’Iliria e jugut në shkujt III-II p.e. sonë’’ jep këto argumente për jetën social-politike të fiseve dhe mbretërive ilire:

    foto ilustruse

    Informacioni më i mirë letrar për Ilirinë e kësaj kohe vjen nga raportet e luftës së parë dhe të dytë iliro-romake. Për këtë Polybi, zakonisht një historian i besueshëm dhe i qartë, është burimi ynë i parë, i mbështetur nga Apiani, Dio dhe Zonara. Për këto lufta kanë ndodhur tamam në fillim të Histories të Polybit, kur ai bazohet pothuaj tërësisht në burimet e shkruara prej vetë atij. Fab Piktori, historian romak më i hershëm i cili gjendet, me sa duket, ndërmjet burimeve të Polybit për këtë pjesë, jo vetëm shkroi greqisht, por për më tepër, shkroi duke pasur parasysh një publik grek. Si rrjedhim ai (dhe Polybi që e pason atë) e paraqet luftën e parë ilire gjerësisht si një ndërmarrje për mbrojtjen e qyteteve greke dhe për përmbushjen e detyrimeve romake. Shkaqet për të cilat romakët kaluan për herë të parë Adriatikun dhe natyra e kuptimi i rregullimit të çështjeve pas disfatës së Teutës ende sot diskutohen mjaft.

    Në burimet tona Teuta është paraqitur si grua e paarsyeshme dhe gjaknxehtë, që ndjek një kurs vetvrasës opozite dhe provokacionesh të delegatëve minalë në përgjigje të kërkesave të buta e të moderuara të delegatëve romakë. Kjo tablo riprodhon një motiv tipik për historianët me sensacionalë të periudhës helenistike dhe Petzoldi ka vënë në dukje tani së fundmi se kjo është marrë në fund të fundit (dhe me sa duket nëpërmjet Fabit) nga Fylarku, të cilin Polybi në ndonjë rast e kritikon pikërisht për këtë mënyrë të shkruajturi emocionante dhe sensacionale.

    Gjykimi mbi sjelljen e Teutës –qoftë kur bashkohet me Polybin dhe shumicën e historianëve të sotëm që e sheh atë si provokues dhe të paarsyeshëm, ose qoftë me Badianin që të besojë se romakët kanë qenë të butë në këtë rast dhe mbretëresha paqtuese-është i detyruar të prekë jo vetëm interpretimin e politikës romake gjatë luftës, por edhe interpretimin e asaj që bënë vetë ilirët. E përmenda këtë, jo sepse unë propozoj që të diskutohet politika romake -kjo do të na çonte mjaft larg asaj që i kemi vënë detyrë vetes -por sepse ne varemi nga këto burime për një shqyrtim të historisë ilire, dhe duhet të dihet që në fillim se ato duhen trajtuar në mënyrë kritike.

    ‘’Ilirë’’është emër që iu dha prej grekëve një grupi popujsh, të cilët në shek.III p.e. sonë zini një territor të gjerë në pjesën veriore dhe perëndimore të gadishullit të Ballkanit prej maleve Akrokeraune (të cilat sipas Plutarkut dhe Melës, kufirin e Greqisë). Janë të njohur emrat e më se shtatëmbëdhjetë prej këtyre popujve por lista i përket një periudhe të gjatë dhe padyshim aty ka dublime.

    Rreth mesit të shek. III p.e.sonë ne mund të dallojmë tre grupe të rëndësishëm –autariatët, dardanët dhe ardiejt.

    Megjithë argumentet e Fanula Papazoglut, faktet që kemi në disponim nuk e mbështesin pikëpamjen se popujt ilirë kanë qenë organizuar në një shtet të vetëm ilir. Hammondi ka provuar në mënyrë bindëse se shprehja ‘’ilirë’’ përdorej në fillim për një grup që banonte midis Dyrrahut dhe Skodrës, dhe qe zgjeruar nga grekët për të cilësuar popuj të një origjine ashtu si romakët i quanin të gjithë helenët Graeci. Tek autorët klasikë (dhe padyshim tek të tërë grekët) ilirët vështrohen si barbarë ose në kohën e kontakteve më të hershme, si gjysmë barbarë: kështu është paraqitur të paktën në gjenealogjinë imagjinare, natyrisht me origjinë greke, e cila e nxjerr Ilirinë të parin e popujve ilirë, si djalë të Nymfey Galatea dhe të ciklopit të tmershëm me një sy, Polyfemit.

