Në shekujt XVIII – XIX, veshja që tërheq vëmendjen e shumë udhëtarëve të huaj, funksionarë, diplomatë dhe artistë dokumentues, është pikërisht fustanella. Në dokumentime të shumta të kohës, kryesisht nga udhëtarë anglezë, fustanella përshkruhet si veshje karakteristike e shqiptarëve, pavarësisht përhapjes që kishte kjo veshje përtej kufijve të sotëm të Shqipërisë shkruan shqip.info/.
Fustanella përshkruhet si një veshje mjaft elegante dhe që admirohej nga të gjithë për bukurinë e saj. Në disa dokumente të kohës, veshja me fustanellë cilësohej si kostumi më i pasur i shqiptarëve; ajo quhet “fustanella e bardhë ose (kilt). Kjo veshje shoqërohet me këmishën e bardhë, festen, xhaketën e qëndisur me ar, brezin e gjerë, të gjitha në ngjyrë të kuqe; ndërsa si veshje plotësuese për fustanellën ishin pantallonat e kuqe deri te gjuri, me dollakën me të njëjtën ngjyrë.
Është shumë interesant përshkrimi që i bëhet materialit që përdoret për fustanellën, sasisë së pëlhurës dhe rëndësisë së madhe që ka kjo veshje për shqiptarët, nga konsulli anglez i asaj kohe, si një raport për një manifakturë komerciale tekstilesh në Londër.
Ndër të tjera, ai thekson: “Për të bërë një fustanellë shqiptare, nevojiten rreth dyzetë metra pëlhurë. Një fustanellë e bërë mirë dhe e mbajtur mirë mund të rrojë rreth katër ose pesë vjet; një person në situata normale ekonomike rrallëherë ka më pak se tri të tilla në përdorim. Një shqiptar do të bënte çdo sakrificë përpara se të hiqte dorë nga fustanella, pasi ajo është bërë pjesë e trupit të tij, si në aspektin personal, ashtu edhe në atë të respektit tradicional për kostumin kombëtar”.Ky dokument na tregon qartë se këtu kemi të bëjmë me një studim tregu, i cili paraqitet me interes për shitjen e materialeve prej pambuku cilësor të Britanisë. Pavarësisht faktit që ky material mund të ishte pak i shtrenjtë, ai ishte ndër më cilësorët në treg dhe i përshtatshëm për të plotësuar pikërisht atë kërkesë që kishin shqiptarët për fustanellën. Por ajo çka e bënte më të sigurt këtë treg ishte pikërisht lidhja shpirtërore që kishin shqiptarët me fustanellën, pasi asgjë nuk do të mund t’i bënte ata të hiqnin dorë prej saj.
Kjo veshje kishte tashmë një shtrirje të gjerë në zonën e Ballkanit, sidomos në Greqi, në Itali, gjë që tregon lëvizjet e shqiptarëve të shpërngulur, por edhe për arsye të lëvizjeve ushtarake. Shumë nga këta udhëtarë e përshkruajnë fustanellën si veshje karakteristike të shqiptarëve e sidomos të luftëtarëve . Luftëtarët përshkruhen me veshjen karakteristike siç është fustanella, e cila i bënte ata të identifikueshëm bashkë me armët e tyre si: mushqetat, pistolat dhe jataganët. Ata dallohen për shpirtin luftarak dhe etja që kishin për fitoren i bënte ata të viheshin në shërbim të shteteve të ndryshme.
Karakteristikë e veçantë e këtyre luftëtarëve ishte gjithashtu lidhja e madhe dhe e fortë që kishin me vendin e tyre. Gjithashtu, kur flasin për fustanellën e përdorur në Greqi, e cilësojnë atë si “veshja e bukur e shqiptarëve”, e cila ishte një gjë e zakonshme. Një panoramë mjaft të qartë të përdorimit të fustanellës në masë të gjerë nga shqiptarët në shekullin XIX dhe përdorimit të saj si imazhi i identitetit kombëtar, e bën Edward Lear nëpërmjet punës së tij artistiko–dokumentuese . Në peizazhete tij të bëra në vende të ndryshme të Shqipërisë, dallohen menjëherë personazhet me fustanellë. Jehona e veshjes me fustanellë ka tërhequr vëmendjen e artistëve të ndryshëm, si: Filip Delpinos, piktori francez Ary Scheffer, Delacroix dhe Jean Leon Gerome. Personazhet me fustanellë të paraqitura në këto vepra arti janë kryesisht luftëtarë që, edhe pse paraqesin atmosferën e Perandorisë Osmane, ata përfaqësojnë ballkanasit. Nëpërmjet këtyre veprave, ne kuptojmë përhapjen dhe jehonën e veshjes me fustanellë. Në vende të ndryshme të Ballkanit, me kalimin e kohës dhe me një ndërgjegjësim më të lartë të nacionaliteteve dhe me krijimin e shteteve, fustanella filloi të marrë disa karakteristika specifike për sa i përket elementeve të tjera të veshjes, si: kapelja, kallcet, brezi. Por ishte pikërisht elementi i fundit, pra “fustanella”, e cila edhe pse diku e kaloi gjatësinë e gjurit e diku u ngrit më sipër, përsëri e identifikonte mjaft mirë këtë veshje, duke i bërë ndryshimet në elementet e tjera të veshjes të papërfillshme për sa i përket imazhit.
