Shpenzimet që i duhen një familjeje mesatare në muaj për të kryer një jetë dinjitoze, janë gati 50% më të larta sesa të ardhurat që ata marrin, kjo për 63% të familjeve shqiptare.
Për një familje mesatare, jetesa në Shqipëri është e vështirë, madje kthehet në mbijetesë për shkak të të ardhurave të pakta dhe shpenzimeve të larta. Shumica dërrmuese e familjeve shqiptare, rreth 63% e tyre sigurojnë të ardhura nga 0 deri në 50 mijë lekë në muaj (80% e tyre kanë më shumë se 3 anëtarë) sipas të dhënave nga një vrojtim i Bankës së Shqipërisë në një kampion prej më shumë se 1200 njësish familjare, të shpërndara në të gjithë vendin.
Rezultatet e Vrojtimit treguan se 10% e familjeve shqiptare janë në kufijtë e varfërisë pasi të ardhurat mujore janë deri në 170 mijë lekë në muaj dhe familjet kanë më shumë se 1 anëtar.
Pjesa dërrmuese e njësive familjare, 53% e tyre kanë të ardhura 17 mijë deri në 50 mijë lekë në muaj, ndërsa numri i familjeve që marrin më shumë se kaq bie në mënyrë të ndjeshme në nivelin e sipërm të të ardhurave.
Në një tjetër vrojtim, atë të Anketës së Buxhetit të Familjeve të INSTAT, në vitin 2017, shpenzimet mesatare mujore për konsum të Njësive ekonomike familjare, të përbëra mesatarisht nga 3,7 persona, janë 73.400 lekë, ku 44% e tyre shkojnë për ushqime. Pra shpenzimet që i duhen një familjeje mesatare në muaj për të kryer një jetë dinjitoze, janë gati 50% më të larta sesa të ardhurat që ata marrin, kjo për 63% të familjeve shqiptare.
Vetëm 1% e familjeve kanë të ardhura mbi 200,000 lekë/muaj
Sipas rezultateve të vrojtimit të Bankës së Shqipërisë, 28% e familjeve kanë të ardhura mujore nga 50 mijë deri në 100,000 lekë, ndërsa 8% e familjeve të anketuara kanë të ardhura nga 100,000-200,000 lekë në muaj.
Vetëm 1% e familjeve kanë raportuar të ardhura mbi 200,000 lekë në muaj.
Rezultatet e vrojtimit tregojnë se burimi kryesor i të ardhurave në familjet shqiptare është pensioni dhe vetëpunësimi.
30% e tyre kanë deklaruar se burimi i të ardhurave mujore është pensioni, 26% e familjeve deklarojnë se i kanë të ardhurat nga vetëpunësimi, 24% e tyre deklaruan se të ardhurat vijnë nga punësimi në privat dhe 11% nga sektori shtetëror.
Një numër më i madh familjesh sigurojnë të ardhura nga emigracioni. Në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2018, rreth 6% e familjeve siguruan të ardhurat nga remitancat, nga 5% që ishin në 6-mujorin e parë të vitit.
Vetëm 1% e familjeve kanë burim tjetër të ardhurash që kryesisht vinë nga qiratë dhe interesat.
Të dhënat e tjera të INSTAT e Eurostat tregojnë se të ardhurat e familjeve shqiptare janë aq të ulëta saqë në pjesën më të madhe mjaftojnë vetëm për t’u ushqyer e për të kryer pagesat bazë të detyrueshme, si ujë, drita etj. Sipas Eurostat, shpenzimet nominale për ushqime, përbënin 31% të Prodhimit e Brendshëm Bruto (GDP- që mat prodhimin e ekonomisë në një vit, apo dhe të ardhurat që sigurohen nga puna dhe pronat) për Shqipërinë, më e larta në Europë. Në Kosovë, treguesi është pak më i ulët se në Shqipëri, në 29.2%% të GDP-së.
Në krahasim me mesataren e Bashkimit Europian, shpenzimet për ushqime në raport me atë që prodhon ekonomia në një vit janë shumë më të larta. Për mesataren e BE-së, ky tregues është vetëm 6% e GDP-së, ku më i larti është në Rumani, me 15.8% të GDP-së dhe më i ulëti në Irlandë dhe Luksemburg me 2.7 dhe 2.6% të PBB-së. Edhe në raport me vendet e tjera të rajonit, shqiptarët e Shqipërisë dhe Kosovës e përdorin pjesën më të madhe të parave që kanë në dispozicion për t’u ushqyer. Për Serbinë, ky tregues është 15.6% e GDP-së dhe më i larti është për Bosnjën dhe Malin e Zi me përkatësisht rreth 23-24% e GDP-së . Për vendet kandidate dhe potenciale kandidate (pa përfshirë Kosovën dhe Turqinë), mesatarja është 19.7%.