    Megjithatë në shek. III p.e. sonë dhe madje më herët disa prej ilirëve, dhe veçanërisht prijësit e tyre dhe klasa sunduese, kishin arritur në një shkallë të konsiderueshme helenizmi. Që nga shek. V, p.e. sonë, siç është vënë e fundit në dukje nga gërmimet arkeologjike në Ilirinë e jugut, dhe veçanërisht në pjesët e saj kufizoheshin me Epirin, u bë një hap cilësor drejt urbanizimit. Për disa shekuj kishte pasur qytete greke në bregdetin ilir.

    Këtu përfshihet Epidamni (Dyrrahu), Apolonia, Oriku dhe ndonjë Lisi(megjithëse karakteri grek i Lisit është vënë në dyshim) dhe ishujt e Korkyrës së Zezë, Isës dhe Farosit.

    Këta zhvilluan tregëtinë dhe futën njohuritë mbi greqishten tek ata popuj ilirë me të cilët ranë në kontakt. Sipas Strabonit ka pasur një përzierje ndërmjet popujve epiriotë dhe ilirëve më jugorë-bylionëve, taulantëve, parthinëve, dhe brygëve.

    Kishte një ngjashmëri të madhe, vazhdon ai, në veshje, qethjen e flokëve dhe gjuhën e popujve të kësaj treve dhe maqedonëve. Disa prej tyre ishin bilingë, me sa duke flisnin greqishten dhe ilirishten. Straboni nuk e përmend burimin e kësaj informate, por Hammondi ka treguar se ai me sa duket mbështetet kryesisht tek Hekateu, duke dhënë kështu më tepër kushtet e shek. VI p.e.sonë: por ngjashmëritë fare mirë mund të kenë qëndruar edhe më vonë.

    Këto lidhje kulturore provohen gjithashtu nga prerjet monetare. Legjendat greke gjenden mbi monedha e Amantias dhe Bylisit, si dhe mbi ato të mbretërive ilire Monin dhe Mytil, të cilët duket se kanë pasur nën sundim Dyrrahun.

    Në fakt gërmimet kanë vënë në dukje praninë e një elementi të gjerë ilir në këtë qytet gjatë kohës helenistike dhe se institucionet e saj, megjithëse padyshim ishin zhvilluar në përgjigje të evolucionit të brendshëm shoqëror të popujve ilirë, janë ndikuar nga ato të botës së jashtme.

    Kjo mund të ilustrohet me disa tipare të monarkisë ilire, e cila njëlloj si monarkitë e Epirit, Athamanisë dhe Thrakës, ka qenë e prirur ndaj ndikimit të formave dhe institucioneve të shteteve helenistike.

    Për fat të keq, nuk është gjithmonë e mundur të thuhet se cilat nga tiparet e veçanta, që mund të gjurmohen në shek III dhe II-p.e. sonë e që mund të krahasohen nga ngjashmëritë me monarkitë e organizuara më mirë të Maqedonisë antigonide, Pergamit, Egjyptit, Sirisë seleukive greke të Bakrisë dhe Hindisë, janë zhvilluar në këtë mënyrë të pavarur në një kohë më të hershme në shtetet ilire. Por në lidhje me këtë çështje unë do të përmend një ose dy paralele.

    Monarkia ilire ishte natyrisht e trashëgueshme, megjithëse informuar keq mbi kushtet e trashëgimit të fronit dhe mbi çdo rol që luante populli dhe krerët. Hamondi ka përcaktuar dinastitë në shtete të ndryshme ilire ndërmjet shek V dhe IV p.e.sonë duke përfshirë edhe monarkinë ardieje.

    Kur Agroni vdiq rreth 230, ai u pasua nga djali i vet i mitur Pini, ndërkohë kur siç mund të pritej, roli i tutorit u bë mjaft i rëndësishëm: institucioni i tutorit u ushtrua në fillim nga e veja e mbretit, Teuta (megjithëse ajo nuk ishte e ëma e djalit) dhe më vonë nga Demetër Fari, që u martua me nënën e Pinit, Triteutën. Demetri, rastësisht, mund të ketë qënë grek ose gjysmëgrek: sidoqoftë një tjetër Demetër Fari, që del në një papyrus si banor në Egjypt rreth së njëjtës kohë, njihet aty si grek.