Kryesisht dallimet u bënë më të dukshme për sa i përket shtresës shoqërore të përdoruesit. Së pari, dallimi qëndron në materialin e përdorur për fustanellë dhe së dyti, në materialin e përdorur për pjesët e tjera të veshjes, si: jeleku, xhamadani, dollama, brezi dhe opingat. Jo vetëm materiali, por ajo më e dukshmja ishte pjesa e qëndisjes si për nga materiali i fijes së përdorur: fije ari, apo mëndafshi për shtresat e pasura, por edhe nga mënyra e përhapjes kompozicionale të ornamentit. Por edhe në këtë rast ishte pikërisht pjesa e fundit e veshjes, pra fustanella, ajo që bënte unifikimin edhe midis shtresave të ndryshme të shoqërisë, një unifikim ky që ka të bëjë me identitetin kombëtar, me ndjenjën që je pjesë e një grupi, pjesë e një kulture. Më e rëndësishmja është që fustanella bënte unifikimin edhe midis dy besimeve dominuese në vendin tonë, duke i dhënë më tepër rëndësi identitetit kombëtar. Mënyrën se si u zhvillua veshja me fustanellë në vendin tonë, rëndësinë dhe vëmendjen e madhe që mori kjo veshje, karakteristikat që ajo pasqyroi në klasat e ndryshme shoqërore dhe në personat me besime të ndryshme fetare, mund t’i shohim fare qartë të pasqyruara me një mjeshtëri dhe estetikë të jashtëzakonshme si në veprën e Marubit, ashtu edhe në ato të fotografëve të tjerë vendas dhe të huaj.
Moda orientale do të kishte një ndikim të madh në veshjet qytetare, deri edhe në asgjësimin e saj të plotë. Pavarësisht se fustanella ishte një veshje mjaft identifikuese e identitetit kombëtar, në Shkodër ajo do të vazhdonte të përdorej kryesisht nga burrat myslimanë, e përzier me elemente orientale, ndërsa katolikët do të identifikoheshin gjithnjë e më shumë me veshjen e huazuar orientale me brendavekë të zinj e të gjatë deri te gjuri. Deri nga mesi i shekullit XIX, dokumente të kësaj periudhe tregojnë se veshja me fustanellë shtrihej në Serbi e deri në veri të Nishit. Veshja me fustanellë gradualisht filloi të tkurrej drejt jugut, duke u bërë tipari dallues i këtyre zonave, derisa rreth viteve 1920 doli nga përdorimi. Me tkurrjen e fustanellës drejt jugut, vendin e saj e zuri kryesisht veshja me tirq, e cila u bë tipari dallues jo vetëm i malësorëve dhe i Shqipërisë së Veriut, por edhe i pjesës juglindore të vendit.
Gjithashtu, në disa nga zonat e jugut fustanella u zëvendësua me poturet prej pëlhure ose shajaku deri te gjuri. Elementet orientale të veshjes qytetare (si për femra, ashtu edhe për meshkuj) do të vazhdonin të përdoreshin derisa veshja alla frënga të fillonte t’i zëvendësonte ato pjesë- pjesë, gjer në eliminimin e plotë të tyre.
Credit : SILVANA NINI
2 replies on “Fustanella një veshje Shqiptare”
Festanella eshte e jona
Hey my albanian is not very good thats why I try in english 🙂 I hope you can help me with this: I am a Fashion Student from Germany and I was reading the Doctor Thesis of Silvana Nini about traditional clothing in Albania. But now the link of the PDF is not working anymore. Can you help me to find her Doctor Thesis again? I would be very thankful, because I am writing about my Bachelor Thesis about traditional clothing. Thank you in advance , you can also contact me via e-mail: [email protected]