Shqipëria shënoi nivelin më të ulët të pagës mesatare mujore në rajon, sipas përllogaritjeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Pagat në Shqipëri nuk janë më shumë se 340 euro në muaj, teksa fqinjët tanë ofrojnë paga shumë të larta. Paga mesatare në Maqedoni, sipas të dhënave, ju afrua 600 eurove në muaj ndërsa në Bosnjë, më shumë se 700 euro.
Vlerësime të ngjashme mbi produktivitetin dhe pagat në rajonin e Ballkanit tregojnë se ka diferenca ndërmjet pagave dhe një numër shumë i madh përfituesish që paguhen me paga shumë të ulëta. Diferenca e lartë ndërmjet pagave është gjithashtu nxitësi më i madh i pabarazisë në rajonin e Ballkanit.
Mali i Zi dhe Bosnja kanë pagat më të larta në rajon dhe në krahun tjetër, Shqipëria me nivelin më të ulët të pagave.
Një raport konvergjencë për nivelin e pagave në vendet e Ballkanit Perëndimor në krahasim me Austrinë, tregojnë se në vitin 2016 kishte një ulje të tyre, sidomos në Shqipëri.
E matur me fuqinë blerëse, pagat në Shqipëri janë rreth 25% e pagës mesatare në Austri, teksa paga mesatare në Malin e Zi është 54% e mesatares së Austrisë. Shqipëria mbetet shumë prapa në fundin më të ulët të shkallës së pagave. Të gjitha vendet e Ballkanit (përveç Shqipërisë) kanë raportuar nivele më të larta pagash sesa Bullgaria. Pagat në Mal të Zi gjithashtu tejkaluan nivelin e Hungarisë.
Në përgjithësi, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë raportuar nivele të larta rritjeje në pagat reale para krizës së vitit 2018. Pas krizës, rritja e pagave është përshpejtuar në vendet europiane në tranzicion, por jo në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Sipas një studimi të posaçëm të Bankës Botërore për pagat dhe produktivitetin në rajon më 2018 u raportua se Shqipëria ishte i vetmi vend që shënoi ulje të pagës reale gjatë vitit 2016, ndër 10 vende të Europës Qendrore dhe Ballkanit Perëndimor.
Teksa Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerësoi se klima e investimeve në Shqipëri thekson mangësitë strukturore. Sistemi i dobët i drejtësisë, mangësitë në infrastrukturë, një sistem tatimor tepër kompleks, qasja e kufizuar në financa dhe mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar nuk po krijon një ambient të favorshëm për investitorët, veçanërisht në sektorët e orientuar drejt eksportit.
Pagat e ulëta janë një avantazh, por mungesa e aftësive në forcën e punës po e pengon vendin të rrisë produktivitetin e punës dhe të rrisë vlerën e prodhimeve./Monitor