    Janë për t’u kujtuar ngjarjet në Maqedoni kur Demetri II vdiq duke lënë një djalë si trashëgimtar dhe kushëriri i tij, Antigon Dosoni, u martua me nënën e djalit. Fthian, dhe, në fillim si tutor i Filipit e më vonë si mbret, shpëtoi shtetin, njëlloj si në gjendjen e krijuar në kohën e ardhjes në front ë Filipit II. Për monarkinë e ardejve duhet shënuar se Teuta u bë tutore pavarësisht se Skerdilaidi që ishte me sa duket vëllai i Agronit, dhe që më vonë u bë tutor i Pinit dhe eventualisht mbret, në atë kohë qe një udhëheqës ushtarak aktiv.

    Në artikullin e tyre H. dhe N, Ceka e krahasojnë pushtetin e ushtruar nga Olimpia me atë të ushtruar nga Deidamia në Epir dhe e shohin atë si një reflektim të gjendjes së lartë shoqërore të gruas në Iliri, të krahasuar me gruan greke, që kishte humbur vendin e saj në ekonomi për shkak të punës së skllavit, duke humbur njëkohësisht pozitën në jetën shoqërore dhe politike. Por ndoshta është po ashtu me vend të krahasohet ndikimi i ushtruar nga mbretëresha të ndryshme Helene (më e njohura nga të cilat qe Kelopatra Viti në Egjypt), megjithatë rolin që luante prej kohe skllavëria në këto mbretëri. Më vonë vetë Skerdilajdi ndoqi një praktikë të njohur prej nesh nga bota helenistike duke bërë djalin e vet Pleuratin bashkësundues për t’i siguruar atij një trashëgim të lehtë. Të dy figurojnë së bashku në traktatin e lidhur ndërmjet Romës dhe Etolisë më 211, por data e saktë e hipjes në fron të Pleuratit është e pasigurtë.

    Qenia gjallë e nënës së Pinit dhe martesa e saj me Demetrin pas vdekjes së Teutës ngre çështjen në se mbretërit ardiej kanë ushtruar poligaminë. Poligamia në përgjithësi tregon një pozitë të ulët të gruas, si rrjedhim mund të duket se nuk shkon në përputhje me pushtetin e pavarur të ushtruar nga një mbretëreshë si Teuta. Por kjo mund të mos jetë e sigurtë. Në përgjithësi duket e mundshme se ashtu si tek mbretërit maqedonë-për shembull Filipi II, Demetër Poliorketi dhe Filipi V –mbretërit ardiej synonin të kishin disa gra, njëherësh ose njëra pas tjetrës, kjo ose për të përmbushur pasionet e tyre, ose si një mjet politik- si Filipi V i Maqedonisë, i cili martoi birin e vet Perseun me një princeshë bastarne, e cila më vonë pas hypjes në fron të Perseut u mënjanua në favor të një loje më të rëndësishme me Laodikën e Sirisë.

    Në se dy gratë e njohura të Gentit, Etuta dhe Etleva, u martuan me të njëra pas tjetrës apo njëherësh, kjo nuk është e përmendur në burimet tona.

    Më në fund mund të vihet ekzistenca e institucionit helenistik të Miqve të mbretit në oborrin ardiej. Polybi na thotë se pas vdekjes së Agronit Teuta ia la hollësitë e adminsitrimit në mbretërinë ardieje këshillit të obortarëve dhe nënpunësve të vjetër. Për fat të keq nuk jemi të informuar në se ndonjë element burokratik i kancelarive helenistike ka qenë riprodhuar në Skodër. Në fund të fundit është e mundur që organizimi i oborrit ilir pat mbetur më tepër primitiv; dhe në të vërtetë Miqtë mund t’i kenë ngjarë më tepër një grupi prijsash fisnorë se sa grupeve shpesh kozmopolitë që përbënin Miqtë në Pella, Antiaki ose Aleksandri.

    Këto ngjashmëri ndërmjet mbretërisë ardieje dhe monarkive të tjera janë të një peshe të ndryshme: por ato ndoshta na ndihmojnë të mbështesim mendimin se në etapat e vona të saj, shteti i kontrolluar nga mbretërit ardiej kishte mjaft nga karakteristikat e një sheti helenistik.

    Pjesë nga kumtesa shkencore e Franklin W. Waibank ‘’Iliria e jugut në shkujt III-II p.e.sonë’’ nga ‘’Kuvendi i Studimeve Ilire Akademia e Shkencave‘’, Tiranë 1974

    Latest news

    Related news

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here